Gjiganti metalurgjik, “Ferronikeli”, që prodhon metalin gjysëmfabrikat të ferronikelit, konsiderohet njëri ndër ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Drenas.
Pos kësaj fabrike, në territorin e kësaj komune gjenden edhe gjashtë gurëthyes, po ashtu ndotës të ajrit, bashkë me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), që ka ndikim të madh në ndotjen e ajrit në këtë komunë, sidomos në periudhat kur fryejnë erëra.
Përpos matjeve nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës edhe “Ferronikeli” ka bërë monitorimin e emisioneve nga një kompani e jashtme e licencuar dhe i akredituar “Tehnolab” nga Shkupi.
Bekim Dobra, zëdhënës i komunës së Drenasit, tha se të dhënat për gjendjen e ajrit në këtë komunë zyrtarët e fabrikës së “Ferronikelit” i raportojnë Agjencisë Kosovare për Monitorimin e Mjedisit.
Në raportin për gjendjen e mjedisit në zonën e operimit të NewCoFeronikel të kësaj agjenciet për vitin 2015, thuhet se gjatë procesit të shkrirjes së xehes së feronikelit në këtë fabrikë lirohet sasi e madhe e pluhurit dhe gazrave (CO, CO2, SO2, NOx) të cilat kanë ndikim në mjedis dhe në shëndetin e njeriut.
Banorët e komunës së Drenasit, disa herë nëpërmjet protestave kanë shprehur pakënaqësitë e tyre kundër ndotjes së ajrit dhe kjo trysni i ka detyruar autoritetet në “Ferronikel” t’i vendosin filtrat për të penguar depërtimin e gazrave të rrezikshme në ajër, që lirohen gjatë procesit të shkrierjes së xehes.
Gani Qorri, banor i lagjes Qorri në afërsi të fabrikës së “Ferronikelit”, thotë se kjo ndotje lehtë vërehet në periudhën kur bie borë, sepse mbi shtresë të saj shihet sasia e pluhurit të liruar nga Shkritorja, por edhe gjatë thithjes së ajrit, kundërmon një erë e keqe.
Të dhënat e publikuara për vitin 2015 tregojnë se ka pasur tejkalime të grimcave PM10, nga vlera mesatare e lejuar 50µg/m3 (mikrogram për metër kub). Tejkalimet më të larta kanë qenë gjatë muajve janar 55.25µg/m3, mars 60.38µg/m3 ,prill 62.40µg/m3, dhe maj 55.71µg/m3.
Gjatë vitit 2016, në muajt janar, shkurt dhe mars ka pasur nga një ditë tejkalime të vlerave mesatare të lejuara të grimcave të suspenduara PM10 nga vlera mesatare e lejuar 50µg/m3. Gjatë muajit janar, vlera maksimale e mesatares ditore ishte 61µg/m3, kurse në muaji shkurt kjo vlerë ishte 79µg/m3. Në muajin mars vlera maksimale e mesatares ditore ka arritur 77µg/m3, ndërsa vlera mesatare mujore për këtë muaj është 55.6µg/m3, të dhëna këto të cilat tregojnë për ndotje të ajrit ne Drenas nga kjo fabrikë.
Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, nuk ka informacione të reja për gjendjen e ajrit për muajt e fundit mbi komunën e Drenasit.
Letafete Latifi udhëheqëse e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës thotë se stacionit në Drenas këto ditë është duke ‘’iu bërë servisi i rregullt vjetor’’ dhe nuk kanë qasje në datamemoriet e tyre që të marrim të dhënat e grumbulluara.
Zyrtarët e fabrikës, si përgjigje ndaj protestave të qytetarëve, kanë deklaruar se fabrika e ”Ferronikelit”i ka të instaluara sistemet e pastrimit në të gjitha oxhaqet, të cilat e filtrojnë pluhurin dhe gazrat që dalin nga fabrika. Sipas tyre “Feronikeli” nuk bën as ndotjen e ujit të lumit “Drenica”, “sepse në fabrikë, uji funksionon në qark të mbyllur, ftohet dhe përdoret për nevojat e ftohjes në Shkritore”.
Arif Krasniqi, drejtues i Partisë Ekologjike të Kosovës, theksoi se nuk është për t’u çuditur pse Drenasi përfshihet në këtë ndotje.
‘’Jo shumë kilometra në vijën ajrore, gjendet ndotësi më i madh i Kosovës, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe duke qenë se fryejnë erëra, Drenasi shpeshherë atakohet edhe nga kjo ndotje,” thotë Krasniqi.
Ai shtoi se u ka dërguar përgjegjësve letër-protestë, ku thuhet se nëse nuk ndërmerren masa urgjente për përmirësimin e kësaj gjendje, protestat do të radikalizohen.
Pas protestave të fundit vitin e kaluar, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka shqiptuar gjobë prej 5.ooo eurosh për ‘’Ferronikelin’’ për mosvendosjen e filtrave.
Puhiza Bekolli