Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kurti bashkëbisedoi me gjeneratën e dytë të Programit për Diplomaci Qytetare

Dhj 28, 2023

I shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz dhe zëvendësministrja, Liza Gashi, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti dje në takim gjeneratën e dytë të Programit për Diplomaci Qytetare.

Në këtë bashkëbisedim me pjesëmarrësit, kryeministri Kurti theksoi se përvoja e këtij programi do të na shërbejë të gjithëve që të kemi sa më shumë suksese në afirmimin e Republikës së Kosovës, të drejtësisë dhe sukseseve të saj, por gjithashtu dhe në përmirësimin e imazhit tonë ndërkombëtar, ku rol të rëndësishëm luan dhe mërgata.

“Si në aspektin akademik e të ndërmarrësisë, po ashtu edhe në atë kulturor e shoqëror. Andaj jemi këtu për t’i ndihmuar njëri tjetrit, në mënyrë që Programi për Diplomaci Qytetare të jetë nga viti në vit gjithnjë e me suksese më të mëdha, me të arritura të reja”, shtoi kryeministri.

Ai potencoi dhe mbështetjen e vazhdueshme e të palëkundur të qeverisë ndaj këtij programi e pjesëmarrësve të tij.

“E bashkatdhetarët tanë ne nuk i shohim në një raport le të themi që lëkundet midis nostalgjikes edhe folklorikes, por i shohim si pjesë vitale e kombit shqiptar, si shans i madh për vendin tonë, qoftë në kuptimin e progresit socio-ekonomik, po ashtu edhe atë të kulturës, të arsimit, dhe të diturisë, që ajo e ka në vendin ku është, e na nevojitet edhe këtu në vendin prej nga ata vijnë”, tha kryeministri Kurti.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministrja njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, shprehu kënaqësinë e saj të vazhdimit të programit dhe praninë e pjesëmarrësve kaq të përgatitur, bashkë me këtë dinamikë të jashtëzakonshme, e cila nga janari do vijojë dhe me zbatimin e projekteve të ndryshme, jo vetëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, por edhe në ministri të tjera.

Në vijim, kryeministri dëgjoi historitë, përvojat, sukseset dhe arsyet e aplikimit të pjesëmarrësve, pjesë e diasporës sonë në Gjermani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e më gjerë, të diplomuar në art, kulturë, politikë të jashtme e të tjera.

Ne e çmojmë shumë vullnetin e tyre për të kontribuar për vendin dhe sjellur këtu përvojën e akumuluar.

Kujtojmë se ky program synon të forcojë lidhjen e diasporës me institucionet e Republikës së Kosovës, duke u krijuar atyre mundësi që të përfshihen drejtpërdrejt në institucionet publike në vendin tonë përmes angazhimit profesional, sjelljes së përvojës së tyre dhe kontributit, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.

 

Mirëmbrëma të gjithëve e faleminderit shumë që e keni ndarë kohën të gjithë për këtë bashkëbisedim të hapur, në një kohë të rëndësishme për Kosovën, për shkak se viti 2024 është viti kur qeverisja aktuale e ka vitin e fundit të mandatit, por në të njëjtën kohë edhe priten të arritura dhe rezultate të reja. Si në aspektin e brendshëm shtetëror, po ashtu dhe në atë të jashtëm ndërkombëtar.

Ne e kemi përvojën me ata të cilët kanë qenë para juve, por kanë qenë më pak se gjysma e juaj për nga numri, andaj dhe besoj se kjo do të na shërbejë edhe juve edhe neve që të kemi sa më shumë suksese në afirmimin e Republikës së Kosovës, të drejtësisë edhe të sukseseve të saj, por gjithashtu edhe në përmirësimin e vazhdueshëm të imazhit tonë ndërkombëtar, ku rol të rëndësishëm luan mërgata jonë, bashkatdhetarët tanë, prej nga vini dhe ju. Si në aspektin akademik e të ndërmarrësisë, po ashtu edhe në atë kulturor e shoqëror. Andaj jemi këtu për t’i ndihmuar njëri tjetrit, në mënyrë që Programi për Diplomaci Qytetare të jetë nga viti në vit gjithnjë e me suksese më të mëdha, me të arritura të reja.

Prandaj, ne llogarisim në juve e plotësisht ngjashëm llogaritni edhe ju në neve. Unë jam bashkë me zëvendësen time, Donika Gërvalla Schwarz, që është njëkohësisht edhe ministre e Punëve të Jashtme, edhe me Liza Gashin e cila është zëvendësministre e Punëve të Jashtme, edhe e cila e njeh tejet mirë mërgatën tonë apo diasporën tonë. Unë nuk njoh njeri që e njeh më mirë mërgatën tonë se Liza, ndoshta ka, por unë nuk njoh, andaj edhe nga pozita e kryeministrit, e kemi ndihmuar Lizën me krejt çfarë kemi ditur e kemi mundur. Por në anën tjetër edhe ajo e ka ndihmu shumë qeverisjen, në mënyrë që në politikën tonë të jashtme të lidhemi sa më mirë dhe ngushtë me bashkatdhetarët tanë.

E bashkatdhetarët tanë ne nuk i shohim në një raport le të themi që lëkundet midis nostalgjikes edhe folklorikes, por i shohim si pjesë vitale e kombit shqiptar, si shans i madh për vendin tonë, qoftë në kuptimin e progresit socio-ekonomik, po ashtu edhe atë të kulturës, të arsimit, dhe të diturisë, që ajo e ka në vendin ku është, e na nevojitet edhe këtu në vendin prej nga ata vijnë. Unë nuk po e zgjas më shumë për shkak se jam i interesuar të dëgjoj pak më shumë prej juve, çka mendoni se ju mund të na thoni që ne të bëjmë bashkërisht, edhe më mirë, edhe më shumë.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM