Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kurti: Qeveria e përkushtuar për përmirësimin e kushteve socio-ekonomike të komunitetit egjiptian përmes gjithëpërfshirjes

Qer 24, 2021

Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë përkushtimin e saj për të përmirësuar kushtet socio-ekonomike përmes gjithëpërfshirjes dhe avancimit të të drejtave të komunitetit egjiptian, ka thënë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në konferencën me temën “Drejt një shoqërie gjithëpërfshirëse me mundësi të barabarta”.
Konferenca u organizua me rastin e 24 Qershorit-Ditës Memoriale të Komunitetit Egjiptian nga Zyra për Qeverisje të Mirë e Zyrës së Kryeministrit, në bashkëpunim dhe koordinim me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe deputetin e Kuvendit të Kosovës, Fridon Lala.
Duke uruar komunitetin egjiptian, Kryeministri Kurti, tha se ky komunitet ndër vite jeton në këto troje dhe së bashku me popullsinë shumicë ndau fatin e mirë e të keq edhe për shkak të afërsisë kulturore e gjuhësore.
“Vetëm gjatë viteve ’90, edhe nxënësit e komunitetit egjiptian ishin përzënë nga shkollat, shumë punëtorë ishin përjashtuar nga puna për shkak të solidarizimit në grevat e organizuara nga sindikatat, ndërsa gjatë viteve të luftës, ’98-’99, kishin viktima civile, por edhe pjesëtarë të UÇK-së që luftuan për çlirimin e Kosovës”, tha kryeministri Kurti.
Ai rikujtoi se organizimi politik i komunitetit egjiptian gjatë dy dekadave të fundit, ishte kontributdhënës për shtetësinë e Kosovës dhe pa dyshim se komuniteti si në të kaluarën edhe sot për Kosovën, kultivon dashurinë për atdheun e tyre.
“Ne synojmë që ta zbatojmë në plotni Ligjin nr. 06/L – 114 për zyrtarët publikë, me të cilin përcaktohet që në institucionet publike qendrore, minimum 10% e vendeve të punës në të gjitha kategoritë e zyrtarëve publikë duhet të plotësohen nga pjesëtarët e komuniteteve”, tha kryeministri Kurti.
Në konferencën ku u diskutuan temat e gjithëpërfshirjes së komunitetit egjiptian në punësim, edukim, trajtim të barabartë, jo diskriminim, të pranishëm ishin edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, deputetja Mimoza Kusari Lila, përfaqësuesja nga shoqëria civile Diana Shaka dhe përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile dhe nga komuniteti egjiptian, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.
Mirë se po e gjejmë njëri-tjetrin në këtë Konferencë të rëndësishme në një ditë të posaçme.
Kam kënaqësinë e veçantë që t’ua uroj të gjithëve 24 Qershorin, Ditën Memoriale të Komunitetit Egjiptian në Republikën e Kosovës dhe kudo që ata jetojnë.
Komuniteti Egjiptian ndër vite jeton në këto troje dhe së bashku me popullsinë shumicë ndau fatin e mirë e të keq edhe për shkak të afërsisë kulturore e gjuhësore. Vetëm gjatë viteve ’90, edhe nxënësit e komunitetit egjiptian ishin përzënë nga shkollat, shumë punëtorë ishin përjashtuar nga puna për shkak të solidarizimit në grevat e organizuara nga sindikatat, ndërsa gjatë viteve të luftës, ’98-’99, kishin viktima civile, por edhe  pjesëtarë të UÇK-së që luftuan për çlirimin e Kosovës.
Organizimi politik i komunitetit Egjiptian gjatë këtyre dy dekadave, ishte kontributdhënës për shtetësinë e Kosovës dhe pa dyshim se komuniteti si në të kaluarën edhe sot për Kosovën, kultivon dashurinë për atdheun e tyre. Sot komuniteti egjiptian është pjesë e barabartë dhe vlerë e shtuar e shoqërisë kosovare. Prandaj, promovimi, mbrojtja, ofrimi i mundësive të barabarta dhe i trajtimit të barabartë për të gjithë, pa diskriminim, është me rëndësi të veçantë për Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Edhe pse ka pasur zhvillime pozitive në aspektin e mbrojtjes, promovimit dhe zbatimit  të të drejtave të komuniteteve në shumë fusha, jemi të vetëdijshëm se ka ende sfida të shumta dhe gjendja e komuniteteve, edhe atij egjiptian nuk është e mirë, si nga aspekti i diskriminimit edhe ai socio-ekonomik. Si rezultat i papunësisë së këtij komuniteti varfëria është prezente, ende kemi nevojë që ky komunitet të përfshihet në arsimim, e sidomos në arsimin e lartë dhe atë profesional. 
Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë përkushtimin e saj për të përmirësuar kushtet socio-ekonomike përmes gjithëpërfshirjes dhe avancimit të të drejtave të komunitetit egjiptian. Ne jemi krenarë që sot e kemi ministrin e Pushtetit Lokal të Qeverisë tonë nga radhët e këtij komuniteti, një aktivist politik i vyeshëm e i ndershëm, i cili u përcaktua palëkundshëm për ndryshime edhe në opozitë.
Ne synojmë që ta zbatojmë në plotni Ligjin nr. 06/L – 114 për zyrtarët publikë, me të cilin përcaktohet që në institucionet publike qendrore, minimum 10% e vendeve të punës në të gjitha kategoritë e zyrtarëve publikë duhet të plotësohen nga pjesëtarët e komuniteteve.
Do të punojmë në përmbushjen e premtimeve të vendosura në Programin e Qeverisë, ku prioritet në kuadër të Qëllimeve Strategjike dhe Objektivave Operacionale të Zyrës së Kryeministrit është përfshirë edhe përmirësimi dhe avancimin i gjendjes së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian përmes zbatimit dhe monitorimit të këtyre politikave. Me qëllim të arritjes së këtij prioriteti, kemi paraparë një mekanizëm për nxitjen, promovimin dhe bashkërendimin institucional të punësimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në institucionet publike.
Gjithashtu për avancimin e përgjithshëm të situatës, tani jemi në fazën e parë për të zhvilluar strategjinë për përfshirjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, duke u bazuar në kornizën e re strategjike të BE-së për përfshirjen e komuniteteve 2020-2030.
Qeverisja e mirë, sundimi i ligjit dhe barazia e të gjithë qytetarëve para ligjit mbetet qëllimi dhe synimi jonë kryesor. Një nga objektivat më të rëndësishme të Qeverisë së Republikës së Kosovës mbetet hartimi dhe zbatimi i politikave dhe legjislacionit që përmirësojnë dhe përmbushin të drejtat dhe shërbimet e qytetarëve në vend, sidomos me fokus në grupet më të margjinalizuara të shoqërisë, duke përfshirë edhe qytetarët e komunitetit egjiptian.
Ndërgjegjësimi institucional është pikënisja, shteti duhet të veprojë, e krahas kësaj edhe puna e përbashkët me qytetarët. T’i ndjekim shembujt e mirë të bashkëpunimit, dhe të veprojmë aktivisht për përmirësimin e mirëqenies të të gjithë qytetarëve tanë, pa dallim.
Urime 24 Qershori e ju faleminderit.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM