Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u takuan sot me përfaqësues të organeve ligjvënëse, strehimoreve, Qendrave për Punë Sociale dhe organizatave ndërkombëtare të cilat operojnë në Kosovë.
Në këtë takim u prezantua një veçori e re e Skemës “Qeveria për Familjet” e cila ka për qëllim punësimin e viktimave të dhunës në familje. Punësimi realizohet përmes subvencionimit të 70% të pagës bruto të të punësuarave për gjashtë muaj me radhë.
Në lansimin e kësaj nisme, Kryeministri Kurti vendosi theks të veçantë tek suksesi i skemës “Qeveria për Familjet” përmes së cilës 2,377 familje të cilat nuk kishin asnjë të punësuar tashmë kanë së paku një të punësuar. Kurti gjithashtu përmendi punën e Qeverisë në përkrahjen e grave gjatë pandemisë ku ndër të tjera shprehu se “Qeveria ka përkrahur punësimin dhe vetëpunësimin e grave në një kohë izolimi dhe pasigurie”.
Ministrja Haxhiu theksoi se “nisma për punësimin e të mbijetuarave të dhunës ka për synim fuqizimin ekonomik të grave, sidomos atyre të cilat detyrohen të qëndrojnë në vendbanimet ku ka ndodhur dhuna. Ministria e Drejtësisë ka databazën e këtyre grave dhe këto të dhëna do të shërbejnë përgjatë zbatimit të masës”.
Ministri Murati shprehu se “punësimi i grave viktima të dhunës do të bëhet në atë mënyrë që ta ruajë konfidencialitetin dhe integritetin e grave”. Gjithashtu, Ministri Murati deklaroi se përveç integrimit në tregun e punës, të mbijetuarat e dhunës do të prioritizohen nëpër Qendrat e Aftësimit Profesional ashtu që të trajnohen profesionalisht dhe të jenë sa më të gatshme për tregun e punës.
Ky takim vazhdoi me një diskutim të hapur me të pranishmit ku ndër të tjera u diskutuan edhe politikat të cilat do të zbatohen në të ardhmen në shërbim të viktimave të dhunës, thuhet në komunikatën për media e MFPT-së.