Build Skills with our trainings

Sign up now!

Gjurmë brengosëse të diskriminimit të minoriteteve nëpër shkolla

Pri 5, 2021

Linda Hyseni, 19 vjeçare nga Fushë Kosova, pjesëtare e minoritetit ashkali, kur ishte vetëm 17 vjeç në shkollën e mesme e përjetoi diskriminimin për herë të parë nga profesorët e saj. Gjatë orës mësimore profesoresha e saj u drejtohet një grupi të fëmijëve ashkali me termin “magjup”, dhe duke iu thënë të largoheshin nga dritarja.

“U mendova të flisja apo mos të flisja, nuk doja që edhe nxënësit e tjerë të mësoheshin nga profesoresha ta thonin atë fjalë,” tregon Hyseni.

Edhe pse ishte në dilemë, ajo prapë kishte gjetur kurajon të ngritet dhe të pyet profesoreshën se pse iu tha të largoheshin kur ata nuk e penguan aspak procesin mësimor, por që përfundoi me largim të saj nga ora mësimore.

Dëshmitare edhe e disa rasteve tjera të raportuara të diskriminimit, Hyseni përfundon se diskriminimi ndaj kësaj kategorie ende është prezent.

“Unë mendoj që duhet të mos paragjykohemi, pa marrë parasysh komunitetin,” thotë Hyseni.

Edhe pse ne jemi të informuar për diskriminimin që ndodh në vendin tonë, ato duket se raportohen shumë pak në organet e rendit.

Në një komunikim përmes e-mail-it, Policia e Kosovës njoftoi se gjatë dy viteve të fundit kanë marrë jo më shumë se 15 raste ku raportohet diskriminimi në fusha të ndryshme. Nga zyra e informimit të Policisë së Kosovës tregojnë se rastet më të shpeshta të diskriminimit në vitin 2019 jane shfaqur gjatë muajit dhjetor dhe muajit mars, me nga dy raste, ndërsa pas tyre muaji janar, shkurt, gusht dhe shtator me nga një rast. 

Gjatë vitit 2020, më së shumti raste janë shfaqur në muajin qershor me gjithsej tre raste, pas tij është muaji maj me dy raste dhe muajt shkurt e mars me nga një rast. 

Erolina Latifi, 13 vjeçare, nxënëse e shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Daut Bogujevci”, tregon se si disa fëmijë të komunitetit ashkali kishin vijuar mësimin deri në klasën e pestë, por pastaj ishin përjashtuar nga shkolla.

“Që nga klasa e katërt, asnjëherë nuk ishin të rregullt në mësim. Duket se arsyeja ishte puna, pasi ata edhe punonin para dhe mbas mësimit,” shprehet ajo.

Latifi nuk pajtohet aspak me vendimin e shkollës për t’i përjashtuar ata. 

“Do të ishte më mirë të gjendej një zgjidhje, dhe të mos ishte largimi nga shkolla opsioni i vetëm.”

Agjencia e Statistikave të Kosovës në një anketë të publikuar më 2014 tregon se përqindja e fëmijëve të minoriteteve që hyjnë në klasë të parë është rreth 68.1%, ndërsa e atyre që vijojnë mësimin është 85.3%. Gjendja alarmante shihej tek fëmijët që vijojnë shkollën e mesme, ku përqindja është 30.3%, shifra këto që ishin shumë shqetësuese për komunitetin romë, ashkali dhe egjiptianë.

Sipas Zyrës për Çështje të Komuniteteve pjesëtarët e komunitetit romë ndjekin shkollimin në sistemin arsimor zyrtar. Edhe pse arsimimi zakonisht ofrohet në shqip, respektivisht në serbisht, në strukturat paralele të arsimit në Obiliq, Fushë Kosovë dhe në pjesën veriore të Mitrovicës ofrojnë edhe kurse në gjuhën rome.

Megjithatë, norma e ndjekjes së shkollimit nga fëmijët romë është më e ulët se te komunitetet e tjera, dhe kjo u atribuohet aspekteve kulturore dhe sociale të tilla si diskriminimi dhe vlera e ulët sociale që i jepet arsimimit nga disa pjesëtarë të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë, si dhe gjendjes së tyre të vështirë ekonomike.

Kron Gashi, nxënës i klasës së shtatë, në shkollën “Elena Gjika” në Prishtinë tregon se si komuniteti turk diskriminohet në disa raste nga vetë nxënësit. Ai ndër të tjera thotë se ata ndihen më inferiorë ndaj nxënësve të tjerë në oborrin e shkollës. 

