Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kosova dështon për mbrojtjen e identitetit të testuarve me COVID-19

Tet 28, 2020

Kosova ende nuk ka arritur ta fitojë betejën me virusin COVID-19, e për më tepër vendi ynë nuk ka arritur ta fitojë as betejën për mbrojtjen e të dhënave të personave që janë testuar për këtë virus. Media të ndryshme e akterë politik që nga paraqitja e rasteve të para me COVID-19 në Kosovë, disa herë kanë publikuar lista me emrat e personave që i janë nënshtruar testimit për këtë virus, derisa kanë publikuar edhe identitetin e personave që kanë rezultuar pozitiv me virusin Corona, pa dijeninë e këtyre të fundit.

Portali sinjali.com me 3 prill të këtij viti kishte publikuar artikullin me titull “Serbia i fut në karantinë Mitrovicën Veriore dhe Zvecanin, i izolon rreth 200 qytetarë në 5 komuna të Kosovës”, të cilit ia kishte bashkangjitur edhe një listë me emrat e 200 qytetarëve të cilët janë urdhëruar të vetëizolohen. Lista me emrat e qytetarëve të karantinuar, e cila u publikua nga portali “Sinjali.com”, u kopjua dhe u publikua edhe nga insajderi.comgazetainfokus dhe news33.tv.

Më 26 prill të këtij viti edhe portali “ Rahoveci Online” në faqen e tij në Facebook shpërndau një listë e cila përmbante emrat e të gjithë personave nga Komuna e Rahovecit, të cilët më 25 prill ishin testuar për COVID-19. Ky portal më pastaj kishte fshirë listën e cila tregonte identitetin e qytetarëve të testuar.

E së fundmi gjatë muajit gusht, një grua nga Peja ka shpërndarë në rrjetet sociale një listë me emrat e personave që janë testuar për këtë virus. Për publikimin e kësaj liste ishte informuar edhe Policia e Kosovës.

Ndryshe, deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj në fillim të muajit maj kishte akuzuar ministrinë e Shëndetësisë, Arben Vitia, se ka amnistuar aktivistët e Vetëvendosjes duke i liruar nga karantina, kështu edhe kishte publikuar një dokument në të cilin shihej diagnoza dhe identiteti i personave që janë liruar nga karantina në Qendrën e Studentëve dhe janë rekomanduar që të shkojnë në vetëizolim.

Për dokumentin e publikuar nga Kadrijaj, më 2 maj kishte reaguar Ministria e Shëndetësisë, e cila kishte deklaruar se do të ndërmerret çdo veprim në pajtim me ligjin ndaj personave që kanë cënuar rëndë privatësinë e qytetarëve.

Në një deklaratë për KosovaLive nga Zyra për Informim e Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se kjo ministri ka qenë e kujdesshme për ta ruajtur sa më shumë privatësinë e pacientëve gjatë pandemisë. Përkundër kësaj, sipas kësaj zyre, shpesh herë autoritetet lokale e sidomos zyrtarët e niveleve komunale, kanë zbuluar detaje për qytetarët e tyre rreth COVID-19, gjë e cila nuk do të duhej të bëhej.

MSh ka qenë e kujdesshme që të ruaj sa më shumë që ka mundësi privatësinë e pacientëve gjatë pandemisë COVID-19, përkundër presionit të madh, kryesisht nga mediat që të kuptojnë informata për pacientet”, ka thënë ajo.

Më 23 mars të këtij viti nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK), përmes një njoftimi për medie ishte thënë se Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, duhet të vlerësojëse sa është e nevojshme të zbulohet privatësia.

Sipas PRAK, në rastet kur një pacient i infektuar ka pasur kontakt me shumë persona të cilët nuk mund të izolohen, IKSHPK-ja ka kompetencë të jep të dhëna të pacientit, e po ashtu edhe fotografi të tyre, në mënyrë që pacientët potencialisht të prekur të vetizolohen.

Përderisa është parë e nevojshme që të publikohet identiteti i personave të prekur me COVID-19, të cilët kanë pasur kontakt me shumë persona, është kundërshtuar zbulimi i të dhënave të personave që po testohen për këtë virus.

