Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka marrë vendim për mbylljen e qarkullimit të mjeteve motorike në një pjesë të rrugëve “Rexhep Luci” dhe “Qamil Hoxha” si dhe në rrugët e rrugicat të cilat kalojnë nëpër parkun e Universitetit të Prishtinës dhe Bibliotekës Kombëtare.
Rama në postimin e tij në Facebook ka thënë se ky vendim është marrë me qëllim të realizimit të planit rigjenerues të këtyre hapësirave publike, në konsultim me Universitetin e Prishtinës dhe Bibliotekën Kombëtare, pasi këto pjesë janë duke u përdorur si parkingje dhe bllokojnë shfrytëzimin e këtyre hapësirave nga të gjithë qytetarët.
Dua të bëj të qartë se Kryeqyteti si institucion ka prioritet interesin e përgjithshëm publik dhe nuk mund të vendos interesin e asnjë biznesi mbi interesin e përgjithshëm të qytetarëve.
Nuk do të lejoj që dhjetëra vetura që parkohen në hapësira të përbashkëta publike të privojnë shfrytëzimin e kësaj hapësire në të mirë të të gjithë qytetarëve.
Unë qëllimisht nuk e kam marrë këtë vendim derisa është funksionalizuar Parkingu Nëntokësor në Qendër, i cili ka në dispozicion 624 vendparkime për vetura.
Ky parking është në afërsi të të gjitha objekteve institucionale e afariste përreth. Do të thotë të gjitha objektet përreth kanë alternativë të afërt të parkimit.
Edhe një herë dua të ritheksoj se prioritet i Kryeqytetit është krijimi i hapësirave të mirëfillta publike, rekreative dhe të gjelbëra për këmbësorët të cilat i kanë munguar Kryeqytetit tash e sa vite.