Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se Drafti i Projektligjit për Sport u prezantua para qytetarëve dhe komunitetit sportiv, përmes së cilit parashihet reformimi i sistemit sportiv në vend.
Për hartimin e tij MKRS gjatë tërë vitit ka bashkëpunuar me institucionet relevante, strukturat sportive, ekspertët ligjorë dhe shoqërinë civile.
Disa nga qëllimet e Projektligjit:
- Përkufizime të reja dhe bashkëkohore për sportin;
- Riorganizimi institucional sportiv përmes së cilit përveç që do të ndahet përgjegjësia vendimmarrëse, njëkohësisht edhe do të fuqizohet sektori si tërësi;
- Përcaktimi i qartë i të drejtave dhe përgjegjësive të individëve, organizatave dhe entiteteve tjera përbrenda sistemit;
- Ndërtim i mekanizmave të rinj institucional dhe organizativ që do t’i shërbejnë procesit të koordinimit të sektorit dhe zbatimit të ligjit;
- Krijimi i bazës ligjore për zhvillimin e sporteve elektronike në vend;
- Ndërtimi i regjistrit shtetëror të sportit që do t’i shërbejë procesit të digjitalizimit të administratës sportive dhe lirimin e komunitetit nga procedurat e tepërta burokratike;
- Klasifikimi i infrastrukturës sportive dhe rregullim i bazës ligjore për menaxhimin e tyre.
Gjatë takimit, të pranishmit shpalosën komentet e tyre për Projektligjin, e të cilat grupi punues do t’i adresojë gjatë ditëve në vazhdim, thuhet në postimin në Facebook të MKRS-së.
Komentet tuaja mund t’i adresoni edhe përmes platformës për konsultime që është e hapur deri nesër, 6 tetor. https://shorturl.at/aopvH






