Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në takim nga presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Lartmadhëria e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan në Dubai, ku po zhvillon punimet e COP28, konferenca kryesore globale.
Në takim, presidentja Osmani ka vlerësuar lartë mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe në kohën më të vështirë për popullin tonë. Ajo në veçanti vlerësoi mbështetjen në sektorin e shëndetësisë, përmes ndërtimit të spitaleve, të cilat kontribuojnë dukshëm në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të ofruara, në veçanti për nëna dhe fëmijë. Në këtë drejtim, Presidentja theksoi se kjo mbështetje është dëshmi e lidhjes së fortë në mes të dy shteteve tona.
Ndër të tjera, në takim u diskutua edhe për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, rritjes së investimeve në energji, shëndetësi, turizëm dhe sektorë të tjerë strategjik, si dhe për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Presidentja Osmani përgëzoi Lartmadhërinë e Tij për organizimin e suksesshëm të COP28, në të cilën konferencë Kosova po merr pjesë për herë të parë në nivelin më të lartë shtetëror, me ftesë të Lartmadhërisë së Tij, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Presidentes.