Nënkryetari i Komunës së Kaçanikut, Ylber Bajra, tregon se që nga vitet 2000-2001 agjensionet të ndryshme perëndimore të Lindjes kanë vepruar në Kosovë kryesisht në qytetet më të varfëra për nga ekonomia. Ai thotë se një pjesë e rinisë janë kyçur në fushën e radikalizmit ose ekstremizmit të dhunshëm pa vetëdije, të papërgatitur dhe ndoshta më shumë për qëllime materiale se sa të besimit. Tutje shton se edhe në Komunën e Kaçanikut kishte raste të tilla, thotë se në vitin 2013 numri i kaçanikasve ka qenë me dhjetëra të cilët kanë qenë në luftëra të ndryshme dhe besonin që kjo është e drejtë.
Ai tregon se për këtë aspekt Komuna e Kaçanikut ka bërë orvatje të vazhdueshme.
“Si komunë kemi bërë përpjekje përmes takimeve të ndryshme me shoqata, agjensione që kanë qenë drejtpërdrejt të kyçura në parandalim. Në nivel vendi nuk është parandaluar ekstremizmi i dhunshëm por është shëruar pjesërisht se ne nuk kemi pas ndoshta edhe përgatitje për parandalim dhe ndodhi” , u shpreh ai.
Ai thotë se fakti që nga viti 2016 nuk ka asnjë rast të një shqiptari kaçanikas që ka marrë pjesë në luftëra në emër të fesë dëshmon për një risocializim ose riedukim të masave për të cilat thotë se vend meritor ka edhe komuna edhe institucionet e tjera që janë marrë me këtë temë.
Sipas Institutit të Kombeve të Bashkuara për Trajnim dhe Kërkim (UNITAR), grupet ekstremiste të dhunshme dhe terroriste kanë tendencë të zënë rrënjë në zonat e marxhinalizuara. Këta njerëz përdorin trajtimet e padrejta në lokalitet, papunësinë, arsimimin e ulët për të rekrutuar qytetarë të rinj në situata të rrezikshme.
Në vitet 2015-2017 ishte miratuar një plan veprimi për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm. Në manualin për nxënësit, mësuesit dhe prindërit në kuadër të projektit “Fuqizimi i Shoqërisë Civile në Rritjen e Reziliencës së të Rinjve ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm”, ekstremizmi i dhunshëm konsiderohet ndër sfidat më të vështira të ditëve tona. Theksohet po ashtu se sidomos të rinjtë janë të cenueshëm ndaj mesazheve të ekstremistëve të dhunshëm dhe organizatave terroriste. Në këtë material tregohet se për t’i përballuar këto kërcënime brezi i ri kanë nevojë për informim dhe edukim në mënyrë që t’i zhvillojnë njohuritë për të qenë rezistentë ndaj një propagande ekstremiste.
Sipas udhëzuesit të bazuar në webfaqen Reforma Penale Ndërkombëtare, kryesit e veprave terroriste përveç të rinjve mund të jenë edhe fëmijët (nën moshën 18 vjeçare). Ata mund të jenë më të prekshëm në këtë aspekt për shkak të mungesës së pjekurisë dhe gjykimit. Gjithashtu numërohen edhe disa faktorë të tjerë shtytës si varfëria, zhvendosja si dhe ndjenja e fitimit të një identiteti dhe tërheqja ideologjike.
Hulumtimet sugjerojnë që në shoqëritë ku mungojnë përfshirja dhe mobiliteti shoqëror, fëmijët dhe të rriturit mund të ndihen të përjashtuar dhe të izoluar nga strukturat politike, ekonomike dhe sociale. Shtohet se ndërlidhja e këtyre kushteve me ndjenjën e padrejtësisë dhe viktimizimit mund të krijojnë një mjedis toksik brenda të cilit mund të lulëzojë ekstremizmi i dhunshëm.
Nënkryetari i Komunës së Kaçanikut, Ylber Bajra, përmend disa nga gabimet që janë bërë në përballje me këtë dukuri.
“Gabimet në fillim janë bërë ngase institucionet në nivel vendi dhe komunë kur janë marrë me temën nuk i kanë kyç drejtpërdrejt familjarët e personave që kanë qenë të infektuar me ekstremizëm po zakonisht takimet kanë qenë institucionale dhe janë lënë pas dore familjet ose personat që mund të ishin të prekur” , tha ai.
