A.G, tashmë nënë e 3 fëmijëve, ka treguar se abortimi i fëmijës së parë ka ardhur për shkak të hezitimit për të kryer kontrollat gjinekologjike. Për shkak të marrëdhënies që ka pasur jashtë martesës, pas rezultatit pozitiv të shtatzanisë, nga frika e paragjykimeve, kishte hezituar të shkojë tek gjinekologët, qoftë mashkull apo femër.
Pas martesës dhe mbështetjes që kishte marrë nga familja, fëmija i dytë kishte lindur i shëndetshëm. Këtë herë regullisht ka kryer kontrollat gjinekologjike. Ajo ka zgjedhur gjinekologe femër dhe shpjegon se pse.
“Pas humbjes të fëmijës së parë nuk kisha më ndonjë problem sepse i kam kryer kontrollat si duhet. Mirëpo këtë e kam bërë tek një gjinekologe femër sepse ndihem më rehat dhe mendoj se më kupton më mirë pasi edhe ajo vet është femër,” thotë A.G.
Ajo ka treguar se të gjitha kontrollat i ka kryer duke qenë në përcjellje të bashkëshortit gjatë gjithë kohës, që sipas saj, ishte gjithmonë aty për ta mbështetur.
Dr. Drita Kabashi, gjinekologe-obstetre dhe onkologe, para katër viteve është kthyer nga Gjermania për të dhënë ndihmën si profesioniste, në Kosovë.
Ajo thotë se praktikon dhe preferon që gjatë vizitës të jenë të dy partnerët të pranishëm sepse është një siguri më e madhe për të dyja palët.
“Preferoj të jenë të dy partnerët sepse gjatë rekomandimeve kuptohen gjërat më mirë dhe kur janë dy persona e kanë më të lehtë të kujtojnë atë çfarë është diskutuar. Pastaj ka raste kur pacientes ndoshta duhet kumtuar një lajm më i hidhur dhe e ka më të vështirë ta përballojë e vetme”, thotë Kabashi.
Sipas doktoreshës Drita, kontrollat gjinekologjike nuk janë një nga përvojat me të pëlqyeshme në jetën e një gruaje. Kontrolla e parë është më e vështira si për pacientin ashtu edhe për mjekun. Kjo për arsye se fobitë dhe pyetjet drejtuar mjekut janë të shumta, e mjeku më së shpeshti është femër, që për hir të punës duhet të kontrollojë në pjesët intime.
“Të zhvishesh para një gruaje është më pak e sikletshme dhe me këtë lloj ndjesie mësohesh, mirëpo nuk do të thotë se duhet ngurruar për të shkuar tek një mjek i gjinisë mashkullore. Burri nuk e di se ç’do të thotë të lindësh apo të kesh shqetësime femërore, dhe ndoshta pikërisht për këtë shkak mund të ketë më tepër kujdes teksa viziton një femër“, tha Kabashi.
Ajo gjithashtu ka thënë se raporti miqësor i krijuar me pacienten është shumë i rëndësishëm qoftë mjeku i gjinisë femrërore apo mashkullore. Kjo sepse mënyra e sjelljes, pritjes, biseda e parë dhe krijimi i këtij raportit me pacientët ndikon shumë në psikologjinë e tyre dhe ndihmon më pastaj edhe gjatë ekzaminimit gjinekologjik.
“Është shumë me rëndësi ky raport sepse pacientja kur ka besim në ty pranon këshillat, ndihet lirshëm, duke ardhur deri te intervenimi. Kam pasur raste kur kanë ardhur gra të martuara me vite dhe që nuk kanë guxuar të kenë marrëdhënie, por pas këtij raporti dhe shumë keshillave kanë pasur sukses”, u shpreh ajo.
Anita Nikaj, studente e gazetarisë, konsideron se femrat, sidomos të moshës më të re apo të pamartuara, hezitojnë më shumë për të shkuar tek mjeku ,sidomos tek mjeku i gjinisë së kundër. Ajo tregon disa nga arsyet.
“Është mungesë e informimit të cilin nuk ia ofrojnë as prindërit e as programet shkollore, sepse të shkosh tek gjinekologu ende cilësohet tabu. I vetmi rast kur nuk nuk mendojnë a duhet të shkojnë është atëherë kur e kanë gjendjen shëndetësore më të rrezikuar dhe nuk kanë zgjidhje tjeter”, u shpreh Nikaj.
Leutrim Sahiti, sociolog dhe politolog, konsideron se hezitime të tilla dhe të përcaktuara në bazë të gjinisë, për kontrolla mjekësore mund te ekzistojnë për shkak të mentalitetit patriarkal që ende shfaqet në shoqërinë tone, por edhe për arsye tjera.
“Numri më i madh i femrave që kërkojnë kontrolla nga femrat janë ato që praktikojnë ritualet fetare islame si dhe gratë që vijnë nga viset më rurale, ku ende ekziston mentaliteti patriarkal. Mirëpo, kjo nuk ka të bëjë vetëm me mentalitetin sepse është edhe zgjedhje e tyre se ku ato dëshirojnë të kontrollohen. Një kërkesë e tillë tani është shtuar pasi që ka më shumë gjinekologe dhe klinika që ofrojnë shërbime nga femrat”, ka thënë Sahiti.
Ai thekson se kjo dukuri është shfaqur tash vonë sepse në vitet e paraluftës, kur ka pasur një numër shumë të vogël të gjinekologeve të gjinisë femërore, gratë kanë qenë të detyruara të bëjnë kontrolla tek meshkujt apo në disa raste duke hezituar të kontrollohen tek mjeku kanë zgjedhur që të lindin në shtëpi
Suzana Ferati, 44 vjeçare e cila tash e njëzet vite punon si mami në Ferizaj, thotë se puna e saj ka bërë që të jetë prezente në raste të ndryshme. Ajo ka thënë se shumicës dërrmuese nuk është që ju pengon të kontrollohen tek doktorët meshkuj kur kanë raste urgjente, por raste specifike edhe nuk pranojnë të kontrollohen.
“Gjatë lindjeve në sallë gjendem së bashku me gjinekologun, neatologun dhe motrën pediatrike. Zakonisht një numër i femrave, e sidomos ato që janë të mbuluara sipas fesë, ngurrojnë të lindin para doktorëve meshkuj. Mirëpo, nuk përjashtohen edhe rastet që nuk kundërshtojnë të lindin apo kontrollohen pa marrë parasysh nëse mjeku është femër apo mashkull”, thotë Ferati.
Gjinekologu Afrim Aliu thotë se ndonjëherë mund ta vërejë hezitimin e femrave për kontrollë, mirëpo një komunikim i mirë dhe besimi që fiton pacienti ndaj teje e mundfrikën apo ngurrimin.
“Jo vetëm femrat hezitojnë të kontrollohen tek gjinia mashkullore sepse ka raste kur kolegët tregojnë se edhe vetë meshkujt e kanë të vështirë të kontrollohen tek gjinia femërore tek pjesët më intime të trupit, por një komunikim dhe infromim i mirë do i kalonte këto pengesa”, u shpreh Aliu.
Sipas statistikave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për vitin 2015, në të gjitha spitalet publike janë kryer 22,804 lindje. 6,218 lindje janë kryer me operim, ndërsa 16,586 lindje janë kryer në mënyrë normale.
Doruntina Stojkaj