Ndonëse një komunë me infrastrukturë mjaft të zhvilluar, sidomos në periudhën e pasluftës, edhe Skenderaj, ndoshta edhe më shumë se të tjerat, po përballet me zhvendosje të shumta të banorëve nga fshatrat drejt qytetit. Zyrtarët komunal thonë se edhe fshatrat kanë infrastrukturë mjaft bashkëkohore dhe ofrojnë kushte të mira jetese për banorët. Por ata nuk duket të jenë të kënaqur me jetën në fshat, dhe një jetë më të mirë po e kërkojnë në qytet.
Fshati dikur ishte vendbanim i familjeve të mëdha, që jetonin në harmoni dhe punonin të gjithë në mënyrë të barabartë për mirëqenien e saj. Kjo gjë ka ndryshuar me kalimin e kohës dhe fshati ka filluar të shndërrohet në vendbanim familjesh me një numër të vogël anëtarësh dhe jo me shumë angazhime në punët bujqësore.
Sevdije Zabeli, e cila ka jetuar në Rezallë deri para 13 viteve dhe është marrë me mjeljen e lopëve, prodhimet e qumështit, prej se është zhvendosur në qytet (Fushë Kosovë) nuk merret më me këto punë. Ajo tregon se jeta në fshat ka qenë më dinamike dhe se ka pasur më shumë angazhime përveç përkujdesjes për fëmijë dhe punëve të zakonshme të amvisërisë. Që nga zhvendosja në qytet, ajo iu kushton më shumë kohë fëmijëve dhe nuk ka angazhime tjera.
Ngjashëm shprehet edhe Sofie Zabeli (mbiemër i përhapur në të njëjtin fshat): familjarët e saj jetën e kanë më të lehtë në qytet, sepse nuk kanë nevojë për mjete të veçanta transporti pasi qendrën, marketet dhe shkollën e kanë afër.
“Shumë gjëra janë më ndryshe në qytet. Fëmijët mund të argëtohen në qendra që kanë edhe këndet për fëmijë dhe gjatë asaj kohe unë mund t`i blej gjërat e nevojshme për shtëpi dhe t`i kem fëmijët afër në të njejtën kohë. Këtë nuk mund ta bëja në fshat pasi gjithmonë duhej të kisha veturën dhe të endesha nëpër markete me fëmijët për dore ose ta angazhoja dikë të kujdesej për ta derisa të kthehesha në shtëpi,” thotë Sofia.
Ndryshime të mëdha në jetën e saj ka pasur edhe Vlora, e cila me të zhvendosur në qytet ka filluar studimet në Fakultetin e Edukimit dhe pas përfundimit ka filluar punën si mësuese në Fushë Kosovë. Po të kishin qëndruar në fshat, ajo thotë se nuk do të mund të studionte e aq më pak të gjente ndonjë punë.
Shehide Fazliu, familja e së cilës ka vendosur ta braktisë Kotorrin, thotë se jeta në fshat është e vështirë: fëmijët duhet të udhëtojnë çdo ditë në këmbë për në shkollë, nuk kanë as ndonjë market të vogël në fshat, e djemtë janë të detyruar të udhëtojnë çdo ditë për të shkuar në punë. Vendimin për largim e kanë marrë të gjithë së bashku, me shpresë see kjo do t’u ulte shpenzimet, ndërkohë që edhe fëmijët më shumë preferojnë qytetin.
Bazuar në regjistrimin e fundit të popullsisë së Skenderajt, të kryer më 2011, rreth 86.68% e popullsisë banonin në fshatra, ndërsa 13.31% në qytet. Edhe pse në mungesë të të dhënave më të përditësuara statistikore, Nazmi Istogu nga Zyra e Kadastrës në komunën e Skenderajt pohon se që nga viti 2011 është një hov i madh i zhvendosjeve, dhe se prej asaj kohe e këtej janë ndërtuar shumë objekte të reja banesore të cilat po mbushen çdo ditë e më shumë.
Sipas publikimit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në të cilin janë përfshirë edhe lëvizjet e brendshme të popullsisë (nga një komunë në tjetrën), vetëm vjet pati 8,972 lëvizje fshat-qytet.
Liridona Berisha