Build Skills with our trainings

Sign up now!

Edhe volejbolli kosovar u afektua nga pasojat e COVID-19

Gus 28, 2020

Pasi që rastet e para me COVID-19 u paraqitën në Kosovë më 13 mars të këtij viti, Qeveria e Kosovës mori një sërë vendimesh, ku përfshihej edhe pezullimi i të gjitha garave sportive. Përkundër që volejbollistët ishin të përgatitur për zhvillimin e garave, pandemia ua ka prishur planet shumë ekipeve të cilat synonin të radhiteshin të parat në Superligë.

Kapitenja e Klubit Volejbollistik “Vushtrria”, Gentiana Pllana ka treguar për KosovaLive që pavarsisht se vendimi i marrë për anulimin e garave ka qenë i duhur, nuk është mirëpritur nga ajo dhe bashkëlojtaret e saj.

Pllana ka pohuar se virusi ka prishur planet e ekipit të saj, pasi që synonin edhe kampionin e Superligës B.

Mirëpo, derisa ushtrimet të cilat ajo bashkë me lojtaret tjera të këtij ekipi i mbanin pothuajse çdo ditë ishin ndaluar, ajo është munduar të mos qëndrojë pasive gjatë karantinës, kështu edhe duke bërë ushtrime në shtëpi.

Secili në kushte shtëpie kanë mundur t’i bëjnë disa ushtrime për mos të humbur të paktën kondicionin”, ka thënë Pllana.

Ajo shpreson shumë  të marrin përkrahje nga Komuna e Vushtrrisë gjithashtu edhe nga Federata e Volejbollit pasi që, sipas saj pandemia do të lë shumë pasoja në sponzorët e pakët që kanë ekipet, e sidomos ato të vajzave të cilat janë të pa puna.

Ndërsa edhe Olta Kalludra, trajnerja e Klubit Volejbollistik të femrave “Vushtrria” ka pohuar se pandemia ka prishur shumë plane të ekipit që ajo drejton.

Shpallja kampion i Superligës B ka qenë synimi më i madh i ekipit dhe trajneres Kalludra, synim ky që sipas saj, vështirë të arrihet pas pezullimit të dyfishtë të kampionatit.

Ne po presim lajme se si do të përfundojë ky sezon, sepse janë luajtur vetëm dy xhiro. Situata është e vështirë prandaj duhet të mirëpresim çdo vendim që vjen nga Federata”, ka thënë ajo.

Karantina ka ndikuar në rënien fizike të volejbollistëve dhe jo vetëm.

Fizioterapeuti Arbanis Maxhuni, nga përvoja që ka pasur duke përcjellur procesin e shërimit të shumë sportistëve e veçanërisht volejbollistëve ka treguar se si ka ndikuar karantina te sportistët e se çfarë mund të ndodhë tani pasi janë rikthyer garat.

 “Volejbollistëve gjithmonë është rekomanduar që sa më shumë të bëjnë ushtrime për krahë,  por pa harruar edhe ushtrimet kondicionale si dhe ushtrimet për zemër,” ka thënë Maxhuni.

Pasi karantina ka qenë një periudhë e gjatë pushimi për volejbollistët, rikthimi në formë si më parë është synim i të gjithëve, por sipas Maxhunit trajnerët duhet të mos t’i ngarkojnë sportistët dhe stërvitjet të jenë më të shkurta se më herët.

Lëndimet që mund t’i paraqiten volejbollistëve do të jenë në pjesën e sipërmë të trupit, do të kenë probleme me kyçin e dorës pastaj brrylin, por shpesh herë do të kenë probleme me krahë dhe sportisti duke tentuar ta kthejë formën e mëparshme do ta stërngarkojë vetën”, ka treguar ai.

Pavarësisht vështirësive që ka pasur Komuna e Vushtrrisë me pandeminë, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Vushtrri, Fatmire Cecelia është deklaruar se do t’i dal në ndihmë sportistëve.

 “Klubeve nuk do t’ju mungojë përkrahja financiare e as përkrahje të tjera. Ne i kemi mbështetur si çdo vit tjetër në bazë të aktiviteteve sportive dhe numrit të lojtarëve, ka treguar Cecelia.

Pas vendimit të marrë nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë, Federata e Volejbollit të Kosovës më 13 mars të këtij viti ka njoftuar se janë pezulluar të gjitha garat. Në vendim nuk është dhënë ndojnë informatë për datën e rifillimit të garave.

