E ngarkuara me punë në Ambasadën e Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar Arrita Gjakova dhe ambasadori i Irlandës në Mbretërinë e Bashkuar Adrian O’Neill, kanë nënshkruar sot në Londër Marrëveshjen për Eliminim të Tatimit të Dyfishtë sa i përket Tatimit në të Ardhura dhe Parandalimin e Evazionit dhe Shmangies Fiskale mes Republikës së Kosovës dhe Irlandës.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje shënon një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve ekonomike e tregtare mes të dyja shteteve dhe bashkëpunimit në çështjet tatimore. Me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje do të mundësohet aplikim më i drejtë dhe thjeshtëzuar i tatimeve për shtetasit e Kosovës që jetojnë në Irlandë dhe anasjelltas.
Po ashtu, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje paraqet një hap të rëndësishëm në zbatim të kërkesave që dalin nga Marrëveshja për Stabilizim-Asociim me BE-në, duke përafruar Kosovën në të ardhmen e saj evropiane, thuhet në komunikatën për media e MFPT-së.