KMDLNj ka monitoruar protestën e organizuar nga PSD kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trandafilova në Prishtinë, përkatësisht takimit në hotelin “Sirius” me një pjesë të përzgjedhur të shoqërisë civile.
Sipas KMDLNj-së, protesta e PSD -së është e drejtë dhe kjo është e rregulluar me ligj. Protesta, në të njëjtën kohë është e drejtë e njeriut në çdo vend demokratik.
Jashtë hotelit ishin policë të Kosovës ndërsa brenda hotelit kishte policë specialë të uniformuar dhe të veshur si civilë. Ishin të pranishëm shumë media. Udhëheqës të veteranëve të UÇK- së u prononcuan para mediave sikur që e bënë edhe udhëheqës të PSD -së.
Kur aktivistë të PSD -së hodhën tymyes, Policia e Kosovës intervenoi duke arrestuar së paku 5 aktivistë të PSD -së ndaj të cilëve u përdorë një forcë joproporcionale, për KMDLNJ krejtësisht e panevojshme. Në rrëmujën e krijuar është alivanosur gazetari i portalit Arbresh .info.
KMDLNj kërkon nga Inspektorati Policor i Kosovës të bëjë hetime nëse janë tejkaluar përgjegjësitë me të cilat është pajisur Policia me rastin e menaxhimit të protestave.
Në kohën kur qytetarëve të Kosovës që po mbahen peng në Burgun e Gjykatës Soeciale Raciste në Hagë po iu mohohen të drejtat elementare të njeriut, vizita e kryetares së kësaj Gjykate në Prishtinë nuk mund të konsiderohet ndryshe përveç se provokim dhe veprim në kundërshtim me standardet minimale profesionale dhe morale. KMDLNj ka qenë fuqishëm kundër kësaj vizite, thuhet në komunikatën për media e KMDLNj-së.