Kryeministri Albin Kurti, mbledhjen e 162-të të Qeverisë e ka filluar me një minutë heshtje, në nderim të rreshterit të Policisë së Kosovës, Heroit të Republikës, Afrim Bunjaku që më 24 shtator ra në krye të detyrës, në mbrojtje të rendit dhe ligjit, shtetit të së drejtës, integritetit territorial dhe atdheut, Lavdi!
Kryeministri Kurti ka thënë se të dielën është cenuar sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe siguria kombëtare, ku po atë ditë, është dëshmuar rreziku, qëllimi, potenciali dhe gatishmëria e grupeve kriminale dhe terroriste, të cilat i kemi luftuar për më shumë se dy vjet e gjysmë.
Me mbi 5 milionë euro vlerë të armatimit ushtarak dhe sasi të mjaftueshme për një grup prej qindra luftëtarëve, është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë. Aty janë përfshirë individë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar për aktivitete kriminale.
Ata janë në kërkim të institucioneve tona të drejtësisë për vepra penale në Kosovë. Ata shfaqen në krah e përkrah e në një tryezë në Beograd e në Rashkë, me Presidentin e Serbisë, Aleksanadr Vucic, duke paralajmëruar rolin e drejtpërdrejtë të shtetit serb në këtë mes.
Kurti tha se përballë kësaj, është dëshmuar profesionalizmi i jashtëzakonshëm i Policisë së Kosovës, i institucioneve tona të sigurisë në përgjithësi, është dëshmuar kapaciteti i tyre i plotë për të mbrojtur Republikën, ky është suksesi i tyre më i madh që prej shpalljes së Pavarësisë, kjo na bën krenar të gjithëve dhe secilin.
Andaj, sot ju ftoj të gjithëve, juve këtu, dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, që t’i falënderojmë pjesëtarët tanë të policisë në uniformë, kudo e kurdo që i shihni: në mëngjes, gjatë ditës, a në mbrëmje, në rrugë, në sheshe, në vend të punës, në lagje, në trafik. Ju faleminderit për shërbimin tuaj.
Ai ka thënë se sulmi terrorist i së dielës, gjithashtu ka ekspozuar edhe vështirësitë sa edhe nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar edhe më të madh në ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufirit me Serbinë, e bashkë me të edhe nevojën për dënim të hapur, me gjuhë të qartë e të përveçme dhe kërkesa të prera ndaj Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar.
Kufirin me Serbinë, më shumë sesa vija e gjatë kufitare dhe terreni malor, veçanërisht në pjesën veriore, të rrezikshëm dhe të vështirë e bëjnë sjellja dhe apetitet e Beogradit zyrtar.
Kurti tha se njëkohësisht, pas dokumentimit të pjesëmarrjes në këtë sulm terrorist të nënkryetarit të Listës së Serbe, Milan Radoicic, është vërtetuar edhe një gjë që meriton vëmendjen e të gjithëve: rëndësia jetike e ringjalljes së pluralizmit politik të serbëve në Kosovë.
Nuk ka demokraci e liri pa pluralizëm. Serbët e Kosovës duhet të çlirohen nga tutelat e Serbisë.
Kryeministri Kurti nër fund ka thënë se sulmi i së dielës ishte aq djallëzor sa për të vendosë në mes një kult fetar, i cili po ashtu është monument i trashëgimisë kulturore i mbrojtur me ligjet e Kosovës, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.