Mungesa në gjuhën e të folurit është një dukuri shumë e zakonshme, sidomos te fëmijët dhe përfshin më së shumti 1 në 12 fëmijë ose 5% deri në 8% të fëmijëve parashkollorë.
Sipas organizatës KidsHealth, një çrregullim i të folurit i referohet një problemi me krijimin e tingujve. Mjekët besojnë se ka disa gjëra që kontribuojnë që një fëmijë të ketë probleme në të folur, të tilla si problemet me mënyrën e ndërveprimit të mesazheve të trurit me muskujt dhe pjesët e trupit të nevojshme për të folur.
Shumë besojnë se belbëzimi mund të jetë gjenetik. Fëmijët që belbëzojnë kanë tre herë më shumë gjasa të kenë një anëtar të ngushtë të familjes i cili gjithashtu belbëzon.
Sipas KidsHealth, asistentët e të folurit ndihmojnë në dhënien e shërbimeve në gjuhën e të folurit. Ata zakonisht kanë një diplomë bachelor 2-vjeçare të asociuar ose 4-vjeçare.
Në ndërkohë, në Kosovë përveç se prindët nuk ka informacione rreth problemit që kanë fëmijët e tyre, deri në vitin 2018 nuk kishte as ndonjë logoped të licensuar.
Valentina Morina, studente e Kolegjit “Heimerer”, tash në vitin e 3-të thotë se për këtë drejtim e ka kuptuar nga një mike, ndryshe nuk kishte informacion tjetër.
“Një mike më bëri të interesohem sa më shumë rreth logopedisë, përndryshe nuk kam dëgjuar ndonjëherë të flitet në ambientin shkollor. Çdo student i ri që duhet të bëjë një zgjedhje se çka të studiojë duhet të dijë të gjitha degët”, thotë Morina.
Edhe pse ndonjëherë problemi në të folur me rritjen e femijës mund të zbutet, ajo thotë se puna e logopedit është shumë e rëndesishme.
“Teknikat e veçanta dhe zbatimi i njohurive të një logopedi do ta ndihmojë një person në cfarëdo moshe në përmirësimin dhe zhvillimin e mirfilltë të të folurit”, thotë Morina.
Sa i përket atyre që kanë nevojë për logoped, këtu përfshihen edhe fëmijët me nevoja të veçanta, e gjithashtu fëmijët me autizëm. Një nga simptomat më të zakonshme tek individët me autizëm janë problemet e të folurit, si mungesa e komunikimit, mungesa e aftësive shoqërore dhe të qenit introvert. Prandaj, çrregullimet e të folurit dhe trajnimi i tij në autizëm janë shumë të rëndësishme.
Sipas medicalnewstoday, çrregullimet në të folur mund të ndikojnë në vetëvlerësimin e një personi dhe cilësinë e tyre të përgjithshme të jetës. Sidoqoftë, terapia e të folurit, ushtrimet e frymëmarrjes dhe nganjëherë, ilaçet kundër ankthit mund të ndihmojnë në përmirësimin e të folurit dhe zvogëlimin e simptomave
“Logopedia merret me komunikimin dhe zhvillimin gjuhësor, Një defekt në të folur sjell sipas rregullit vështirësi në aspektin mësimor dhe në atë social tek të cilat gjuha dhe të kuptuarit ka rëndësi”, thotë Unita Retkoceri, absolvente në logopedi në kolegjin “Heirmer”.
Fëmijët mund të përjetojnë dëmtim të fjalës së bashku me çrregullimin e të folurit në zhvillim dhe në disa raste, aftësia e fituar për të folur gjithashtu mund të humbasë. Diagnoza e duhur, metodat e trajtimit dhe trajnimi për zhvillimin e gjuhës janë shumë të rëndësishme në tejkalimin e çrregullimeve të komunikimit.
Gjithashtu, edhe për fëmijët me nevoja të veçanta, terapia e të folurit dhe gjuhës për fëmijët me nevoja të veçanta përfshin një larmi metodash. Disa prej prindëve që kanë fëmijë me nevoja të veçanta nuk kanë mundësi të paguajnë klinikat private.
Aferdita.M, tregon se si problemin që e kishte me fëmijun e saj e kanë anashkaluar edhe në instuticionet shtetërore të mjekësisë.
“Unë e kam vërejtur se djali im në moshën 4 vjeçare nuk po fliste fare, e kam dërguar në qendrën e mjekësisë familjare ku një mjek me tha se është normale për disa fëmijë të jenë të vonshëm”.
Ajo thotë se për shkak të problemeve financiare nuk ka mundur të vizitojë një specialist.
“Tash është në klasë të 4-te, djali im nuk ka interesim të madh në lexim, e pas një ankese mësuesja i kushton vëmendje pak më shumë gjatë leximit”
Antigona Kajtazaj-Miftari logopede në poliklinkën “NATAL” flet për faktorët kryesor së mungesës së logopedëve.
“Eshtë fakti që ende nuk dihet roli dhe rëndësia e shërbimëve logopedike nga ana e institucioneve shtetërore. Roli i logopedit është i domosdoshëm në çdo institucion ku kane qasje fëmijet. Shteti dhe qeveria duhet qe sa me parë të marrin parasysh dhe të marrin masa që këto sherbime të ofrohen në institucionet shtetërore ku dihet qe ne si shtet jemi në gjendje jo të mirë ekonomike dhe financiare dhe jo çdo fëmijë mund të rehabilitohèt dhe trajtohet.”
Ajo thotë se shërbimet logopedike ofrohen pothuajse plotësisht vetëm privat dhe si pasojë e kësaj prindërit nuk arrijnë të mbulojnë kostot e shpenzimeve dhe fëmijët mbesin pa trajtim.
Kajtazaj Miftari thekson numrin e rritur të logopedëve por mungesën e punësimit në institucionet shëndetesore të shtetit.
“Ka qenë një kohë kur në Kosovë kanë qenë shumë pak të informuar pēr logopedinë. Arsyeja ka qene vet fakti që ka pasur mungesë të tyre, pastaj logopedi ka munguar në institucionet shtetërore, ku njerëzit kanë qasje dhe kërkojnē shërbime shëndetësore. Realisht Kosova nuk ka mungesë të logopedëve, jemi disa gjenerata që jemi të diplomuar dhe licencuar por të papunësuar apo thënê me saktë të vetpunësuar nëpër poliklinika dhe ordinanca private pasi që shteti asnjëherë nuk ka dhënë përkrahje dhe mundësi punësimi.”
Kur fëmijët kanë vështirësi për të kuptuar gjuhën e folur, dhe vështirësi për të kuptuar udhëzimet verbale, është e rëndësishme që të kërkojnë ndihmën e logopedit.
“Shkollat dhe cerdhet duhet patjetër të kenë logopedë, pasi që dihet që moshat parashkollore dhe shkollore janë mosha “delikate” dhe stresuese ku problemet e komunikimit vihen në pah dhe atyre u dyfishohet ose shumëfishohen problemet pasi diskriminohen nga rrethi dhe shoqëria, pastaj etiketohen, gjë e cila ndikon shumë në jetën sociale të tyre, pastaj në arritshmerinë në mesim-nxenie deri në masën ku fëmija tenton të mos vijoj fare shkollimin”, thotë Kajtazaj Miftari.
Dafina Devolli Bujupi, logopede në ordinancën logopedike “Devolli” thotë se i vetmi institucion shtetëror i cili ka logopedë të punësuar, është Qendra Klinike Universitare e Kosovës – QKUK në Prishtinë. Ajo thotë se kërkesat për të punësuar logopedë në institucionet e tjera shëndetësore janë shumë të larta.
Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit nuk ndërmarrin ndonjë hap për realizimin e këtyre kërkesave.
“Shpresoj shumë, që në një të ardhme sa më të afërt këto kërkesa do të realizohen. Pa dyshim që ne jemi të gatshëm, të kontribuojmë shumë, pasi që ka prindër të cilët nuk kanë fonde të mjaftueshme, për të dërguar fëmijët e tyre në ordinanca logopedike private, andaj në këtë mënyrë do të përfitonin shumë persona nga terapia logopedike.”
Shpesh herë prindërit anshkalojnë problemin që shohin tek fëmijët e tyre.
“Këshilla ime për prindërit është që në momentin që vërejnë se fëmijët e tyre kanë çrregullime në gjuhë dhe të folur, të konsultohen sa më parë me logopedin më të afërt. Sepse mosha luan një rol të rëndësishëm te terapia logopedike, sa më herët që fillon trajtimi aq më të mira dhe më të shpejta janë rezultatet”, thotë logopedja Dafina Devolli Bujupi
Edona Sadikaj
Për autorin/en:
Edona Sadikaj është studente e vitit të tretë në Komunikim Masiv – Gazetari në kolegjin AAB. Ajo është pjesë e programit “ Internship & Mentorship 2 “ në KosovaLive.
Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Promovimi i Edukimit Medial dhe Forcimi i Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor”, i cili realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes British Embassy Pristina dhe #AlbanyAssociates.
Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.