Por, ai thotë se kjo ka ndryshuar kohëve të fundit ngaqë thotë se edhe niveli qendror është më aktiv në kontakte me këto familje: atyre iu është ofruar ndihmë ekonomikisht edhe disa punë afatshkurta varësisht prej profesionit e këto mbase kanë ndikuar që njerëzit të rikthehen.
“Në korrik janë kthyer 11 shqiptarë që kanë qenë duke i mbajtur në burgje në Siri. Nuk kemi kontakte të drejtpërdrejta me ta, nuk kemi listën e emrave të kthyerve por sigurisht me kohë komuna do të ndërmerr masa, hapa që të ndihmojnë në risocializimin e tyre. Ata janë shqiptarë, pjesë e jona, kanë gabuar për arsye të ndryshme dhe ne kemi përgjegjësi t’iu ndihmojmë”, shtoi Bajra.
Sipas tij, ka 5-6 vite që për ketë temë nuk flitet më në Kaçanik.
“Kaçaniku asnjëherë nuk ka qenë çerdhe e terrorizmit ose e radikalizmit ekstrem, e kanë bërë propagandat e ndryshme që ne nuk kemi mundur t’i përballojmë atij fluksi të propagandës karshi Kaçanikut përndryshe numri i kaçanikasve të infiltruar ose të manipuluar në këtë fushë në krahasim me komunat e tjera në Kosovë është më i vogël “, tha ai.
Megjithatë këto shifra kanë qenë të mjaftueshëm që kjo temë të flitet edhe në nivel ndërkombëtar.
Ai tregon se ka vite që mbahen takime të rregullta me grupe të interesit dhe përmend se para dy muajve është mbajtur një takim edhe me rininë ku është diskutuar e njejta temë por shton se edhe në shkolla po ashtu ligjërohet.
Sipas tij, kjo situatë tejkalohet duke i ndihmuar familjet e prekura ekonomikisht dhe me punësim por edhe ata që kthehen me risocializim.
Kryetari i Bashkësisë Islame në Kaçanik, Fidaim Fazliu, thotë se ekstremizmi si dukuri, ka kohë që është bërë sfidë serioze për shoqërinë dhe si i tillë po i sjellë probleme të natyrave të ndryshme.
“Pa dyshim që çdo ekstremizëm është i rrezikshëm por ai që tashmë njihet si ekstremizëm i dhunshëm i veshur me petkun fetar, me premisa të terrorit të vrasjeve, është me pasoja të rënda për njerëzimin dhe lirisht mund të themi se është e keqja më e madhe që po e kërcënon botën “, tha ai.
Sipas tij, kjo dukuri nuk njeh kufij, nuk ka atdhe, komunitet, fe, ideologji të caktuar.
“Ky fenomen që në të kaluarën, pak a shumë ka qenë i heshtur, apo mbase edhe i kamufluar duke qëndruar në pritë për të gjetur momentin e duhur që të shpërthejë me tërë vrazhdësinë e tij, është ekstremizmi i prodhuar nga mësimet dhe interpretimet e ngurta fetare të cilat shpijnë në ekstremizëm të dhunshëm, në radikalizëm e pastaj edhe në akte terroriste “, shtoi Fazliu.
Ai thotë se pavarësisht që populli ynë historikisht është i njohur për kultivimin e mirëkuptimit, tolerancës e mbi të gjitha për mësimin dhe interpretimin e fesë në baza të pastra hyjnore nuk mbeti imun ndaj këtyre keqinterpretimeve.
“Si pasojë e këtyre indoktrinimeve ideologjike, përgjatë viteve 2012-2014, kemi pasur një fluks të të rinjve tanë të cilët ia mësynë vatrave të luftës në Lindjen e Mesme, në Siri dhe Irak, mbase edhe duke mos qenë të vetëdijshëm, se ai udhëtim do të ishte njëdrejtimësh për ta, pa mundësi kthimi, për shumicën e tyre “, u shpreh ai.
Sipas tij, kjo gjendje të cilën ne sot po e shohim dhe përjetojmë edhe shpirtërisht, e kanë sjellë shkaqe të shumta. Ai thotë se janë paaftësia për ta kuptuar siç duhet thelbin e Islamit si fe, që në esencë është fe e paqes, dhe e tolerancës, fe e dashurisë dhe e respektit.