Udhëheqësi i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, Besim Kodra thotë për se zbulimi i çfarëdo diagnostikimi të pacientëve, konsiderohet shkelje e privatësisë.

Ne mund të themi se zbulimi i çfarëdo diagnostikimi të pacientëve konsiderohet shkelje e privatësisë sipas Kartës së të Drejtave të Pacientëve”, ka deklaruar ai për KosovaLive.

Kodra ka treguar se në adresë të tyre nuk ka shkuar ndonjë ankesë nga pacientët e testuar për COVID-19, të cilat lidhen me shkeljen e privatësisë, ndonëse ato mund të jenë drejtuar në institucionet tjera.

Ne nuk kemi pranuar ankesa nga pacientët e testuar për shkelje të privatësisë. Ndoshta ka pasur por në adresën tonë nuk kanë ardhur ankesa të tilla”, ka shtuar ai.

Privatësia e të testuarve për COVID-19 shkelet nga mediat

Gazetarja e portalit “FrontOnline”, Valmire Maliqi e cila që një kohë është duke përcjellur gjendjen e krijuar nga pandemia, krahas temave tjera, shprehet e pakënaqur me mënyrën se si është raportuar për COVID-19 në vend.

Ndonëse ajo thotë se në asnjë rast nuk ka bërë publike identitetin e personave të testuar për këtë virus, jo të gjithë i janë përmbatjur një kërkese të tillë.

 “Mediat nuk e kanë respektuar aspak kërkesën për mbulimin e identitetit të personave që janë testuar për COVID-19. Për më keq, ka pasur media që kanë postuar edhe fotografi të personave që kanë vdekur nga virusi”, ka thënë ajo.

Dorentina Thaçi, gazetare e Kohavision-it thotë se çdo herë ka qenë e vendosur që të respektojë identitetin e personave të prekur me COVID-19, e një gjë të tillë e ka bërë edhe mediumi në të cilin ajo punon.

Thaçi thotë se kryetarët e komunave ishin ata që më pak e kanë ruajtur privatësinë e qytetarëve.

Shumica e mediave kanë ruajtur privatësinë dhe kanë qenë korrekte. Lista me emrat e prsonave të karantinuar është shpërndarë edhe nga media tjera, për të cilën mendoj që është shumë e padrejtë sepse një raportim i tillë i sjell pasoja atyre personave”, ka shtuar ajo.

Zbulimi i identitetit të personave të testuar për COVID-19, e atyre që kanë rezultuar pozitiv me këtë virus, i ka shtyrë këta të fundit të ankohen te Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës(AGK).

Rabije Hyseni, zyrtare për Informim në AGK ka bërë të ditur se kanë marrë ankesa nga qytetarët, të cilat më pas janë adresuar për te Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK).

“AGK-ja ka publikuar në rrjetin social Facebook, një udhëzues për raportim të sigurt dhe profesional mbi COVID-19. AGK-ja në bashkëpunim me UN Women Kosovo, ka organizuar një cikël trajnimesh online në lidhje me rrezikun nga dezinformatat në kohë pandemie”, ka thënë ajo.

Ankesat e qytetarëve në AGK janë drejtuar në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës, e cila thotë se në lidhje me ankesat që kanë të bëjnë me raportimet gjatë periudhës së pandemisë do të diskutohet dhe vendoset në mbledhjen e radhës së Bordit.

Sipas KMSHKZ, mediat e shkruara dhe online kanë raportuar në mënyrë profesionale dhe korrekte, ndonëse ka pasur raste edhe të raportimeve që nuk janë bazuar në kodin e etikës.

Ndryshe, anëtarët e Këshillit të Mediave të Shkruara më 12 mars kishin bërë thirrje tek të gjitha mediat dhe transmetuesit e shtypur dhe online për të respektuar standardet e etikës në raportimin për situatën e krijuar pas shfaqjes së pandemisë COVID-19.

Shkelja e privatësisë së personave të testuar për COVID-19 është dënuar edhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, ka treguar se ndonëse kanë kërkuar që të ruhet privatësia e personave të testuar për COVID-19, e atyre që kanë rezultuar pozitiv me këtë virus, një gjë e tillë nuk është bërë.

“Mendoj që mediat duhet ta kenë pasur kodin etik, duke ditur se ligji për mbrojtjen e të dhënave personale nuk lejon që të bëhet publike gjendja shëndetësore e dikujt, pa e marrë pëlqimin e tij”, ka thënë ai.

Respektimin e privatësisë së qytetarëve gjatë raportimit për pandeminë, e ka përcjellur në vazhdimësi edhe Avokati i Popullit.

Petrit Çollaku, zyrtar për komunikim dhe qasje në dokumente publike në këtë institucion ka treguar se kanë ngritur çështjen e mbrojtjen së privatësisë së qytetarëve.

 “Avokati i Popullit, gjatë periudhës në fjalë nëpërmjet prononcimeve publike dhe pjesëmarrjes në emisione të ndryshme televizive në vazhdimësi ka ngritur çështjen e mbrojtjes së privatësisë dhe dinjitetit të qytetarëve”, ka deklaruar ai.

Avokati i Popullit në Kosovë e kishte parë shqetësuese publikimin e identitetit të personave që janë urdhëruar të izolohen për shkak të pandemisë. Përmes një njoftimi për media të publikuar më 4 prill të këtij viti, ky institucion kishte kërkuar nga portalet që të largojnë këto lajme në mënyrë që mos të ri-publikohen nga portalet e tjera.

Mbrojtja e të dhënave të qytetarëve është e rregulluar edhe me Kushtetutë. Në nenin 36 të Kushtetutës së Kosovës thuhet se secili person gëzon të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale.

Ndërsa, Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale përcakton të drejtat, përgjegjësitë, parimet dhe masat ndëshkuese lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë së individit

Drejtorët e sndetësisë po mbajnë konfidencial identitetin e të testuarëve

Krerët e Drejtorive komunale të Shëndetësisë thonë se kanë ruajtur privatësinë e secilit qytetar të testuar për COVID-19.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi thotë se identiteti i personave të testuar për Virusin Corona në Prishtinë, është mbajtur i fshehtë nga ana e tyre.

“Të gjithë ata që janë testuar dhe kanë qenë pozitiv me COVID-19 janë mbajtur konfidencial brenda shtabit të Komunës së Prishtinës. Asnjë qytetari të testuar si pozitiv dhe negativ nuk i është zbuluar identiteti nga ana jonë”, ka deklaruar ai për KosovaLive.

Njëjtë shprehet edhe drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Erseka Hasanaj-Barani.

 “Duke e ditur ndjeshmërinë dhe situatën e krijuar në vendin tonë si shkak i përhapjes së virusit COVID-19, me përgjegjësi të plotë ju njoftojmë se në Komunën e Mitrovicës është ruajtur privatësia e të gjithë të testuarëve dhe të gjithë të prekurve me COVID-19”, ka theksuar ajo.

Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit, Narqize Arenliu-Hoxhaj ka pohuar se si komunë nuk kanë zbuluar identitetin e asnjërit nga personat e testuar për COVID-19. Sipas saj, është respektuar plotësisht privatësia e pacientëve të testuar, e po ashtu edhe atyre që kanë rezultuar pozitiv me të.

Ndërsa, edhe drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Obiliqit, Vlora Kabashi ka deklaruar se Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenie Sociale pas shpalljes së virusit si pandemi globale ka respektuar identitetin e të gjitha mostrave të marra për testim nga infeksioni me virus.

 “Pas shfaqjes së koronavirusit si pandemi globale, marrjes së masave adekuate nga Qeveria e Kosovës, komunat, DSHMS-të e në veçanti  personeli shëndetësorë kanë një rol të rëndësishëm në kordinimin dhe zhvillimin e aktiviteteve”, ka shtuar ajo.

Njejtë është vepruar edhe në Komunën e Fushë-Kosovës ku, sipas zëdhënësit për Informim në këtë komunë, Ali Topalli privatësia e pacientëve me COVID-19 është respektuar plotësisht.

Stigmatizimi e refuzimi shoqëror, pasojë e zbulimit të identitetit të personave me COVID-19

Për shkak të zbulimit të identitetit të personave të testuar për virusin COVID-19 në Kosovë, këta të fundit mund të përballen me diskriminim, stigmatizim e refuzim shoqëror.

