Build Skills with our trainings

Sign up now!

Nxënësit po vazhdojnë mësimin në distancë, por a po arrihet niveli i duhur i arsimimit?

Pri 5, 2021

Sistemi i edukimit në Kosovë tash më shumë se kurrë është vënë përballë sfidës së të qenit efektiv. Situata aktuale me pandemi ka kufizuar shumë aktivitete të përditshme, e ndër to radhitet edhe mësimi në shkolla. Si pasojë, shumë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme në Mitrovicë, e jo vetëm, u ballafaquan me një situatë të re me të cilën nuk ishin ballafaquar më parë – të mësuarit përmes internetit.  

Vlera Haziri, nxënëse e klasës së dymbëdhjetë në shkollën e mesme “Frang Bardhi” në Mitrovicë çdo ditë të shkollës është zgjuar në mëngjes herët, pasi është kthjellur mirë ka hapur laptopin përpara dhe ka filluar me vijimin e mësimit të asaj dite. Vlera tregon se gjatë mësimit online ka kaluar mirë. Ajo gjithashtu shprehet e kënaqur me punën që kanë bërë profesorët pasi që, sipas saj, ata janë munduar që ta bëjnë më të lehtë të gjithë procesin e punës përmes detyrave dhe seminareve në platformën Zoom. 

Edhe mësimdhënësja e shkollës “Hasan Prishtina” në Mitrovicë, Almira Nallbani tregon se pjesëmarrja e nxënësve të kësaj shkolle në ligjeratat e mësimit online ka qenë e kënaqshme. 

“Normalisht që sfidat kanë qenë të paevitueshme sepse ka qenë një formë e mësimit jo e praktikuar më parë, që nga mënyra e organizimit, mënyra e qasjes, mungesa e internetit dhe mungesa e pajisjeve elektronike. Mirëpo, pavarësisht këtyre sfidave, interesimi ka qenë mjaft i madh,” tha ajo. 

Megjithatë, Haziri tregon për vështirësitë që ka pasur gjatë mësimit online.

“Një nga vështirësitë kryesore që kam pasur është mënyra e të shprehurit lirshëm gjatë zhvillimit të mësimit. Nganjëherë problem ka qenë edhe mungesa e rrymës,” tregoi ajo.

Kurse nxënësja e Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Xheladin Doda” në Vushtrri, Drita Dibrani, e tregon edhe një problem tjetër që atë e ka penguar gjatë mësimit. 

“Përpos që ka pasur mungesa në zhvillim të orëve si pasojë e mungesës së disa arsimtarëve, ka pasë raste kur kemi mbajtur mësim në orë të vona, 21:00-22:00 të natës, e kjo për mua ka qenë problem dhe nuk më është dukur hiç e përshtashme për të mbajtur mësim aq vonë”, shprehet Dibrani, teksa shpaloste sfidat që ka pasur. 

Vetë Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë për vitet 2017-2020 thekson se “sigurimi i cilësisë është një ndër pikat më të dobëta të arsimit parauniversitar në Kosovë”. Pikërisht për këtë arsye, në vitin 2015 Kosova për herë të parë kishte hartuar Strategjinë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar 2016-2021, ku një nga pikësynimet më kryesore ishte reformimi i procesit të mësimdhënies për një mësimdhënie moderne, mirëpo një situatë e tillë e mësimit online, normalisht, nuk ishte menduar se si të menaxhohet. 

“Mësimi online për shumë nxënës ka qenë ide e mirë për një periudhë të shkurtër kohore kur nuk kanë pasur mundësi të shkojnë në shkollë, por shumë shpejt kjo mundësi u shndërrua në rutinë shumë të sfidueshme”, thotë nxënësja tjetër e Gjimnazit “Frang Bardhi” të Mitrovicës, Laureta Jonuzi.

Në momentin kur u konfirmua se kishin filluar përgatitjet për mësim përmes platformave online, shumë nxënës filluan të shqetësoheshin për mënyrën se si do të realizohej ky lloj i mësimit. Ishte situatë e re për ta, diçka që nuk kishin pasur rastin ta përjetojnë asnjëherë më parë. Përkrah mundësisë së mirë që nxënësit të mos humbasin mësimin, erdhën edhe sfidat e ndryshme të ballafaqimit me këtë situatë.

Për Shkurta Halitin, një tjetër nxënëse e shkollës së mesme “Frang Bardhi” në Mitrovicë ka qenë problem orari i mbajtjes së mësimit pasiqë e ka penguar që të koncentrohet si pasojë e ndryshimeve në orar. 

“Mënyra e mbajtjes së mësimit online ka qenë pak më e vështirë pasi nuk ishte njëjtë siç ishim mësuar të mbajmë mësim në shkollë. Një orë kemi mbajtur mësim, pastaj dy-tri orë nuk kemi mbajtur e kështu nuk kam pasë kohë as që t’i përsëris mësimet e ditës,” u shpreh ajo.

