Build Skills with our trainings

Sign up now!

Bislimi në seancën e Kuvendit të Kosovës diskuton Raportin nga KE për vitin 2023

Nën 30, 2023

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori sot pjesë në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ku u diskutua për Raportin për Vendin nga Komisioni Evropian për vitin 2023.

Në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit, zëvendëskryeministri Bislimi tha se raporti mes tjerash konstaton se Qeveria ka vazhduar me agjendën e saj ambicioze të reformave drejt BE-së.

Gjatë kësaj periudhe, raporti dëshmon arritje të rëndësishme legjislative te kriteret politike, te zbatimi i masave e progres në ato ekonomike, si dhe te standardet apo kapitujt e BE-së. Në agjendën e integrimit evropian, Qeveria e Kosovës është vlerësuar për arritjet në zbatimin e ERA II dhe PKIE 2023–27.

Zëvendëskryeministri veçoi dhe reformat e brendshme në sundimin e ligjit, qeverisja e mirë, progresi ekonomik dhe social, liberalizimi i vizave dhe përkushtimi në bashkëpunimin rajonal, të cilat konfirmojnë se jemi duke bërë hapat e duhur në rrugën drejt të ardhmes evropiane.

 

 

Agjenda e Reformave Evropiane në Qeverinë tonë që nga fillimi është trajtuar me shumë seriozitet. Mobilizimi që për të kapur hapin në procesin e integrimit evropian, pas stagnimit disa vjeçar, po jep frytet e veta. Raporti i fundit i publikuar më 8 nëntor përfshin zhvillimet nga muaji korrik i vitit të kaluar  deri në muajin qershor të këtij viti, por në qoftë se ka pasur zhvillime substanciale edhe pas kësaj periudhe ato janë përfshirë. Është raporti i parë pas aplikimit tonë për anëtarësim në BE dhe pas  vendimit për liberalizim të vizave nga 1 janari, i vitit 2024, dy fakte këto të cilat edhe përmenden në raport.

 

Para se të flas për përmbajtjen e Raportit të Vendit, më lejoni shkurt të theksoj tri momente:

 

E para, që dua të përmend është që Pakoja e Zgjerimit këtë vit propozon hapje të negociatave për Ukrainën, Moldavinë, dhënien e statusit kandidat për Gjeorgjinë si dhe pas plotësimit të disa kushteve hapjen e negociatave edhe për Bosnjën e Hercegovinën.  Qeveria e Republikës së Kosovës, e përshëndet këtë vendim dhe e sheh si reflektim të rëndësishëm të BE-së në atë që ne po e shohim si rëndësi gjeostrategjike e përshpejtimit të zgjerimit të BE-së, dhe ofrimit të sigurisë si për rajonin ashtu dhe me vendet e tjera që kufizohen me Rusinë.

 

Procesi i anëtarësimit në BE duhet të jetë në plotni i bazuar në meritokraci. Kosova beson në të ardhmen e vet evropiane dhe si shembull i demokracisë në rajon duhet t’i jepet mundësia që këtë ta dëshmojë. Ne kemi bërë hapin tonë,  me 15 dhjetor, të vitit të kaluar në Pragë gjatë Presidencës Çeke të Këshillit të BE-së, Kryeministri ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në BE. Tani jemi të gatshëm dhe presim  që t’i përgjigjemi  mijëra pyetje teknike që vijnë nga Komisioni Evropian, në mënyrë që të vlerësohemi në formë objektive dhe bazuar në merita dhe të marrim pastaj statusin e kandidatit.