Por, pas më shumë se dy muajve, më 28 maj FVK-ja doli me një vendim tjetër ku u bë e ditur që garat do të rifillojnë për katër vendet e para të Superligës A në të dyja gjinitë.

Sipas këtij vendimi garat për këtë kategori do të rifillonin në javën e dytë të qershorit.

Në anën tjetër, Federata e Volejbollit të Kosovës në përputhje me rregullat e caktuara nga Ministria e Shëndetësisë kishte hartuar një udhëzues me qëllim për t’u mbrojtur nga virusi, të cilit duhet t’i përmbaheshin ekipet që vazhduan garat.

Garat e Superligës B u ndërprenë para xhiros së tretë pasi që situata në vend filloi të përkeqësohej prapë. Këtë e bëri të ditur Federata e Volejbollit të Kosovës me një postim zyrtar duke treguar vendimet e Qeverisë dhe duke lënë shpresa për rifillimin dhe përfundimin e ndeshjeve të mbetura.

Sekretari i Përgjithshëm i FVK-së, Valon Nikqi ka thënë për KosovaLive se me shfaqjen e pandemisë ata janë munduar që të vetëdijësojnë sportistët për rrezikun e këtij virusi.

Mirëpo, sipas tij për shkak të numrit të madh të ekipeve që garojnë është anuluar Liga e parë, në mënyrë që mos të përhapet pandemia.

Trajneri i KV Skenderajt, njëherësh zëvëndëstrajner i Kombëtares së Kosovës për seniore, Ylli Kadriu, pas shpalljes si fitues i kupës së federatës dhe pas një sezoni të mbarë me ekipin e tij ka treguar se është detyruar t’i mbajë “nën kontroll” lojtaret e ekipit të tij gjatë karantinës.

Situata ka ndikuar direkt te bineset të cilat ndihmojnë klubet, e normalisht që kjo ndikon te klubi jonë, por mendoj që ndikon edhe te të gjitha klubet e tjera. Do të duhet pak kohë që të rikuperohet kjo”, ka shtuar ai.

Ndërsa, kapitenja e Kosovës dhe lojtarja e KV Skederajit, Egzona Geci gjatë gjithë karantinës ka pritur që kampionati të fillojë.

Megjithatë, pasi Kosova është paraqitur në EuroVolley 2021, Geci si kapitene e përfaqësueses është pak e shqetësuar për përzgjedhjet që do të bëhen.

Sherife Behrami, po nga ky ekip ka pohuar se gjatë gjithë karrierës së saj nuk ka pasur ndërprerje të tilla të kampionatit.

Ajo ka deklaruar se është më mirë të rikthehen në gara në mënyrë që ekipi fitues të mos zgjidhet pa mbajtjen e garave.

Në anën tjetër, përderisa për më shumë se dy muaj nuk patën mundësinë të ushtrojnë në palestër, shumë lojtare kanë mbajtur ushtrimet në kushte shtëpie.

Volejbollistja e KV Dritës, Adelajda Prenga-Ilazi, e cila është edhe trajnere e lojtareve të reja të “Dritës” nuk është ndalur në asnjë moment gjatë karantinës.

Ajo e ka pritur me gëzim fillimin e kampionatit, derisa ka thënë se beson që ekipi i saj nuk do të ketë probleme të mëdha financiare.

Ndërsa Fjolla Hyseni, liberoja e KV Dritës dhe e Kombëtares së Kosovës përkundër që ka pohuar se karantina ka qenë mjaft periudhë e vështirë për të dhe për të gjitha bashkëlojtaret e saj është shprehur optimiste se çdo gjë do të shkojë mirë në kampionat.

Në Kosovë ka pasur edhe lojtarë të huaj të cilët kanë mbetur në vend gjatë gjithë karantinës.

Izel Kahraman, volejbollistja 20 vjeçare e cila erdhi nga Turqia dhe u bë kampione në Kosovë, është një ndër lojtaret e huaja e cila kaloi karantinën në Kosovë. Kahraman ka thënë që ka qenë vendimi i saj dhe i familjes që të qëndrojë në Kosovë pasi që Turqia ka qenë në rrezik.

Ndryshe, vendimi për vazhdimin e garave të Superligës A, vetëm në sistem Playoff, la jashtë 2 ekipet e femrave, atë të Ferizajt dhe Prishtinës, të cilat gjatë pjesës së rregullt u renditën në vendin e pestë dhe të gjashtë.

Arta Ramadani-Luzha, ish-volejbolliste dhe njëherësh trajnere e KV Ferizajt thotë për se ka shpresuar që do të riktheheshin në gara, ndonëse nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

Ajo është shprehur se volejbollistëve i’u është bërë shumë e padrejtë.

“Ne nuk jemi më në garë. Volejbollistëve dhe klubeve i’u është bërë e padrejtë. sepse të qëndrosh 3 muaj pa lojë është shumë e rëndë për secilin sportistë”, ka thënë Ramadani-Luzha për KosovaLive.

Ndërsa Kastriot Azemi,  trajner i ekipit të femrave “Prishtina Elite”, lojtar e trajner i ekipit të meshkujve “Prishtina”, ka përdorur mënyra të ndryshme që volejbollistët mos t’i lë pasiv dhe të krijojë një lloj afërsie në distancë.

“Unë kam dërguar edhe një propozim në Federatë. Propozova një sistem, sepse në ligën e parë janë dy grupe dhe kam propozuar që dy ekipe të grupit A dhe dy ekipe të grupit B të bëjnë garë mes vete dhe të caktohen fituesit”, ka thënë Azemi.

Pavarësisht propozimit të tij, Federata nuk ka ndryshuar vendimin për anulim të garave të Ligës së Parë.

Blendi Haxhikadrija nga Gjakova, i cili është trajner i Klubit Volejbollistik në konkurencën e femrave “Vëllaznimi” ka thënë se do të duhej të anuloheshin të gjitha garat në këtë sport, pasi që sipas tij, lojtarët nuk janë stërvitur, andaj edhe lëndimet e tyre do të ishin të rrezikshme.

Haxhikadrija ka thënë se Kosova nuk jep mundësi për zhvillimin e garave në kushte të tilla.

Njëjtë është shprehur edhe Liridon Pllana, trajner i ekipit të femrave “Dukagjini”, i cili ka thënë se Liga e parë do të duhej të vazhdonte ose të anulohej që në fillim çdo gjë.

Mërgim Fazliu, i riu nga Vushtrria por që luan në “Prishtina Volley” thotë se karantina i ka prishur shumë punë ekipit të vetëm të kryeqytetit në konkurencën e meshkujve në Superligë.

Në një prononcim për KosovaLive ai ka theksuar se lëndimet janë shumë të afërta dhe koha për rikthim ka qenë shumë e shkurtër.

Në anën tjetër, ndryshe nga volejbolli në parket, garat e volejbollit në rërë kanë vazhduar.

Federata e Volejbollit të Kosovës ka vendosur që garat për U18, U20, U22 dhe senior në të dyja gjinitë të zhvillohen gjatë fundit të korrikut dhe mesit të gushtit.

Drejtori i Komisionit të Beach Volley-it, Visar Alimehaj ka vlerësuar se pandemia ka favorizuar pak më shumë Beach Volley se sa volejbollin, pasi që volejbolli në rërë luhet në ambient të hapur.

Situata është e ngjashme edhe gjetkë. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë mbyllur kampionatet e volejbollit.

39 vjeçarja, Amarilda Prenga, volejbolliste në ekipin “Barleti Volley” në Shqipëri, është shprehur e shqetësuar për ndërprerjen e kampionatit, për shkak të gjendjes sa i përket pandemisë COVID-19.

Ajo ka treguar se me ekipin e saj “Barleti Volley” ishin shpallur fitues të kupës së Shqipërisë në volejboll para se të futeshin në karantinë.

 “Tani në këto momente e rëndësishme është shëndeti, është e vërtetë që po kalonim një situatë shumë të mirë si ekip edhe na u shkëputë”, ka theksuar Prenga .

Kampionati i Shqipërisë ka kaluar një periudhë më të vështirë, pasi që atje nuk u dha drita jeshile për vazhdimin e garave. Federata Shqiptare e Volejbollit përmes një postimi më 24.06.2020 në faqen zyrtare në Facebook bëri të ditur që ka përfunduar gjithçka.

Zv. presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Dashamir Brari ka pohuar se pezullimi dhe anulimi i garave ka prishur shumë plane dhe ka dëmtuar shumë ekipe.

Brari ka theksuar që dëm më të madh kanë pësuar ekipet të cilat kanë investuar në lojtarë të huaj.