Kroni tregon se si ata ishin duke luajtur në fushën e futbollit kur disa nxënës shqiptarë erdhën dhe i larguan nga fusha. Ata rezistuan dhe filluan të rrahen, deri sa erdhi një arsimtar dhe i ndau. Por ngacmuesit e arritën qëllimin, ata luajtën në fushë kurse pjesëtarët e komunitetit turk u larguan.

Gentina Jusufi, kordinatore e projekteve në Balkan Sunflowers Kosova, një organizatë kjo që kryesisht synon gjithëpërfshirjen në edukim, shëndetësi, kulturë dhe punësim, gjatë prononcimit për KosovaLive thotë se në Kosovë ka disa minoritete, situata e të cilëve ndryshon në mes veti. 

“Komunitetet që janë më pak të përfshirë në të gjitha fushat në Kosovë janë romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët. Nuk kemi ndonjë raport që specifikon se në cilën komunë ka më shumë diskriminim, mirëpo diskriminimi ekziston në gjithë Kosovën”.

Gentina është e mendimit sa sa i përket zvogëlimit të diskriminimin në shkollë, institucionet edukuese do të duhej t’i trajtonin të gjithë të barabartë.

“Shkollat, përfshirë personelin menaxhues dhe atë edukues, duhet së pari vet t’i trajtojnë të gjithë të barabartë, e të njejtën t’ua mësojnë edhe nxënësve. Diskriminimi në shkollë i humb vetëbesimin nxënësve, që pastaj ka pasoja gjatë shkollimit dhe në të ardhmën e tyre.”

Sipas një studimi “Muri Anti-Gjipsizëm” të organizatës ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave civile – Civil Rights Defenders, studim ky i fokusuar në Kosovë, viteve të fundit shumica e hisedarëve kanë vërejtur përmirësim sa i përket pozitës së këtyre tri komuniteteve brenda sistemit arsimor. Megjithatë, shumica e tyre ia atribuojnë këtë përmirësim përfshirjes së shoqërisë civile.

Në Gjilan dhe Mitrovicën e Veriut ekzistojnë edhe shkollat e ndara për komunitete, të cilat  janë nën administrimin e Ministrisë së Arsimit e Serbisë, ndërsa një tjetër shkollë e ndarë për minoritete në Gjakovë, që është nën administrimin e Minstrisë së Arsimit e Kosovës është ende objekt i një procesi gjyqësor kundrejt komunës.

Anila Gashi, studente në UBT konsideron se në krahasim me vitet e fundit të shekullit të kaluar, pjesëmarrja e minoriteteve në shkolla është rritur dukshëm, mirëpo ende nuk është arritur një stabilizim dhe një pasqyrë reale e pjesëmarrjes së minoriteteve në institucionet edukative-arsimore. 

“Mendoj se këtu duhet te praktikohet ‘diskriminimi pozitiv’ që nënkupton t’i japim përparësi më shumë minoriteteve që fëmijët të ndjehen më të integruar në shoqërinë tonë,” shtoi ajo.

Ajo e përmend rastin e një shfaqjeje ku ishte pjesëmarrëse, në shkollën “Ahmet Gashi”, të cilën e vijonte. Në atë shfaqje, mesazhi kryesor i së cilës ishte thirrja kundër diskriminimit të minoriteteve, ajo kishte dëgjuar fyerje në baza të përkatësisë nga një numër i vogël i nxënësve ndaj aktorit, pjesëtar i minoritetit.

Në një tjetër raport të publikuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tregohet se pjesëmarrja e pjesëtarëve të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë në sistemin e arsimit ka shënuar përparim të dukshëm në 17 vitet e fundit, veçanërisht në arsimin fillor (klasat 1-5) ku pjesëmarrja ka tejkaluar 85.4%. 

Megjithatë, krahasuar me mesataren e Kosovës, pjesëmarrja nuk është ende në nivel të kënaqshëm dhe shkon duke u zvogëluar dukshëm në nivelet më të larta të sistemit të arsimit. Kështu, në arsimin e mesëm të ulët (klasat 5-9) marrin pjesë vetëm 65% të fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptianë të grupmoshës 11-14 vjeç, ndërsa në arsimin e mesëm të lartë (klasat 9-12) pjesëmarrja e tyre zvogëlohet në 30.3%. 

Të dhënat flasin për një përfaqësim të barabartë gjinor në nivelin fillor, por gjendja përkeqësohet në nivelet më të larta të sistemit të arsimit.

Leonora Fazliu, studente e juridikut dhe aktiviste, thelbin e problemit e sheh tek izolimi i vendit.