 

E dyta, angazhimi dhe përkushtimi i Qeverisë në rrugën drejt BE-së është gjithnjë e më i madh, andaj si Qeveri e mbështesim në plotni “Planin e Rritjes” për Ballkanin Perëndimor që u prezantua ditën e njëjtë me raportin, pra me 8 nëntor të këtij viti. Planin e Rritjes e shohim si hap të duhur e në drejtimin e duhur. Pas shumë vitesh stagnimi, pakoja e zgjerimit e publikuar së fundmi, rikthen shpresën për fokus tek zgjerimi i BE-së. Integrimi në BE dhe përfitimet nga Tregu Unik i BE-së duhet të lidhen me reforma ekonomike dhe demokratike. Prandaj, ne iu qëndrojmë me vendosmëri parimeve, në të cilat ky plan është i rrënjosur. Nuk duhet të ketë përfitime të Bashkimit Evropian dhe as fonde pa i përqafuar vlerat e Bashkimit Evropian.

 

E treta, që mendoj se është shumë me rëndësi, kur flasim edhe për përmbajtjen e raportit, ka të bëjë me faktin, që masat e Komisionit Evropian karshi Kosovës janë ende në fuqi dhe besojmë që ka një mundësi, që prezenca e këtyre masave ka patur ndikim edhe në shkrimin e raportit apo vlerësimin që i është bërë Kosovës, e për të cilat do flas në vijim. Po ashtu, masat që janë në fuqi, bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në Bashkimin Evropian, sidomos edhe me iniciativat e fundit siç janë Plani i Rritjes edhe ai për Tregun Unik. Kosova ka bërë hapat e duhur, prandaj është shumë e rëndësishme që BE-ja sa më shpejt t’i tërheqë këto masa, të cilat janë të kthyeshme dhe pa pasoja, në mënyrë që fokusi të kthehet në avancimin e integrimit evropian të vendit tonë.

 

Tani më lejoni t’i kthehemi raportit të vendit për Kosovën për vitin 2023.

 

Ky raport mes tjerash konstaton se Qeveria ka vazhduar me agjendën e saj ambicioze të reformave drejt BE-së. Gjatë kësaj periudhe raporti dëshmon arritje të rëndësishme legjislative te kriteret politike, te zbatimi i masave e progres në ato ekonomike, si dhe tek standardet apo kapitujt e BE-së. Në agjendën e integrimit evropian, Qeveria e Kosovës është vlerësuar për arritjet në zbatimin e ERA II dhe PKIE 2023–27.

 

Raporti vlerëson pozitivisht reformat në fushën e demokratizimit, duke potencuar konsensusin e arritur për reformën zgjedhore dhe miratimin e ligjit për zgjedhjet. Po ashtu, edhe miratimin e ligjit për financimin e partive politike. Këto dy iniciativa do të sjellin më shumë transparencë e më shumë demokraci.

 

Raporti e përgëzon Kosovën për politikën e saj të jashtme, kur është fjala për luftën në Ukrainë dhe vendosjen e masave dhe sanksioneve ndaj Rusisë e Bjellorusisë në përputhje të plotë me ato që ka vendosur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Tek Kuvendi, gjatë vitit të kaluar, janë aprovuar 110 ligje, që është numri më i madh i ligjeve të miratuara në një vit në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Aprovimi i rregullores së re të Kuvendit, pritet të përmirësojë kushtet dhe procedurat për mbarëvajtjen edhe më të mirë të punës suaj.

 

Kosova është vlerësuar edhe në fushën e bashkëpunimit rajonal. Qytetarët në Ballkanin Perëndimor sot nuk do të duhet të jetojnë nën frikën e një konflikti të mundshëm, por të punojnë për një të ardhme të përbashkët, e ne si qeveri, kemi përgjegjësinë për ta ndërtuar këtë të ardhme.

 

Kërkohet një angazhim e mirëbesim për të prezantuar dhe garantuar efektivitetin afatgjatë të marrëveshjeve dhe respektimin e të gjitha palëve, që janë investuar në këtë proces. Kosova merr pjesë dhe kontribuon në pothuajse të gjitha nismat rajonale. Nënshkrimi i tri marrëveshjeve të mobilitetit gjatë vitit të kaluar brenda Procesit të Berlinit dhe fakti që Kosova është vendi i parë që ka ratifikuar të njëjtat, tregon përkushtimin tonë për fqinjësi të mirë, zhvillim e përparim në bashkëpunimin rajonal.

