Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, mirëpritën në ndërtesën e Qeverisë delegacionin norvegjez nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE), të udhëhequr nga deputetja Ingjerd Schou.
Aty u diskutua për aplikimin e Kosovës dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës. Kryeministrit ritheksoi dhe rikonfirmoi përkushtimin e vendit tonë për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare dhe për respektimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, si vlera kryesore e Këshillit të Evropës e të përbashkëta me Kosovën.
Ai e njoftoi delegacionin nga Norvegjia me aktualitetin politik, zhvillimet e fundit, dhe punën e qeverisë. Diskutuan për përfitimet e qytetarëve të Republikës së Kosovës nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe për progresin në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit në dy vitet e fundit që e kanë bërë aplikimin tonë të natyrshëm.
Kryeministri Kurti falënderoi Norvegjinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, dhe për përkrahjen e kandidaturës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.