Nga 1 janari 2024 pensionistët në Mal të Zi do të përfitojnë ngritje të ndjeshme të pensionit. Pensioni më i ulët në këtë shtet do të jetë 450 euro e që është 4.5 herë më i lartë se pensioni më i ulët në Kosovë ë është 100 euro. Shqipëria, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut, në periudhën 3 vjeçare sa është duke administruar Qeveria Kurti 2, ka rritë pensionet deri në dhjetë herë. Po në të njëjtën periudhë, tre vjeçare, Qeveria Kurti 2 ka ndarë nga 100 euro për çdo vit kalendarik që i bie se janë ndarë 300 euro për 36 muaj e që nënkuton një rritje prej 8 euro dhe 33 cent në muaj.
Realisht, për shkak të inflacionit që për tre vite të administrimit të qeverisë Kurti 2 ka qenë thuaja mbi 20%, pensionistët e Kosovës, jo që kanë përfituar por se kanë humbur nga pensioni për aq sa ka qenë rritja e inflacionit. Rritja prej 100 euro për vitin 2023 është përqeshje, përbuzje dhe trajtim degradues i shtresës më të rrezikuar dhe më të margjinalizuar, pensionistëve të Kosovës. Nuk ka rast të keqrajtimi të tillë që iu bëhet pensionistëve në rajon sikur që iu bëhet pensionistëve në Kosovë.
Pastaj, një ministër i papërgjegjshëm profesionalisht, moralisht dhe instiucionalisht, Hekuran Murati, përkundër kërkesës së drejtuesve të Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës që të takohen dhe të diskutojnë për krijimin e mundësive për përmirësim të statusit material të pensionistëve, nuk ka pranuar t’i takojë dhe as që është përgjigjur kërkesave të tyre. Në një qeveri të përgjegjshme ky ministër do të shkarkohej me procedurë të përshpejtuar gjë që nuk po ndodhë.
Pensionistët, me këto pensione që janë më të vogla se ndihma sociale, mbijetesën e kanë aventurë, vdekjen e dinjitetshme e kanë ëndërr. Përveç ketrajtimit që iu bëhet përmes detyrimit të lajmërohen në çdo 6 muaj për të dëshmuar se janë gjallë, tash pensionistët e Kosovës, nga Qeveria Kurti 2, po sulmohet me uri, shërbime shëndetësore të tmerrshme, terrorizim nga përmbaruesit dhe pamundësi të blejnë barërat elementare për sëmundjet e tyre. Solidarizimi i shoqërisë ndaj pensionistëve ka rënë në pikën zero prandaj edhe qeveria e administruar nga Kurti po e shfrytëzon këtë mundësi për të keqtrajtuar pensionistët materialisht.
Para 4 ditësh u shënua Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njariut me ç’rast Kosova, institucioneve “përgjegjëse“ rikonfirmoi vullnetin e përparimit të të drejtave të njeriut hiç këtu pensionistët që nuk i konsideron e as që i trajton si njerëz.
Pensionistët përkrahen dhe çështja e tyre aktualizohet vetëm gjatë fushatës zgjedhore për faktin se ata, bashkë me familje përbëjnë një trup të fuqishëm elektoral.
Për këtë arsye KMDLNj rekomandon pensionistët që në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që ato të mbahen të mendojnë mirë e mirë nëse do të votojnë.
Pensionistët, me ato mundësi që i kanë dhe nëse ua lejon shëndeti duhet të protestojnë jashtë dhe brenda Qeverisës së Kosovës për pozitën e mjerë që e kanë dhe të kërkojnë një pension të dinjitetshëm që i largon nga kontejnerët e plehrave dhe nga kërkimi lëmoshë apo punë të rënda fizike për të siguruar një ekzistencë nën çdo standard moral dhe ekzistencial.
Pika 1 e Nenit 25 të Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara shprehimisht thotë se: “Gjithkush ka të drejtë për një nivel jetese të mjaftueshëm i cili i përgjigjet shëndetit dhe jetës së përshtatshme si stij personalisht ashtu edhe familjes së tij, duke përfshirë ushqimin, veshmbathjen, banesën, kujdesin mjekësor dhe shërbimet e nevojshme sociale, si dhe të drejtën për të qenë i siguruar në rast sëmundjeje, papunësie, vejanie, pleqërie dhe raste të tjera të humbjeve për jetesë për shkak të rretanave të pavarura nga vullneti i tij ..”. KMDLNj pyet institucionet e Kosovës, cila prej të drejtave të Nenit 25 i ka pensionisti i Kosovës?
KMDLNj përkujton se këshilltari i Rozeta Hajdarit merr honorar ditor prej 900 eurove, sa 9 pensione minimale në Kosovë, këshilltari i Hajrulla Çekut merr rrogë mujore sa 50 pensione minimale në Kosovë dhe këshilltari i Donika Shvarcit merr rrogë mujore sa 75 pensione minimale në Kosovë ndërsa, nëse kësaj shume i shtohen biletat e udhëtimit, hoteteleve, reprezantacionit, shpenzimeve të paparashikueshme kjo shumë mbase e arrinë vlerën e më shumë se 140 pensioneve minimale në Kosovë. Turp dhe poshtërsi, thuhet në komunikatën për media e KMDLNj-së.