Fjolla Kastrati është 19 vjeçare e cila i ka mbijetuar sëmundjes së leukemisë. Në vitin 2017 kur iu paraqitën simptomat e para ajo nuk ishte në dijeni se çka po e priste. Temperaturë të lartë, lodhje, gjëndra në qafë dhe nën sqetulla e variçelë ishin simptomat që i paraprijnë sëmundjes së leukemisë.
“Vendosa të shkoja tek mjeku, dhe duke i bërë analizat, doli ajo që mjekët më së shumti i druheshin. Më 19 korrik të atij viti, unë u pranova në repartin e Hemato-Onkologjisë në Prishtinë, në këtë repart që unë u trajtova atje për rreth 9 muaj sot jam duke gëzuar shëndet të plotë”, thotë Kastrati.
Sëmundja e leukemisë vazhdon të mbetet në nivel të njejtë në vendin tonë. Këtë e pohon, Violeta Grajqevci, drejtoreshë e repartit të Hemato-Onkologjisë në Prishtinë.
“Brenda 10 viteve numri i rasteve në vit sillet prej 50 deri në 55 raste të reja, ky numër fatmirësisht nuk është rritë, ka disa vite që është 45,48,50,52, por rritje nuk ka për këto 10 vitet e fundit” , thotë Grajqevci.
Sipas doktoreshës së Repartit të Hemato-Onkologjisë, Arbana Zejnullahut, thotë se diagnostifikimi i hershëm i sëmundjeve të rënda sikurse edhe leukemia, rrit gjasat për të shpëtuar nga këto sëmundje.
“Analizat laboratorike janë parametra të cilat tregojnë nëse kemi të bëjmë me këtë sëmundje, po ashtu kur fëmija ka një zbehje shumë karakteristke molisje dhe dhimbje të trupit, ka temperaturë shumë të lartë, ftohje të përsëritshme, me një fjalë kanë probleme infektive, dyshojmë në leukemi, por edhe në disa raste të tjera kur fëmijëve ju shfaqen edhe disa shenja të vogla në trup që njihen si hematoma, dyshimi i parë që na vije është leukemia, e në rastet akoma më të jashtëzakonshme fëmija mund edhe të përfundojë me gjakderdhje përmes hundëve, nga mishrat e dhëmbëve dhe gengivat”, shton ajo.
Doktoresha e Repartit të Hemato-Onkologjisë, Arbana Zejnullahu shton se ka shumë raste kur të prekurit nga leukemia është dashur të largohen jashtë vendit, e disa nuk i kanë mbijetuar fare kësaj sëmundeje.
“Që nga fillimi, ky repart ka trajtuar 500 raste onkologjike, ndërkaq të prekur me leukemi janë 550 pacientë. Të gjithë fatkeqësisht nuk janë shëruar, disa është dashur të dërgohen jashtë vendit, disa janë shëruar edhe këtu, e disa të tjerë edhe kanë humbur jetën. Shumica e këtyre fëmijëve të prekur me sëmundjen e leukemisë shërohen, por ka disa raste që ne nuk i trajtojmë për arsye se nëse një pacient ka nevojë për transplant të palcës kockore duhet të dërgohet jashtë vendit pasi që tek ne ende nuk bëhet ky transplant”, shton ajo.
Organizata “Care for Kosova Kids” që nga viti 2014 e deri sot ndihmon dhe furnizon repartin e Hemato-Onkologjisë me mjetet më elementare, duke filluar nga makinat më të reja për larje, tharje dhe hekurosje.
Organizata tjetër që kontribuon në mënyrë të vazhdueshme në repartin e Hemato-Onkologjisë është edhe organizata “Cure 2 Children” me bazë në Firencë të Italisë, kjo organizatë që 10 vite ndihmon fëmijët e prekur me leukemi.
Koordinatorja e kësaj organizate në Kosovë, Leonora Leka Bajraktari tregon se si përvoja e saj personale kishte vazhduar me bashkëpunim me këtë organizatë.
“Inciativën për të punuar me këtë organizatë e kam marrë në vitin 2008, për t’i ndihmuar fëmijët e prekur me leukemi.… Pasi fillova bashkëpunimin mjekët e kësaj organizate erdhën nga Italia për të filluar trajtimin e parë të fëmijëve këtu në repartin e Hemato-Onkologjisë”, thotë Leka Bajraktari.
Sipas Violeta Grajqevcit, drejtoreshë në repartin e Hemato-Onkologjisë në QKUK, varësisht problemeve të pacientëve kërkohen edhe kushte speciale.
“Në përgjithësi kushtet janë të mira, janë të mjaftueshme për trajtimin e këtyre fëmijëve, por më shumë kemi nevojë për disa çështje që janë minimale, ku primare në këtë repart janë rezervat e dizinfektuesve”, thotë ajo.
Rol të rëndësishëm në shërimin, përkujdesjen dhe marrëdhëniet me fëmijët, luajnë edhe infermieret.
Minire Hyniler, infermiere në repartin e Hemato-Onkologjisë thotë se detyrat që i kanë në repart janë me përgjegjësi të shumta, dhe secila prej tyre i ka detyrat e ndara.
“Niveli i përkujdesjes në raport me ne si infermiere dhe fëmijëve të repartit bazohet edhe në kushtet që ne i kemi në repart ku kushtet deri më tani janë të mira, edhe mjetet që neve na nevojiten i kemi. ‘Care for Kosova Kids’ është njëra nga organizatat që neve si repart na furnizon edhe me barna e që është ndër gjërat më të rëndësishme në këtë repart”, shton ajo.
Por një vlerësim ndryshe ka Koalicioni i OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve të cilët e thonë të kundërtën. Sipas kësaj organizate në repartin pediatrik të Hemato-Onkologjisë nuk kanë mundur që t’i kryejnë të gjitha analizat e duhura për trajtimin e kësaj sëmundje për shkak të mungesës së mjeteve.
Në këtë repart është edhe psikologja, Fatime Zejnullahu e cila ndihmon fëmijët dhe prindërit të përballojnë më lehtë këtë sëmundje.
“Detyra ime si psikologe është që të ju tregoj atyre që nuk janë vetëm në këtë rrugëtim, dhe pse është detyrë e vështirë e bëj me shumë krenari sepse të jesh psikologe në këtë repart ju ndihmon fëmijëve dhe prindërve të tyre në kohën më të vështirë që ata po kalojnë, e veçanërisht po ju ndihmonë prindërve duke u bërë një mbështetje e madhe për ta”, thotë Zejnullahu
Artikulli dhe video janë prodhuar nga KosovaLive në kuadër të programit “Internship & Mentorship”.
Mendimet, të gjeturat dhe përfundimet e paraqitura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk paraqesin pikëpamjet e KosovaLive.
Lea Krajkova