Sociologu Genc Xërxa, në një prononcim për KosovaLive, thotë se është e domosdoshme që të ruhet privatësia e personave të testuar, në mënyrë që ata të mos i ekspozohen sulmeve të ndryshme.

 “Duke e ditur që kemi të bëjmë me një fenomen mjaftë të ndjeshëm, mbrojtja e identitetit të të infektuarve është e domosdoshme, në mënyrë që mos t’i ekspozohemi sulmeve të ndryshme. Kjo qasje e zbulimit të identitetit të infektuarve është lëshim i rënd zyrtarë”, ka thënë ai.

Xërxa thekson se për shkak të frikës nga paragjykimet, qytetarët mund të hezitojnë të tregojnë gjendjen e tyre shëndetësore edhe nëse infektohen me këtë virus.

Qytetarët mund të hezitojnë për tu lajmëruar për tu testuar, pasi ka gjasa se do të paragjykoheshin e do të stigmatizoheshin prej shoqërisë, gjë që nuk do duhej të ndodhte”, thotë ai.

Ndryshe, në udhëzuesin për COVID-19të publikuar më 20 prill të këtij viti nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, thuhet se pandemia COVID-19 është duke shkaktuar një valë të stigmatizimit, diskriminimit, racizmit dhe ksenofobisë kundër grupeve të caktuara nacionale dhe etnike.

Ndërsa në njoftimin e publikuar nga UNICEF  me titull “Çka duhet të dinë prindërit për sëmundjen, që e shkakton Virusi Corona”, thuhet se rrethanat e jashtëzakonshme shëndetësore paraqesin kohë stresuese për të gjithë, andaj është e rëndësishme që qytetarët të jenë të sjellshëm dhe ta mbështesin njëri tjetrin.

Me mbrojtjen e identitetit të personave të testuar për COVID-19 nuk kanë qëndruar mirë as shtetet tjera.

Për më shumë, kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala thotë se edhe në Shqipëri kishte pasur raste kur janë publikuar emrat e disa personave që janë të prekur me këtë virus, ose janë dyshuar se mund të jenë të infektuar, andaj edhe janë shkelur të drejtat e tyre.

Më 21 mars të këtij vitit, Mali i Zi kishte marrë vendim që të publikojë emrat e personave të cilët janë detyruar të qëndrojnë për 14 ditë në izolim. Për këtë, mbrojtësit e të drejtave civile u kanë bërë thirrje qeverisë së Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës që të respektojnë të drejtën e intimitetit.

Në raportin e publikuar më 23 mars të këtij viti nga institucioni kryesor debatues për çështjet e Bashkimit Europian “CEPS”, është thënë se në Evropë është shfaqur një debat i rrezikshëm, nëse edhe mbrojtja e të drejtave themelore të privatësisë duhet të lihet mënjanë gjatë pandemisë.

Ndërsa, për dallim nga shumë shtete tjera, shteti gjerman ka mbrojtur privatësinë e personave të testuar për COVID-19, e atyre të prekur me këtë virus.

Kirurgu vaskular në Gjermani, Halil Krasniqi në një prononcim për KosovaLive thotë se gjendja me COVID-19 në këtë shtet është duke u menaxhuar me sukses. Ai ka thënë se personave të cilët janë testuar për COVID-19 e që kanë rezultuar pozitiv me të, në shtetin gjerman i është ruajtur privatësia.

 “Në Gjermani pacientët të cilët rezultuan pozitiv në virusin COVID-19 janë regjistruar në instucionin shëndetësor të qytetit dhe të dhënat e pacientëve i janë transferuar edhe policisë lokale”, ka thënë ai.

Krasniqi tregon se gjatë tërë kohës së pandemisë janë publikuar një mori studimesh rreth sjelljeve psikologjike të qytetarëve, dhe se publikimi i identitetit të personave të infektuar me virus në Gjermani nuk është problem shoqëror.

 “Publikimi i identitetit të personit të infektuar për popullin gjerman nuk është problem shoqëror, sepse kultura dhe inteligjenca gjermane këtë rast e vlerëson logjikisht. Nga përvoja ime në Gjermani me bashkëqytetarët kosovar konstatova se pjesa dërmuese fshihnin infeksionin e tyre”, ka shtuar ai.

 Arbresha Berisha

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM