Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është drejtuar bashkëqytetarëve serb me mesazhin në lidhje me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, liberalizimin e vizave dhe rritjen e interesimit për t’u pajisur me pasaporta dhe targa të Republikës së Kosovës.
Kryeministri Kurti në postimin e tij në Facebook ka thënë se duke marrë parasysh se mbi 3260 pronarë të veturave nga fillimi i nëntorit e deri më tani kanë ndërruar targat e tyre me ato të Republikës së Kosovës, vërehet interesimi për integrim dhe kuptojmë e dimë se e njëjta gjë është në interes të çdo qytetari të Kosovës dhe të të gjithë neve.
Të dashur qytetarë,
Këtë javë kam qenë mikpritës i vizitës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës lidhur me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Ne e dimë se anëtarësimi sjell avantazhe, veçanërisht për anëtarët e komuniteteve joshumicë, në kuptimin e qasjes në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Për këtë arsye ne i jemi përkushtuar aplikimit për anëtarësim si mënyra më e mirë për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të secilit në Kosovë.
Këto vizita vijnë në kohën kur qytetarët e Kosovës po e pranojnë identitetin e tyre evropian, jo vetëm në aspektin e qeverisjes dhe shoqërisë, por edhe me shansin për t’u afruar fizikisht me fqinjët tanë evropianë për shkak të liberalizimit të vizave.
Qytetarët e Kosovës që dëshirojnë të vizitojnë familjet e tyre dhe të shohin nga afër kulturën e vendeve të rajonit Shengen, do të jenë të lirë të udhëtojnë pa viza nga 1 janari. Jemi të kënaqur që interesimi për përdorimin e kësaj mundësie po përhapet në të gjithë vendin, nga veriu në jug, me një rritje prej rreth 30% të aplikimeve për pasaporta biometrike këtë vit krahasuar me të kaluarin.
Duke marrë parasysh se mbi 3260 pronarë të veturave nga fillimi i nëntorit e deri më tani kanë ndërruar targat e tyre me ato të Republikës së Kosovës, vërehet interesimi për integrim dhe kuptojmë e dimë se e njëjta gjë është në interes të çdo qytetari të Kosovës. Të të gjithë neve. Së bashku.
Në dritën e ngjarjeve të tilla të kohës së fundit, falënderoj të gjithë ata që treguan besim për një Kosovë më të mirë.
Ju përshëndes shumë dhe ju uroj të gjitha të mirat.