Ai shton se terroristët, me veprimet e tyre, përpiqen të paraqesin mësimet Islame si mësime barbare, të dhunshme e mizore.
“Interpretimi dhe kuptimi i gabuar i porosive të Zotit dhe thënieve të Muhamedit a.s i kanë shtyrë edhe disa nga besimtarët tanë, që të mashtrohen e të lajthiten nga propaganda të tilla, dhe të ju bashkëngjiten këtyre grupeve terroriste siç janë ISIS, AL-Kaida dhe Xhebhetu-n-Nusra”, tha kryetari i BIK-ut.
Ai përshkruan situatën në të cilën ndodhen disa nga muslimanët aktualisht.
“Disa nga muslimanët, për momentin, kanë humbur busullën e orientimit të drejtë, dhe janë duke notuar drejt humnerës së pa kthim, për shkak të interesave të ngushta të individëve, grupeve e klaneve politike, që nuk çajnë kokën as për moral e as për mirëqenien mes njerëzve“, tha ai.
Ai tregon se BIK-u, përgjatë këtyre viteve, u mundua që nëpërmjet deklaratave publike, thirrjeve nëpër media, po edhe ligjëratave vetëdijësuese në çdo vend të Kosovës, t’ua shpjegojë besimtarëve se në Siri dhe Irak, nuk ka kurrëfarë xhihadi të ligjësuar fetarisht, sepse lufta atje po zhvillohet në mes muslimanëve, të një besimi dhe ideologjie.
Fazliu shprehet se që në momentin kur Qeveria e Kosovës inicioi platformën për hartimin e strategjisë kombëtare, ata u kyçën në punën e këtyre grupeve punuese, me përkushtimin më të madh, duke qenë të vetëdijshëm se këtë po e bënin për një interes madhor.
“Pas dhënies së kontributit tonë në Strategjinë Kombëtare kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm, po ashtu dërguam përfaqësuesin tonë në Sekretariatin për Siguri të Kosovës, i cili është një institucion implementues i kësaj Strategjie”, tha ai.
Ai theksoi se prej vitit 2015, kur plani për implementimin e Strategjisë Kombëtare u bë i plotfuqishëm edhe ligjërisht, BIK-u ka ndërmarrë shumë detyra përsipër, që të ndihmojë institucionet kosovare në këtë rrugëtim.
Tutje thotë se gjatë vitit 2015, janë mbajtur ligjërata vetëdijësuese nëpër shumë prej xhamive të Komunës së Hanit të Elezit, Kaçanikut, Ferizajt, Vitisë dhe Gjilanit.
BIK-u dhe Ministria e Drejtësisë kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, në të cilën parashihet që në të gjitha burgjet e Kosovës apo shtëpitë korrektuese, të dërgohen imamë, të cilët do të jenë në shërbim të burgosurve.
“Ata do të kenë edhe një obligim shtesë, që të përpiqen të deradikalizojnë të burgosurit të cilët tashmë janë në vuajtje të dënimit, pikërisht për pikëpamjet dhe veprimet e tyre të cilat nga gjykatat janë cilësuar si vepra terroriste apo nxitje e urrejtjes“, shtoi ai.
Fazliu tregoi se në bashkëpunim me Drejtorinë Qendrore të Burgjeve të Kosovës, dhe me kërkesën e tyre, BIK-u ka kontrolluar të gjitha bibliotekat e burgjeve. Ai shton se është bërë pastrimi i të gjithë titujve apo librave, të cilat kanë përmbajtje agresive. Përpos kësaj ai thotë se ky institucion në të gjitha burgjet e Kosovës ka dërguar literaturën e vet, “e cila është në përputhshmëri të plotë me Islamin të cilin e predikojmë dhe praktikojmë tash e 6 shekuj”.
Si punë tjetër të përbashkët me Ministrinë e Arsimit, Kulturës Rinisë dhe Sportit, ai thotë se kanë filluar një cikël ligjëratash me nxënësit e shkollave të mesme për t’i vetëdijësuar ata për rreziqet e këtij fenomeni. Ai shprehet se ndër më të prekurit janë të rinjtë dhe gratë.
BIK-u nëpërmjet dy departamenteve për këta persona ka disa muaj që ka ndërmarrë një fushatë nëpër xhamitë e Kosovës.
