Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se Erzen Shkololli është përzgjedhur kurator i edicionit të 5-të të Autostradës Biennale në Prizren, i cili do të mbahet prej 5 korrikut deri më 5 tetor 2025.
Shkololli është artist dhe kurator. Aktualisht, ai është kurator i përgjithshëm i galerisë Cukarna në Ljubljanë. Shkololli ka udhëhequr suksesshëm disa institucione të artit, përfshirë Galerinë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë (2018–2022) dhe Galerinë Kombëtare të Arteve të Kosovës (2011–2015).
Si i vetmi institucion i artit bashkëkohor në Prizren, Autostrada Biennale ka dy funksione – organizimin e ekspozitës ndërkombëtare të artit bashkëkohor që mbahet çdo dy vjet, që nga viti 2017, dhe Autostradën Hangar, hapësirën për edukim, krijim dhe ekspozim në ish-bazën ushtarake të KFOR-it gjerman (tani, Parku i Inovacionit dhe Trajnimit).
Autostrada Biennale gëzon mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, thuhet në postimin në Facebook të MKRS-së.