Përmes zbatimit të mësimit dual, MAShTI synon lidhjen e arsimit me ekonominë, në mënyrë që kërkesat e ndërmarrjeve për punetorë të kualifikuar, të ndërlidhen me përgatitjen e nxënësve për punë.
Mësimi dual nënkupton aftësimin e nxënësve në ndërmarrje, ku krahas mësimit teorik atyre u mundësohet që të zbatojnë në praktikë njohuritë e fituara, duke kaluar 51 për qind të kohës në vend të punës dhe 49 për qind në shkollë.
Vitin e kaluar për herë të parë ka filluar mësimi dual në 4 shkolla profesionale, me 4 profile, në 3 komuna të ndryshme. Falë rezultateve pozitive nga viti i kaluar, këtë vit shkollor është zgjeruar zbatimi i mësimit dual edhe me 8 profile të reja, duke çuar në 12 profile zbatimin e mësimit në praktikë, në 21 shkolla profesionale, në 14 komuna të Republikës së Kosovës.
Nxënësit të cilët janë të angazhuar në ndërmarrje kanë kontrata të cilat mundësojnë pagesë për punën e tyre, ku krahas zhvillimit të shkathtësive në aspektin praktik përfitojnë edhe materialisht për punën e kryer, thuhet në postimin në Facebook të MAShTI-t.