Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në prag të Vitit të Ri, vizitoi Stacionin Policor Qendër.
Presidentja Osmani shprehu vlerësim të thellë për angazhimin profesional dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të Policisë së Kosovës në mbrojtjen e sovranitetit të shtetit gjatë një viti sfidues për sigurinë kombëtare, përfshirë edhe në ndërrimin e motmoteve, larg familjeve të tyre.
Presidentja përkujtoi edhe Heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili ra fli në mbrojtje të rendit, ligjit, integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë, si dhe në mbrojtje të dinjitetit të Republikës sonë.
Gjatë vizitës, Presidentja u informua edhe me dinamikat dhe aktivitetet e përditshme të Stacionit Policor Qendër dhe përgatitjet për ndërimin e moteve. Presidentja Osmani i inkurajoi të vazhdojnë me të njëjtën devotshmëri dhe integritet në shërbimin ndaj qytetarëve.
Duke uruar një Vit të Ri të mbarë, presidentja Osmani potencoi se puna e Policisë së Kosovës është thelbësore për mirëqenien dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të Republikës, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Presidentes.