Si punë të radhës tregon se janë duke u përgatitur botime të librave dhe broshurave kundër ekstremizmit, të cilat do të shpërndahen nëpër xhamia, shkolla. BIK-u është duke bashkëpunuar edhe me disa shoqata vendore, ndërkombëtare, me ambasadat e vendeve mike, si dhe me komunitetet fetare në vend dhe jashtë vendit.
Fazliu tregon se kohëve të fundit, me komunitetin musliman të Shqipërisë, janë bashkëimplementues të një programi të tillë që në fokus e ka luftimin e ekstremizmit dhe financohet nga Bashkimi Evropian.
Ai shprehet se BIK-u është e angazhuar në mbrojtjen e njerëzve sidomos të rinjve nga kjo dukuri.
“Bashkësia Islame e Kosovës me tërë potencialin e saj është jetikisht e përkushtuar që të ruajë shoqërinë tonë e sidomos të rinjtë tanë nga mësimet radikale që shpijnë në ekstremizëm”, tha ai.
Nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës tregojnë se institucionet e Kosovës me kohë kanë identifikuar kërcënimet që paraqesin ideologjitë ekstremiste, duke i adresuar këto shqetësime, falë masave konkrete që janë marrë në parandalimin dhe luftimin e përhapjes së ideologjive ekstremiste dhe terrorizmit ka rezultuar që situata aktuale të ndryshojë në krahasim me vitet 2013-2014. Veprimet që janë ndërmarrë kanë ndikuar që Kosova të vlerësohet lider në nivel rajonal por edhe më gjerë, sidomos në trajtimin e fenomenit të luftëtarëve të huaj.
Institucionet e sigurisë, në bashkëpunim me prokurorinë speciale, dhe organet tjera kanë arritur që me mjaft sukses të adresojnë të gjitha kërcënimet e mundshme nga ekstremizmi i dhunshëm.
Nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës thonë se detyrë e PK-së është parandalimi dhe luftimi i çdo lloj kriminaliteti.
“Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar që të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie apo religjioni. Policia e Kosovës si institucion i sigurisë, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të çdo forme të kriminalitetit dhe veprave tjera penale, bashkëpunon shumë ngushtë me të gjitha institucionet relevante, por edhe shoqërinë civile dhe qytetarët në përgjithësi“, thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim të Policisë së Kosovës.
PK thekson angazhimin e vazhdueshëm që kanë për këto çështje.
“Policia e Kosovës, sipas misionit dhe detyrave të saj, në mënyrë të vazhdueshme është e angazhuar në përmbushjen e aktiviteteve dhe objektivave të parapara sipas Strategjisë për parandalimin e përhapjes së ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, aktivitetet të cilat janë të inkorporuara në strategjinë e PK-së “, pohon PK.
Sipas të dhënave të fundit në dispozicion të Policisë së Kosovës numri total i të kthyerve është 253, me urdhër të PSRK janë lëshuar vendimet për ndalim për shatë 7 persona të moshës madhore ndërsa në zonën e konfliktit janë edhe 82 persona, prej të cilëve 35 burra, 8 gra dhe 39 fëmijë.
Psikologia Mirlinda Axhami-Hysa sqaron termin e ekstremizmit të dhunshëm.
“Ekstremizimi i dhunshëm është pozicioni apo qëndrim i pazakonshëm, i paarsyeshëm i një individi për t´i realizuar idetë dhe bindjet e tij. Në disa raste këto ide shndrrohen në kauza dhe qëllimi i vetëm i personit ose i organizatës është realizimi i kauzës duke përdorur secilin mjet i cili i kryen punë, madje duke anashkaluar secilën normë dhe vlerë shoqërore “, thotë ajo.
Ekstermizimi fetar, thotë ajo, shpesh pasqyron bindjet e thella të individit për çështje fetare, të cilat shndërrohen në qëndrime e sjellje të caktuara, që pritet të pranohen e të zbatohen si të tilla edhe nga anëtarët e tjerë të shoqërisë.
“Personat të cilët nuk i kanë bindjet dhe besimet e njejta janë të paragjykuar, të papranueshëm por edhe të diskriminuar, jo rrallë i konsiderojnë si gjyhnaqarë dhe si të padrejtë”, tha ajo.
Ajo tregon se vetëm ata që janë përballur me dhunën në familje janë drejtuar tek ajo.
“Kemi pas raste tek të cilët është ushtruar dhunë brenda familjes ngase nuk i janë bindur urdhërave të kryefamiljarit, e që edhe rastet e tilla konsiderohen eksterme ndonëse kanë të bëjnë me ekstermizimi ndaj rregullave familjare. Rregulla e vendosura brenda familjes kanë sjellë problem sepse qenë të vendosura vetëm nga njëri anëtar i familjes dhe është kërkuar të zbatohen nga të gjithë,” thotë Axhamni-Hysa.
Ajo tregon se rastet e bindjeve eksterme formohen tek moshat e reja dhe si pasojë e mungesës së informacioneve.
“Personalisht kam qenë e angazhuar si ligjëruese për ekstremizëm fetar dhe dukuri të ndyshme negative mund të them që informimi dhe vetëdijësimi i të rinjve për këto tema janë arma më e fortë për parandalimin e tyre. Një i ri mund edhe të mos përballet asnjëherë me një rast të tillë por nëse përballet dhe ka informata të duhura e profesionale ai di si të sillet dhe ajo që është më e rëndësishme di si të mbrohet “, tha ajo.
Psikologia thekson se fëmijët duhet të informohen brenda shkollave për këto lloje të temave ngase mund të bien pre e njerëzve dhe e organizatave të papërgjegjshme dhe me qëllime të këqija.
Agim Mjaki, koordinator për sigurim cilësie në shkollën e mesme profesionale ”Feriz Guri dhe Vëllezërit Çaka” në Kaçanik, thotë se komuna dhe disa shoqata kanë organizuar disa debate dhe aktivitete kundër ekstremizmit të dhunshëm për nxënësit e shkollave të mesme.
Sipas tij, këto takime janë efektive ngase të rinjtë e kuptojnë se institucionet po përkujdesen për parandalimin e kësaj dukurie.
“Shkolla jonë nga viti 2021 muaji shkurt ka edhe psikologun dhe pedagogun, të cilët në bashkëpunim me kujdestarin e klasës, drejtorin dhe koordinatorin për sigurim cilësie janë në gjendje të trajtojnë çdo dukuri negative që shfaqet në shkollën tonë përmes takimeve individuale me nxënës dhe takimeve me prindër të nxënësve”, tha ai.
Aktivisti Qëndrim Çallaki, tregon se trajnimet dhe aktivitetet rreth kësaj dukurie kanë qenë të shumta sidomos në kohën kur disa persona morën inciativen për të udhëtuar jashtë vendit aty ku po zhvillohej lufta. Sipas tij, në atë kohë thuajse në çdo javë kishin ndonjë aktivitet në lidhje me ekstremizmin, shumica kishin target të rinjtë që ishin duke ndjekur shkollën e mesme. Ai thotë se të rinjtë tani kanë njohuri të mjaftueshme në lidhje me këtë temë dhe për ta është çështje e mbyllur.
Sipas tij, komuna ka bërë mjaftueshëm sa i përket ekstremizmit të dhunshëm.
“Për mendimin tim komuna ka bërë mjaftueshëm në lidhje me këtë dukuri gjithashtu duke mos lënë anash shkollat dhe organizatat jo qeveritare ku me mundësinë e tyre kanë bërë fushata evente të ndryshme për parandalimin e kësaj dukurie. Tani më të gjithë janë në dijeni për këtë dukuri dhe nuk përmenden në komunën tonë fare. Kjo temë tashmë është e kaluar për qytetarët”, shtoi ai.
Sahide Brati
Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Ministrisë së Administratës Publike të Malit të Zi. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se reflekton pikëpamjet e donatorëve.
Ky projekt mbështetet në kuadrin e projektit rajonal “Së pari Komunitetet: Krijimi i një qendre të shoqërisë civile për të adresuar çështjen e ekstremizmit të dhunshëm – nga parandalimi në ri-integrim” i zbatuar nga Forum MNE (Mali i Zi), Qendra për Iniciativa Ligjore Qytetare (Shqipëri), Shpresa dhe Shtëpitë për Fëmijët BiH (Bosnjë dhe Hercegovinë), Partnerët Kosova – Qendra për Menaxhimin e Konflikteve (Kosovë), Qendra për Tokë të Përbashkët (Maqedonia e Veriut) dhe Qendra Kulturore DamaD (Serbi) e cila financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Administratës Publike të Malit të Zi.