Për të realizuar mësimin u përdorën platforma të ndryshme, si aplikacionet Zoom, Viber, Google Meet e shumë të tjera. Ndërsa në një raport të publikuar nga Drejtoria Komunale e Arsimit e Gjilanit, tregohet se nga 1225 nxënës të anketuar, 77.45% e tyre u deklaruan të kënaqur me materialet mësimore të transmetuara në RTK dhe të shfaqura në kanalin youtube nga MASH-i, në krahasim me 22.55% e tyre që ishin të pakënaqur me punën e institucioneve shtetërore, në këtë rast të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në raport me mësimin online.

Në komunën e Gjilanit, mësimi është realizuar edhe përmes platformës “Mësojmë nga Shtëpia”, e dalur nga DKA në Gjilan, si dhe përmes kanalit televiziv publik në RTK. 

Prej të gjeturave kryesore të këtij hulumtimi ishte se nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit janë të kënaqur me mësimin online përmes platformës digjitale “Mësojmë nga Shtëpia” e lansuar nga DKA, dhe kjo u konfirmua nga 95.3% e nxënësve, 94.5% e prindërve dhe 97.6% e mësimdhënësve.

Sidoqoftë, para se të shfaqej sfida e mësimit online, mjetet digjitale dhe platformat ishin përdorur rrallë në shkolla. Kështu raportohet edhe në një hulumtim të publikuar së fundmi, ku ndër të tjera tregohet se në 65% të rasteve ato ishin përdorur rrallë (një herë në dy javë ose një herë në muaj) ose nuk janë përdorur aspak gjatë mësimit të rregullt. 

“Para krizës nuk përdorej asnjë mjet. Tek ne në shkollë kishim vetëm një mësimdhënës që përdorte online teste,” u shpreh një mësimdhënëse, 43 vjeç. 

Mirëpo sa shumë punë u bë për të pasur sukses gjatë mësimit online? Ky hulumtim raporton se përkundër faktit se mësimi në distancë u zhvillua nga shtëpia, 42% e nxënësve besojnë se u kanë kushtuar më shumë ose shumë më tepër kohë obligimeve shkollore krahasuar me më parë, 33% besojnë se i kanë kushtuar të njëjtën kohë, dhe 25% që i kanë kushtuar më pak ose shumë më pak kohë. Nga ana tjetër, kjo situatë te mësimdhënësit është më ekstreme, ku 74% e të anketuarve deklaruan se me një model të tillë mësimor, përgjegjësitë e tyre të punës janë rritur.  

Një problem tjetër që nuk kaloi pa u diskutuar gjatë tërë këtij procesi ishte edhe mënyra e vlerësimit të nxënësve, e drejtë kjo që kërkohej të përmbushej me korrektësi. Edhe për këtë ishte kujdesur Ministria e Arsimit dhe Shkencës duke shpërndarë një udhëzues për vlerësimin e nxënësve gjatë mësimit në distancë. Ky dokument nuk ka ofruar zgjidhje të gatshme për vlerësim por ka shërbyer si udhërrëfyes dhe si burim i ideve duke marrë parasysh edhe rrethanat e krijuara.

Në këtë udhëzues tregohet se duhet të vlerësohej ajo çka ishte thelbësore në procesin e të nxënit, e cila ndahej në dy faza: vlerësimi formues dhe vlerësimi në distancë. Gjatë fazës së vlerësimit formues, mësimdhënësit/et marrin parasysh ushtrimet kontrolluese, pyetjet, esetë, detyrat hulumtuese dhe debatet e zhvilluara. Pra, mirrej parasysh aktiviteti i nxënësve.

Ndërsa në vlerësimin perfundimtar, nota përfundimtare nuk duhej të ishte më e ulët se nota ekzistuese e datës 11 mars, kur edhe është ndërprerë mësimi në shkollë. 

Duke qenë se i gjithë ky proces mund të ketë ndikim të madh psikologjik edhe të nxënësit, kujdes të madh iu kushtua edhe mirëqenies së tyre, me ç’rast në udhëzues thuhet se “theksi duhet të vihet në mirëqenien e nxënësve dhe më shumë në nxitjen për të mësuar, sesa në vlerësimin e asaj se çfarë kanë mësuar.”

Kështu, Laureta Jonuzi tregon se si ka shkuar procesi i vlerësimit në shkollën e saj.

“Mësimdhënësit janë munduar të na japin notën më të mirë që e meritojmë. Na kanë vlerësuar duke marrë për bazë faktin se sa kemi qenë prezent në mësime dhe aktivitetin. Ata nxënës që nuk kanë qenë shumë prezentë kanë marrë minusa dhe iu është ulur nota”, shprehet ajo.

Tutje, për të pasur qasje në mësim online, nga mësimdhënësit dhe nxënësit nevojitej sadopak njohuri në teknologji, që për disa mësimdhënës ka qenë sfiduese. 