Ndonëse ka anuluar të gjitha garat, FSHV ka vendosur ekipet kampione në kategoritë e ndryshme. Kampionët u vendosën sipas renditjes tabelare që kishte qenë para pandemisë, ku “Mirdita” dhe “Erzeni” u shpallën kampion të Ligës kryesore.

Në një gjendje të njëjtë është edhe volejbolli në Maqedoni.

Shqiptarja e Maqedonisë së Veriut, Erjona Jonuzi këtë vit ka qenë si përforcim në ekipinin e “Rabotnicki Skopje”, sezon i cila përfundoi dhe nuk dha rast që Maqedonia e Veriut të ketë një kampion në volejboll.

Gjendja e përkeqësuar atje ka përfunduar çdo gjë dhe rrezikon edhe sezonin 2020/21, gjithashtu nuk dihet se çfarë do të bëhet me fatin e lojtarëve që janë si përforcime nëpër ekipet e Maqedonisë së Veriut.

Kujtojmë se më 17 mars të këtij viti edhe Konfederata Europiane e Volejbollit, CEV mori vendimin e parë për pezullimin dhe anulimin e disa prej aktiviteteve më të rëndësishme.

Adri Arapi pas një sezoni që pati në Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila i ngeli përgjysmë për shkak të pandemisë, është kthyer në vendlindje në Shqipëri për të pritur ofertat e reja për sezonën e ardhshme pasi që kontrata i ka përfunduar.

Lojtarët e rinjë të kombëtares Shqiptare të meshkujve vërtetë kanë pasur dështimin më të madh pasi ishte momenti i tyre për të triumfuar.

Këtë e ka pohuar edhe volejbollisti shqiptar Leonardo Doda, lojtar i Farka Volley, i cili tregon që pavarsisht përgaditjeve ekipore dhe individuale rreziqet dhe frika kanë qenë gjithmonë aty.

Ndërsa, Anton Qafarena është një tjetër voljebollist shqiptar i cili ka disa sezona që luan jashtë vendit dhe këtë vit përfundoi më herët se zakonisht sezonën e tij në kampionatin ne Gjermani. Ai ka treguar se disa ekipe gjermane janë mbyllur për shkak të krizave dhe problemeve nga pandemia.

Qafarena ka treguar se këtë vit e ka pritur gjatë sepse ka thënë për KosovaLive që do të ishtë viti i Shqipërisë.

Në një prononcim për KosovaLive, Arapi tregon se stërvitjet individuale nuk i ka ndalur pavarësisht që kampionati përfundoi, sepse shpreson që Kampionati Europian për Kombëtare, pavarësisht pandemisë, do të vazhdojë dhe Shqipëria do të ketë sukses.

Ish-kapitenja kuq e zi, 34-vjeçarja Arjola Prenga, e cila figuron lojtare e “Mirdita Volley”, është një ndër shqiptaret e pakta që ka luajtur nëpër shumë vende të botës.

E karantinuar në Norvegji, ku ka kohë që jeton dhe punon, thotë se stërvitjet individuale janë ato që e ndihmojnë për të mbajtur trupin në formë.

Ajo thotë se sezoni 2019/20 vetëm se ka përfunduar për të gjitha federatat dhe kompeticionet. Ajo është shprehur që rikthimi do të bëhet në sezonin 2020/21, pra në sezonin e ri në mënyrë që në gusht të fillojnë përgatitjet normale.

Ndërsa, Venera Kadriu 20 vjeçarja e cila që dy vite luan për ekipin “Northwood “ thotë se pavarësisht situatës kritike në SHBA asgjë nuk ka përfunduar. Atje është vendosur që garat të luhen por të përgjysmuara.

Şahin Çatma, trajner i kombëtareve të grupmoshave të Turqisë dhe njëherësh anëtar i bordit të Federatës Turke të Volejbollit, TVF, në një prononcim për KosovaLive thotë se pas vendimit të shtetit turk janë detyruar të mbyllen nëpër shtëpitë e tyre dhe në javën e parë të korrikut janë kthyer në stërvitje me kombëtaren U19.

Ai ka treguar se pavarësisht pandemisë, Turqia do të synojë kualifikimin dhe triumfin në të gjitha kompeticionet ku do të marrin pjesë.

Virusi ka prekur shumë njerëz gjithashtu dhe volejbollistë e sportistë të njohur. I pari që pranoi që ka rezultuar pozitiv ndaj testit të COVID-19 ishte volejbollisti i njohur francez Earvin Ngapeth.

Edona Kalludra

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM