Për herë të parë në Kosovë, Shoqata Organika organizoi Ditën Evropiane Organike. Në kuadër të kësaj nisme, është arritur që edhe Kosova të vendoset në hartën e Evropës nga IFOAM, në mesin e 19 shteteve evropiane.
Me sloganin “Rrugëtimi organik i Kosovës: e kaluara, e tashmja dhe një e ardhme e ndritur”, kjo ngjarje kishte në fokus të arriturat nga e kaluara, zhvillimet e së tashmes dhe perspektivat e së ardhmes për sektorin e bujqësisë organike në Kosovë.
Të pranishëm në këtë organizim ishin edhe Imri Demelezi, zv. ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Krasniqi, kryetar i Shoqatës Organika, Mustafë Kastrati nga GIZ Kosova, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve vendore, organizatave partnere, si dhe përfaqësues të kompanive vendore të produkteve organike.
Në pjesën e dytë të kësaj ngjarjeje, në dy panele të ndara u diskutua për të kaluarën dhe të tashmen e bujqësisë organike në Kosovë, si dhe për mundësitë ekzistuese për zhvillim të mëtutjeshëm, përfshirë këtu edhe potencialin për eksport.
Shënimi i ditës Evropiane Organike filloi në vitin 2021 si nismë e Parlamentit Evropian, Komisionit dhe Këshillit të Bashkimit Evropian.
Që atëherë, 23 shtatori – Dita Evropiane Organike, shënohet për të vlerësuar përpjekjet e vazhdueshme dhe kërkesat e konsumatorëve për të rritur ndërgjegjësimin për bujqësinë organike dhe për të përcaktuar objektivat e reja për një të ardhme Organike në Evropë. Ky organizim u mbështet nga GIZ Kosova, thuhet në komunikatën për media e Organika.