 

Sipas analizës sonë, janë disa arritje në segmentin e kritereve politike, më përkatësisht në fushën e qeverisjes, drejtësisë dhe sundimit të ligjit, por edhe luftimit të korrupsionit të cilat ёshtё dashur tё vlerësohen e theksohen mё shumё në këtë raport, meqё janë të arritura me shumë rëndësi për një shoqëri demokratike edhe pёr mё tepёr janë rekomanduar në vetë raportin e vitit të kaluar. Disa nga to janë:

·         Ligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës;

·         Ligji për Prokurorin e Shtetit;

·         Funksionalizimi i Gjykatës Komerciale;

·         Rritja e ndjeshme e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe caktimi automatik i lëndëve;

·         Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës;

·         Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Dhuna në Baza Gjinore,

·         Ndihma juridike falas e shumë të tjera.

 

Integrimi i përshpejtuar ekonomik dhe konvergjenca në të ardhura me BE-në por edhe brenda Ballkanit Perëndimor përkon me përkushtimin e Qeverisë dhe progresin e arritur në kriteret ekonomike që i thekson raporti gjatë kësaj periudhe, si p.sh:

 

·         Në fushën e konkurrencës dhe rritjes ekonomike e sidomos progresi në fushën e doganave, tatimeve, politikave sociale e punësimit, arsimit e kulturës, dhe energjisë;

· 

        Progres i mirë është arritur edhe në fushën e përafrimit me tregun e brendshëm ku janë miratuar 16 ligje dhe 35 akte nënligjore që janë brenda kërkesave që burojnë nga vetë MSA-ja;

 

·         Rritje e të hyrave buxhetore për 14%;

 

·         Formalizim të suksesshëm të ekonomisë dhe vendeve të punës;

 

·         Rritje prej 88% në baza vjetore të investimeve të huaja direkte;

 

·         Ulje të ndjeshme të nivelit të borxhit publik;

 

·         Progres në menaxhimin e projekteve publike;

 

·         Rritje të eksportit të mallrave dhe shërbimeve, dhe rritje të shkallës së hapjes së ekonomisë;

 

·         Përmirësim i mjedisit të të bërit biznes;

 

·         Rritje të regjistrimit të bizneseve të reja dhe po ashtu përmendet sektori financiar i qëndrueshëm kundrejt krizave me të cilat ballafaqohemi.

 

Po ashtu, raporti njeh arritjet në fushën e Energjisë, si në projekte ashtu edhe në fushën e legjislacionit si miratimi i strategjisë së energjisë 2022 – 2031, sigurisë më të madhe në furnizim me energji dhe rritje në investime për energji të ripërtëritshme.

 

Këtë vit për herë të parë është duke u investuar një shifër rekord prej 35 milionë eurove në programet e efiçencës së energjisë për sektorin rezidencial dhe bizneset – që njëherësh është shuma më e madhe ndonjëherë e investuar në Kosovë. Ky investim është mundësuar falë mbështetjes nga Komisioni Evropian në kuadër të pakos emergjente për energji prej 75 milionë eurove. Deri tani, kemi zbatuar me shumë sukses masat për efiçencë të energjisë në ndërtesa publike e rezidenciale, kemi subvencionuar mbi 10,000 familje për blerjen e pajisjeve efiçiente, derisa dhe kemi lansuar masat edhe për bizneset.

 

Sektori i energjisë është sektor me rëndësi strategjike dhe për zhvillimin ekonomik të vendit dhe këtë e kemi dëshmuar me fillimin e projekteve më të mëdha dhe inovative në vendin tonë, siç është ndërtimi i kapaciteteve akumuluese të energjisë me kapacitet prej 170 MW për dy orë, pra gjithsej 340 MW energji, ngrohjes qendrore diellore me kapacitet prej 50 MW, pastaj parkut solar në KEK me kapacitet prej 100 MW, lansimin e ankandit të parë të teknologjisë solare me kapacitet 100 MW. Ndërkaq, në mes të vitit të ardhshëm do të kemi edhe ankandin për 150 MW energji të gjeneruar sërish nga burimet e ripërtëritshme.

 

Sa i përket shoqërisë civile, ajo në përgjithësi funksionon në një mjedis të favorshëm dhe vazhdon të merr pjesë aktive në konsultimet publike dhe të kontribuojë në proceset e politikbërjes dhe monitorimit. Raporti konstaton se Organizatat e Shoqërisë Civile, palët e interesuara dhe publiku u angazhuan pothuajse katërfish më shumë në konsultime publike gjatë këtij viti, sesa gjatë vitit paraprak.

 

Tek agjenda e barazisë gjinore, raporti njeh se pjesëmarrja e grave në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe vendimmarrjes së institucioneve dhe partive politike është përmirësuar. Për herë të parë, gratë udhëheqin gjysmën e komisioneve parlamentare, një e arritur e cila mbase nuk është vërejtur sa duhet, atëherë kur shumica e anëtarëve të vetë BE-së edhe përfaqësimin e grave e kanë në nivel më të vogël.

 

Për mbrojtjen e të dhënave personale, kemi vlerësim shumë pozitiv nga aspekti i përafrimit me acquis të BE-së dhe Agjencia konstatohet se është treguar e pavarur dhe ka vazhduar të përmirësojë kapacitetet e saj.

 

Sa i përket qasjes në informacion, raportohet se institucionet publike kanë pranuar gjithsej 4,481 kërkesa për qasje në dokumente publike, prej të cilave vetëm 154 sosh kanë mbetur pa përgjigje, që i bie vetëm 3% e kërkesave për qasje në informacion nuk janë përmbushur.

 

Raporti po ashtu jep edhe sugjerime e rekomandime për hapat e ardhshëm që institucionet e Republikës së Kosovës duhet t’i ndjekin gjatë rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian. Ne tashmë jemi duke i marrë seriozisht këto sugjerime e rekomandime dhe po përkujdesemi që të përfshihen në Programin Kombëtar për Integrim Evropian, si dhe në Planin e Veprimit që jemi duke e hartuar për vitet 2024-2028.

 

Si rrjedhojë e punës konkrete, sipas Barometrit për Ballkanin 2023, 56% e qytetarëve i besojnë Qeverisë; rritja mesatare ekonomike për vitet 2021 dhe 2022, ka qenë mes 7.9%, trendi i rritjes ekonomike ka vazhduar edhe në këtë vit, inflacioni ka rënë nga 12% sa ishte në janar në 3.3% sa ishte në tetor; 60 mijë vende të reja të punës për rreth dy vite e gjysmë janë regjistruar, që përbën një rritje prej 16% të fondit të të gjithë të punësuarve në Kosovë; ndërkaq siç e thash më herët edhe investimet e huaja direkte dhe të hyrat tatimore janë rritur për më shumë se 2/3.

 

Nga 1 janari i vitit 2024 pasaporta e Republikës së Kosovës do të jetë shumëfish më e fuqishme, sepse hyn në fuqi vendimi i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave në zonën Shengen. Kjo arritje, përveçse meritë e kahmotshme e qytetarëve tanë, është edhe rezultat i ligjshmërisë, i reformave, luftimit të korrupsionit dhe praktikave korruptive e i qeverisjes së mirë me imazh të lartësuar ndërkombëtar.

 

Reformat e brendshme në sundimin e ligjit, qeverisja e mirë, progresi ekonomik dhe social, liberalizimi i vizave dhe përkushtimi në bashkëpunimin rajonal, konfirmojnë se jemi duke bërë hapat e duhur në rrugën drejt të ardhmes evropiane.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM