Futbollistja 19 vjeçare nga Gjilani, Kaltrina Biqkaj thotë se dëshirën për futboll e kishte qysh nga fëmijërinë e hershme.
“…çdoherë kam pasur dëshirë të luaj futboll me shokët e klasës dhe të lagjes. Gjithmonë e kam pasur ëndërr të merrem me sport, përkatësisht me futboll, pasi edhe kam talent”, thotë ajo.
Të organizuara, në klube apo në shoqata sportive, vajza të reja kosovare si Biqkaj merren me një sport që dikur e shihnin vetëm nëpërmjet televizionit apo në shkallët e stadiumit si tifoze.
Në Kosovë, futbolli i femrave u zhvillua shumë ngadalë dhe dobët. Para viteve të 90-ta ka ekzistuar vetëm një klub i futbollit të femrave, që quhej “Prishtina”. Pas luftës në Kosovë, më 2002 u formua klubi “Kosova” e Prishtinës, që u udhëhoq nga Halil Sadiku. Në garat 2010/2011 Federata e Futbollit e Kosovës nis me ligën e femrave, ku morën pjesë 8 klube. Sot kemi 11 ekipe të femrave në futboll.
“Me sport kam filluar shumë e re, së pari jam marrë me volejboll, sepse futbolli për vajza nuk ishte aktiv, por më vonë kam filluar me futboll, që tani është bërë profesion për mua”, thotë Liridona Syla për KosovaLive, një prej shumë vajzave, të cilave pasioni për futbollin iu është shndërruar në profesion.
Sipas saj, paragjykimet janë ndër arsyet kryesore pse femrat ende hezitojnë të merren me sport, përkatësisht me futboll.
“Vështirësitë mund të them se janë paragjykimet e shpeshta nga opinioni, ku thuhet se futbolli është sport për meshkuj e kjo mund të ndikojë në mendimin e vajzave, që të heqin dorë nga futbolli”, thotë ajo.
Feride Feka, simpatizante dhe tifoze e futbollit nga komuna e Shtimes thotë se dëshira për të përcjellur futboll i kishte lindur që në fëmijëri, kur me babain diskutonte për pasionin e përbashkët.
“Futbolli ka qenë shumë moti zgjedhja e familjes se çka do të shikojmë në mbrëmje”, thotë ajo.
Por, paragjykimet vërehen edhe sot e kësaj dite edhe përkundër faktit se viteve të fundit dy kosovare – Fatmire Alushi dhe Kosovare Asllani kishin arritur të renditen në krye të futbollit botëror për femra.
Fatmire (Lira) Alushi, tashmë futbolliste e pensionuar, më 2007, me paraqitjet e saj me përfaqësuesen e Gjermanisë e cila fitoi Kupën e Botës, e ishte kampione europiane edhe më 2009 dhe 2013, ishte shpallur futbollistja e tretë në botë.
Kosovare Asllani, shqiptare nga Kosova është ndër futbollistet e para që është nderuar me statujë për kontributin e saj në ekipin kombëtar të Suedisë, ku edhe sot luan si sulmuese.
Diçka, megjithatë, po ndryshon.
“Duke pasur parasysh, se lojtaret të cilat po na përfaqësojnë në garat kualifikuese po na bëjnë çdo ditë e më shumë krenarë dhe kjo është arsyeja që vajzat më nuk po paragjykohen si më përpara. Futbolli është sport për të gjithë dhe ngjall emocione te të gjithë pa dallim gjinie”, thotë tifozja Feka.
Futbollistja Biqkaj konsideron se për krijimin e një ambienti më të mirë për zhvillimin e futbollit të femrave, nevojitet një angazhim i gjithë shoqërisë, sikur edhe përkrahje institucionale por edhe nga mediat.
“Disa nga vështirësitë që përballemi më shumë janë kushtet, pastaj shumicën e herave nuk kemi përkrahje nga publiku”, thotë ajo.
Me gjithë vështirësitë e mëdha, duke thyer shumë tabu, një numër gjithnjë e më i madh i femrave po kyçet në futboll jo vetëm si lojtare, por edhe si trajnere e gjyqtare.
Një kontribut i madh i luftimit të paragjykimeve u bë edhe në shtator të vitit 2019 me formimin e grupit të tifozëve për ekipin e futbollit të Kombëtares së Kosovës, që i bëri bashkë gra dhe vajza të profesioneve të ndryshme.
Vjosa Berisha, producente e filmit dhe iniciatore e formimit të grupit të tifozeve, konsideron se edhe vajzat duhet të jenë të pranishme në stadium për të përkrahur futbollin kosovar.
“Unë jam tifoze e futbollit shumë moti. Kam përcjellur lojërat e Kombëtares që kur ka filluar, edhe në Shkodër edhe në Prishtinë. Por duke u ndjerë pak papërshtatshëm në mesin e shumë meshkujve, kam menduar që duhet të ketë edhe gra, që duan ta përjetojnë lojën në stadium.” – thotë Vjosa Berisha për KosovaLive .
Iniciativa e saj është përshëndetur edhe nga grupi i tifozëve “Dardanët”, të cilët edhe u kanë premtuar mbështetje.
“Ne e kemi mirëpritur këtë iniciativë të vajzave që duan të jenë pjesë e tribunave dhe të përkrahin Kosovën, sepse ato po na bëjnë krenarë në shumë fusha dhe janë pjesa më e ndritur e vendit. Ne aq sa mundemi do t’i përkrahim dhe do të mundohemi që një pjesë të biletave t’i ndajmë për to”, thotë Lulzim Berisha, kryetar i tifozëve “Dardanët”.
Të dy palët kanë bashkëpunim të mirë mes vete dhe në ndeshjet e ardhshme do të mundohen të organizojnë në mënyrën më të mirë për t’i dhënë mbështetje Kombëtares së Kosovës.
“Unë jam pjesë e task forcës që është krijuar për ndeshjet e ardhshme dhe jemi duke organizuar aktivitete interesante. Jam e lumtur, që në mes të simpatizantëve meshkuj jam unë, që përfaqësoj gjininë femërore. Do të mundohem maksimalisht të jap kontributin tim.” ka thënë ndër të tjera Vjosa Berisha.
Futbolli nuk është një sport modern, luhet së paku që 2,500 vite. Megjithatë, interesimi i burrave dhe grave për këtë sport në 50 vitet e fundit është afruar shumë mes dy palëve.
Ndeshja e parë në historinë e futbollit të femrave u zhvillua në Britani, në vitin 1895. Pronarët e fabrikave, ku punonin gratë gjatë Luftës së Parë Botërore, vendosën se do të ishte mirë për punonjëset që të luajnë futboll dhe kështu edhe do të rritej prodhimi në punë. Kështu u inkurajua futbolli i grave. Në vitet 1920 kishte rreth 150 ekipe të grave në Angli. Por, në dhjetor të vitit 1921 futbolli i femrave u ndalua dhe Shoqata e Futbollit kishte thënë se “loja e futbollit është e papërshtatshme për femra”. Disa vite më vonë, më 1971 kjo ndalesë u hoq përfundimisht, me formimin e Shoqatës së Futbollit të Grave. Vitet që pasonin ky sport shënonte çdo herë e më shumë ngritje.
Me një historik dukshëm më të shkurtër, futbollistet e përfaqësueses së Kosovës i këshillojnë të gjitha vajzat që pasion e kanë këtë sport, se mbështetja e ekipit të tyre duhet të jetë dera që duhet hapur, që në të ardhmen të kenë mundësinë që edhe vet të bëhen futbolliste të suksesshme, duke i thyer kështu paragjykimet.
Gresa Mehmeti
Artikulli dhe video janë prodhuar nga KosovaLive në kuadër të programit “Internship & Mentorship”.
Mendimet, të gjeturat dhe përfundimet e paraqitura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk paraqesin pikëpamjet e KosovaLive.