Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se të gjitha shërbimet komunale po përmirësohen në të mirë të qytetarit.
Rama në postimin e tij në Facebook ka thënë se me planifikimin preciz si dhe goditjen e keqpërdorimeve që e kemi bërë së bashku me Prishtina Parking është përmirësuar shërbimi ndaj qytetarëve, performanca e ndërmarrjes, kushtet e punës për punonjësit si dhe janë rritur kursimet. Sot Prishtina Parking nuk i realizon shërbimet e terrenit përmes nënkontraktorëve të shtrenjtë por me mjete dhe automjete të saja, me blerjen e automjeteve dhe pajisjeve tjera të terrenit ka arritur që t’i kursej rreth 1 milion euro për periudhën 2023-2025.
Këto kursime kanë krijuar mundësinë që së bashku me Sokol Havolli kryeshefin ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje publike të Kryeqytetit, të i propozojmë Kuvendit Komunal edhe largimin e pagesës për veturën e parë për banorët rezident, sepse mundësitë financiare lejojnë këtë ndryshim dhe nuk cënojnë investimet. Rregullorja tashmë është e gatshme për votim në Kuvend Komunal.
Dhe jemi shumë të kënaqur që për një kohë të shkurtë kemi arritur të kthejmë konceptin nga një ndërmarrje e kundërshtuar në një ndërmarrje të kërkuar nga lagjet. Kemi ende punë, përmirësime dhe investime për të realizuar me Prishtina Parking.