“Diskriminimi si dukuri është shumë dinamik si pasojë e vendit mjaft të izoluar dhe ndryshimeve që ne i kemi në mes të njëri-tjetrit. Me qenë ndryshe është e drejtë e secilit, e të drejtat na mundësojnë një jetesë të dinjitetshme dhe të barabartë në shoqëri sepse ne jemi të gjithë njësoj dhe njësoj na u janë garantuar të drejtat. Të trajtuarit të barabartë është para se gjithash kulturë dhe respekt human.”

Leonora tregon edhe për “dënimin” që mund t’i bëhet atyre, që diskriminimin e shohin si armë. 

Sot ne përballemi me legjislacione që në thelb janë shumë të mira dhe proporcionale, madje edhe trajtimi jo i barabartë mund të shpie deri tek suspendimi apo edhe largimi nga puna/ shkolla atë që cënon të drejtën e gjithëpërfshirjes. Mendoj që nuk ka sanksion më të lartë sesa ai shoqëror dhe moral në raste të tilla.“

Ajo inkurajon të gjithë të raportojnë rastet te organet kompetente, duke theksuar se kur fillojmë të shohim tjetrin sikur veten, vetëm atëherë mund të themi se e kemi mposhtur diskriminimin.

Gresa Gashi, studente në vitin e katërt në Fakultetin Juridik, në një pronocim për KosovaLive, vë në pah një aspekt tjetër të diskriminimit, pasi ajo thotë se po të hysh në një klasë ku ka pjesëtarë të minoriteteve, ata mund t’i gjesh ulur në fund të klasës apo të veçuar nga shumica tjetër. Ajo shprehet se kjo gjë, ani pse në shikim të parë duket e vogël, ka peshë shumë të rëndë.

“Është e rëndë, për shkak se ky veprim shoqërohet edhe me veprime të tjera si nga ana e mësimdhënësve ashtu edhe e shoqërisë në klasë,” thotë Gashi.

Për Gashin, si studente e drejtësisë, e drejta për shkollim të qetë dhe me trajtim të barabartë të minoriteteve është e padiskutueshme, sepse një gjë e tillë garantohet me Ligjin mbi Arsimin Fillor dhe të Mesëm në Kosovë.

Mergime Jetishi, studente në Fakultetin e Arteve, e kujton shkollën fillore dhe rastin kur dallimi mes fëmijëve të komuniteteve pakicë nuk bëhej nga fëmijët, por nga vetë mësimdhënësit.

“E kujtoj një nxënëse të komuniteti rom, e cila u përgatit shumë në një lëndë, por mësuesja e humbi vëmendjen dhe e ndërpreu, vetëm pse dialekti i saj nuk ‘përkonte’ me një gjuhë të pastër dhe se pamja e saj krijonte konfuzitet dhe ishte jo e denjë për shkollë” shprehet Jetishi.

Në një raport të publikuar nga International Labour Organization – “Perspektivat e të rinjve rom, ashkalinj dhe egjiptianë mbi mundësitë dhe sfidat për punë të denjë në Kosovë”, thuhet se të rinjtë rom, ashkalinj dhe egjiptianë kanë motivim të paktë për t’u përfshirë ose bashkëpunuar me institucionet publike, në përgjithësi, dhe shërbimet publike të punësimit (ShPP) në veçanti për shkak të diskriminimit, neglizhencës, përjashtimit dhe korrupsionit të perceptuar apo të përjetuar në marrëdhënie me këto institucione.

Diskriminimi në bazë të racës, gjinisë, aftësisë së kufizuar ose karakteristikave të tjera të një personi është i ndaluar në arsim. Shumica e shkollave publike konsiderohen zgjatje të qeverisë, pasi ato drejtohen nga shtetet dhe zakonisht marrin fonde nga qeveria federale. Diskriminimi mund të ndodh gjatë pranimit dhe regjistrimit. Shkollat private që nuk marrin fonde federale (disa marrin) janë të lirë të diskriminojnë në pranim dhe regjistrim, përveç në fushën e racës. Por edhe disa shtete që ndalojnë diskriminimin në bazë të orientimit seksual, përfshirë Kaliforninë, nuk i përforcojnë këto mbrojtje në shkolla. Ngacmimi seksual është gjithashtu një formë diskriminimi, pasi diskriminon.

Ndërkaq, Komisioni Evropian shfaq të dhëna që argumentojnë se njerëzit në botë diskriminohen në mënyra të ndryshme, ku pesë përqind e tyre diskriminohen për shkak të moshës, e ndjekur me diskriminimet raciale ose origjinës etnike me tre përqind, pastaj diskriminimet fetare, paaftësi fizike dhe sëmundje mendore me dy përqind, dhe orientimi seksual me një përqind.

Hynor Vitija

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM