Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka njoftuar se Komanda e Forcës Tokësore për të nëntën herë me radhë, realizon trajnimin sfidues “Simboli i Ujkut”.
“Simboli i Ujkut” trajnim i dizajnuar për të përgatitur taktikisht ekipet e këmbësorisë për misione luftarake si dhe për të testuar shkathtësitë fizike dhe aftësitë taktike individuale të pjesëtarëve të FSK-së është një ndër trajnimet më sfiduese dhe më të rëndësishme të FSK-së.
Maqedonci në postimin e tij në Facebook ka thënë se edhe këtë vit, gjatë realizimit të detyrave në kuadër të trajnimit “Simboli i Ujkut 2023”, ushtarakët e FSK-së, pjesëmarrës në këtë trajnim, treguan përkushtim të lartë, vullnet të çeliktë dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm.
Duke qenë ndër personat përgjegjës të konceptimit dhe dizajnimit të këtij trajnimi, gjatë kohës sa kam shërbyer në uniformë, ndihem krenar dhe shumë i kënaqur për mbarëvajtjen dhe avancimin e këtij trajnimi ndër vite.
Forca e Sigurisë së Kosovës trajnohet dhe përgatitet për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe tërësinë territoriale të vendit tonë.