Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (SGG) u bën thirrje institucioneve relevante që të marrin masa efektive për t’i hetuar tërësisht rrethanat që kanë çuar në vdekjen e viktimës, duke nënvizuar rëndësinë e procesit dhe drejtësisë për viktimën. Për më tepër, SGG bën thirrje për mbështetje gjithëpërfshirëse për anëtarët e familjes, duke theksuar rëndësinë e kujdesit të dinjitetshëm.
Duke shprehur shqetësimin për traumat e mundshme gjatë gjithë jetës për fëmijët dhe rritjen e shkallës së posedimit të armëve të zjarrit, Grupi për Siguri dhe Çështje Gjinore u kërkon institucioneve të Kosovës që të shqyrtojnë nga afër të gjitha aspektet e rastit.
Derisa po e shënojmë fushatën ndërkombëtare vjetore “16 Ditë të Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore,” jemi të trishtuar nga përsëritja e vrasjeve të grave nga partnerët, bashkëpunëtorët dhe të tjerët përgjatë kësaj periudhe dhe të ardhmes së afërt.
Duke i vlerësuar përpjekjet e lavdërueshme të institucioneve të Kosovës, Policisë dhe Prokurorisë në adresimin e dhunës me bazë gjinore, SGG e shfrytëzon rastin që të theksojë nevojën për masa proaktive në parandalimin e Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave me veprime të vendosura, si në vijim:
Institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin veprime vendimtare për ta parandaluar dhunën ndaj grave dhe vajzave, duke siguruar mbrojtjen e viktimave dhe ndjekjen penale të kryesve në përputhje me parimet e përkufizuara në Konventën e Stambollit.
Policia dhe institucionet tjera relevante duhet të bëjnë vlerësim gjithëpërfshirës të rrezikut dhe menaxhim të rrezikut për secilin rast të dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Të shfrytëzojnë teknologji për monitorim elektronik dhe t’i mundësojnë sistemit që t’i përcjellë lëvizjet e kryesve dhe ta parandalojnë riviktimizimin.
Të ndajnë burime të duhura për policinë, duke theksuar prioritetin më të lartë në trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe t’i përmirësojnë mekanizmat e raportimit për punëtorët socialë që të sigurojnë një sistem më efikas dhe më të përgjegjshëm për adresimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore.
Të sigurojnë që secili rast i vrasjes me bazë gjinore analizohet me kujdes për ta identifikuar çdo dështim në mbrojtje brenda tërë sistemit për t’i përmirësuar dhe zhvilluar më tej masat parandaluese.
Të realizojnë në mënyrë të duhur një rishikim nga shumë agjenci të këtyre vrasjeve të fundit me baza gjinore për të siguruar që janë identifikuar dështimet në organizim dhe janë nxjerrë mësime që lejojnë që ato dështime të adresohen dhe të mos përsëriten.
Të jeni këmbëngulës për një qasje të përqendruar te viktima për parandalimin, si dhe t’i mbështesni viktimat në të gjithë zinxhirin e kujdesit, që nga reagimi i parë deri tek asistimi i viktimave për të dalë nga cikli i dhunës.
Fëmijët viktima dhe dëshmitarë duhet të kenë qasje në ndihmën e ofruar nga profesionistë që kanë marrë trajnime përkatëse. Kjo mund të përfshijë asistencë dhe shërbime mbështetëse të tilla si shërbimet financiare, ligjore, këshillimore, shëndetësore, sociale dhe arsimore, shërbime të rimëkëmbjes fizike dhe psikologjike dhe shërbime të tjera të nevojshme për riintegrimin e fëmijës.
SGG shpreh ngushëllimet e përzemërta për familjen dhe miqtë e viktimës. Mbetemi të palëkundur dhe krah për krah në mbështetje të institucioneve të Kosovës për t’i rritur kapacitetet e tyre në luftën e vazhdueshme kundër dhunës ndaj grave, thuhet në komunikatën për media e SGG-së.