Në tekstin shkollor të psikologjisë së klasës së 11-të, mes tjerash shkruan edhe se “truri i mashkullit është për të bërë dhe ai i femrës për të folur”.
Nuk përfundon me kaq. Për mashkullin, sipas këtij teksti shkollor, është më e rëndomtë që të jetë më garues, dominues dhe ngulmues, e për femrat më e rëndomtë që të jenë më anksioze, të depresuara, të kenë vetëbesim paksa më të ulët dhe të përfshihen në agresivitet verbal indirekt (p.sh., shpërndarje thashethemesh të paqena).
Sociologia Sibel Halimi, konsideron se vajzat dhe djemtë që nga tekstet shkollore i nënshtrohen një edukimi tradicional, ku rolet e tyre janë të ndara në bazë të seksit.
“Këta fëmijë që nga klasa e parë, veçanërisht vajzat nuk mund ta ndiejnë barazinë, sepse janë tekstet shkollore që legjitimojnë dhe e favorizojnë një narracion të tillë, sipas të cilit, të qenët djalë në këtë vend është përparësi biologjike”, thotë ajo.
Halimi shtoi se që nga tekstet shkollore, gjinisë mashkullore u jepet përparësi që ata ta kenë pushtetin, qoftë edhe mbi trupin e vajzave dhe grave.
Por Trina Binaku, zyrtare monitoruese në Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (Youth Initiative for Human Rights – YIHR), pohon se jo vetëm teksti shkollor i psikologjisë, por shumë tekste shkollore parauniversitare në Kosovë përmbajnë gjuhë diskriminuese.
“Përveç që nuk kanë bazë shkencore, këto tekste krijojnë ide se gratë/ vajzat dhe burrat/djemtë janë biologjikisht të pabarabartë, kur në fakt ata vetëm mësohen për t’iu përshtatur roleve shoqërore që posedojnë”, thotë ajo.
Me donacionin e USAID (Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar), organizatë ku punon Binaku, nga gushti i vitit të kaluar ka rishikuar tekstet parauniversitare, në kuadër të një projekti që mbikëqyret nga ATRC (Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim), e i cili zhvillohet në kuadër të Programit Angazhimi për Barazi (E4E).
Pikënisje për projektin “Pjesëmarrja e të rinjve në edukim gjithëpërfshirës” ishte ndikimi i sistemit të edukimit te të rinjtë/rejat, sidomos në formësim të karakterit të tyre si dhe pozitës së tyre në shoqëri. Me projekt synohej të trajtohen paragjykimet dhe stereotipet eventuale gjinore, patriarkale dhe raciste, në tekstet shkollore.
Sipas analizave të para, në librat shkollorë të historisë, psikologjisë, sociologjisë, biologjisë, por edhe lëndët tjera, janë vërejtur të dhëna jo të sakta, që ndikojnë në diskriminim të madh jo vetëm në baza gjinore, por edhe etnike.
“’Fakte’ që nuk kanë asnjë fusnotë, pra nuk tregojnë hulumtimet në të cilat bazohen, që natyrisht e vë në dyshim legjitimitetin e informatës. Janë përshkrime të bazuara në stereotipe seksiste dhe raciste, qasje të njëanshme mbi periudha të caktuara historike, duke mos ofruar informata të plota… Ka edhe shumë problematika të tjera”, thotë Binaku.
Në librin e historisë se klasës së 11, për shembull, shkruan se “vetëm gjatë muajve të bombardimit të NATO-së, ushtria serbe vrau rreth 15,000 shqiptarë, në mesin e tyre kishte edhe shumë fëmijë, gra e pleq”. Nga hulumtimi i YIHR, vërehet mospërfshirja e viktimave të komuniteteve të tjera.
Binaku thotë se informata është e pasaktë. Sipas saj, informatat e vetme të bazuara në hulumtim janë nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
“Kjo organizatë me punën e tyre të palodhshme në terren kanë identifikuar rreth 13,000 viktima, ku vetëm rreth 10,000 prej tyre janë nga komuniteti shqiptar, të tjerat i takojnë komuniteteve tjera që jetojnë në Kosovë si komuniteti serb, rom, egjiptian, ashkali dhe të tjerë”, shtoi ajo.
Sipas informatave që i ka mbledhur Fondi për të Drejtën Humanitare, nga viti 1998-2000 janë të vrarë, të zhdukur dhe të rënë 13,548 persona, prej të cilëve 10,820 shqiptarë, 2,199 serbë dhe 529 persona me përkatësi etnike tjetër.
Avdi Gjata, profesor i historisë në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, konsideron se historiografia jonë është prapa në shkrim dhe hulumtim. Sipas tij, kjo ngecje dhe mosarritje e përcaktimit real të këtyre problemeve është rezultat i mungesës së strukturës së njohësve të kësaj fushe.
“Me anë të hulumtimeve, këto tekste shkollore është mirë të ndërrohen dhe të bëhen ndryshime, duke filluar nga kohërat më të vjetra”, thotë Gjata.
Dukagjin Pupovci, drejtor ekzekutiv në Kosova Education Center-KEC, thotë se tekstet shkollore kanë nevojë t’i përshtaten kurrikulës së re.
“Disa duhet të rishkruhen, në mënyrë që të jenë në përputhje me standardet për tekste shkollore, disa të tjera të rishikohen dhe të plotësohen. Është me rëndësi që secili tekst shkollor të kalojë nëpër një filtër të mirëfilltë, prandaj duhet të ndërpritet praktika e viteve të kaluara kur procedura prej shpalljes së konkursit deri te publikimi i tekstit kryhej për 4-5 muaj”, thotë ai.
Gjithashtu Pupovci thekson se është me rëndësi që tregu i teksteve shkollore të jetë i hapur për të gjitha shtëpitë botuese dhe të gjithë autorët, në mënyrë që nxënësve t’u ofrohen tekstet më të mira.
Binaku nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë shpreson se edhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë do t’i marrë seriozisht sygjerimet pas përfundimit të projektit në kuadër të të cilit po rishikohen tekstet parauniversitare se në tetor.
Përpjekjet e disahershme të KosovaLive për të marrë një përgjigje në lidhje me tekstet shkollore edhe nga resori përkatës i MASHT-it, mbetën të kota.
Njomza Berisha