Drejtoresha e shkollës “Jashar Begu” në Mitrovicë, Elmaze Mustafa Hasani, tregon se nxënësit e kësaj shkolle janë angazhuar shumë në mësim dhe fatbardhësisht kanë ditur si t’i përdorin platformat online, ku edhe takimet si drejtoreshë ajo i mbante në platformën Zoom. Ajo tregon se komuna  ka ndarë katër laptopë për katër nxënës të kësaj shkolle. 

Tash që ka filluar mësimi brenda objekteve të shkollës, Hasani tregon se rregullat po respektohen totalisht.

“Nxënësit po i respektojnë masat shumë në shkollën tonë, njëjtë edhe mësimdhënësit që po e mbajnë distancën me ta. Mësimi po mbahet në skenarin A”, tregoi ajo.

Në lidhje me organizimin e mësimit për vitin shkollor 2020/21 Ministria e Arsimit dhe Shkencës shpërndau edhe një udhëzues, ku janë publikuar tre skenare. Skenari A përfshin mësimin në objekte shkollore duke marrë parasysh të gjitha rregullat dhe masat parandaluese të përhapjes së pandemisë, skenari B nënkupton një kombinim mes mësimit në objekte shkollore dhe mësimit online, ndërkaq skenari C, që akoma nuk është praktikuar nga asnjë shkollë në Kosovë, nënkupton vazhdimin e mësimit nga shtëpia përmes E-mësimit. 

Për njohësin e sistemit të arsimit, Petrit Tahiri, i cili është edhe menaxher i projekteve në Qendrën për Arsim e Kosovës (KEC), mbyllja totale na ka zënë shumë të papërgatitur, e sidomos sistemin arsimor. Sidoqoftë, ai e vlerëson shumë faktin se të paktën mësimi online ka ndodhur, me të gjitha defektet që mund ta kenë përcjellë këtë proces.  

Ai sfidat e mësimit online i ndanë në dy kategori.

“Në bazë të kontakteve që kam pasur me shkollat, mund t’ju them që sfidat mund t’i klasifikojmë në dy fusha, e që janë sfidat për qasje në mësimin online – mungesa e pajisjeve elektronike (laptop, PC, tablet apo telefon) për t’u qasur në mësim online; mungesa e sinjalit të RTK (për mësimet që janë dhënë përmes TV); shkathtësitë dhe njohuritë për përdorimin e platformave nga ana e mësimdhënësve; dhe, së dyti përmbajtja e ofruar gjatë mësimit online, që nënkupton që gjatë kësaj periudhe ka pasur humbje mësimore”.

Për ta bërë sa më të qartë, termi “humbje e të mësuarit” i referohet çdo humbjeje specifike ose të përgjithshme të njohurive dhe aftësive, ose përmbysjeve në progresin akademik, kryesisht për shkak të boshllëqeve të zgjatura shumë ose ndërprerjeve në arsimimin e një studenti. Prej mënyrave më të shpeshta nga mund të krijohet kjo “humbje mësimore” janë pushimi veror, mungesa në shkollë e orari i papërshtatshëm, mirëpo në këto kushte pandemie si shkak i kësaj “humbjeje të të mësuarit” medoemos kualifikohet procesi i mësimit online.  

Qendra për Arsim e Kosovës që nga muaji mars ka zhvilluar aktivitete me shkollat, duke përfshirë trajnimin e mësimdhënësve, aktivitete të ndryshme me nxënësit, mbajtja e shumë ligjëratave dhe sesioneve tjera informuese, pajisjen e shkollave me pajisje të ndryshme për të lehtësuar procesin mësimor, shpërndarjen e pakove ushqimore dhe didaktike për shumë nxënës. 

Petrit Tahiri bën të ditur se kur flasim për procesin e organizimit të mësimit, nuk ka parë dallime mes Kosovës dhe shteteve të tjera. 

“Shumica e shteteve të Ballkanit kanë preferuar transmetimin e mësimeve përmes TV publike dhe ofrimin e përkrahjes për nxënësit përmes platformave elektronike. Në vende tjera më të zhvilluara, ku kushtet e përgjithshme kanë mundësuar qasje më të lehtë, ka pasur diversifikim të mundësive për mësimin online, qofshin ato me përmbajtje në kohë reale (drejtpërdrejt) apo përmbajtje asinkrone përmes platformave të mësimit online,” thotë ai.

Ndryshe, në Analizën e Sistemit Arsimor në Kosovë tregohet se numri i institucioneve në arsimin parauniversitar në të gjitha nivelet në Kosovë është 1,114. Prej këtij numri, 952 janë shkolla të nivelit fillor (nga klasa e parë deri në klasën e pestë) dhe ato të nivelit të mesëm të ulët (klasa 6 deri 9). Në nivelin e mesëm të lartë (klasat 9 – 12) funksionojnë gjithsej 119 shkolla.

Alberta Hajdari

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM