Build Skills with our trainings

Sign up now!

Fëmijët i konsumojnë pijet energjike pa pasur njohuri për to

Gus 24, 2020

Leart Kabashi, 13 vjeç, thotë se pijet energjike i ka shumë për qejf dhe pijen e tij të preferuar, e konsumon goxha shpesh, të paktën dy herë në javë.

“ M’pëlqen shumë shija që e kanë pijet energjike…, edhe të jep edhe energji…”, shprehet Learti.

Ky 13-vjeçar thotë se nuk i di efektet e as përbërësit, por për të është e rëndësishme shija që ka pija.

Pijet energjike pa dyshim janë prej pijeve më të popullarizuara në treg dhe pos një shijeje që pëlqehet shumë dhe çmimit relativisht të lirë, konsumohen me të madhe sidomos nga të rinjtë, por edhe nga fëmijët. Por, pijet energjike përmbajnë sasi të shtuar të kafeinës dhe sheqerit, që mund të shkaktojnë një varg pasojash tek të gjithë, e sidomos tek fëmijët.

Për rreziqet që u kanosen pikërisht këtyre të fundit tregon pediatrja Hamide Latifaj.

Ajo thekson pikërisht kafeinën, si përbërës kryesor të pijeve energjike, e cila, sipas saj mund të çojë edhe deri në vdekje nga mbidoza ose goditja në tru. Sasia e lartë e sheqerit, nga ana tjetër, siç dihet, rrit rrezikun për diabet e mbipeshë.

 “Pijet energjike janë bërë burim i shpeshtë i mbidozave të kafeinës, e cila çon deri  në pagjumësi, varësi, palpitacione të zemrës, jostabilitet emocional te fëmijët, si dhe dehidrim për shkak të hiperaktivitetit, dëmtime të mëlçisë, konsvulsione e në raste shumë të rralla goditje në tru deri në vdekje” tregon Latifaj.

Pediatrja thotë se këto efekte janë më të shprehura te fëmijët, që vuajnë nga sëmundje kronike, si asthma, sëmundjet epileptike e sëmundjet e mëlçisë.

Sipas një hulumtimi të vitit 2016 të iniciativës “Rritu shnetshëm”, e cila kishte për qëllim vetëdijësimin e qytetarëve për efektet anësore të konsumimit të pijeve energjike nga fëmijët, del se 74% e fëmijëve nga 6 regjione të  ndryshme të Kosovës konsumojnë pije energjike, derisa 67% e tyre mendojnë se nuk janë të shëndetshme. 38% e pijeve të konsumuara del se konsumohen në shtëpi, ndërsa 28% në ambientet shkollore. 50%  e pjesëmarrësve në këtë hulumtim deklarojnë se e lexojnë përmbajtjen e pijeve që konsumojnë.

Sipas shkencëtarëve të “U.S Food & Drug Administration”, kafeina mund të jetë pjesë e rëndësishme e dietave të shëndetshme të shumë njerëzve, por marrja e kafeinës në sasi më të madhe mund ta rrezikojë shëndetin tonë. Sipas këtij artikulli, pijet energjike përmbajnë 40-250 miligramë kafeinë, ndyshe prej një pijeje jo-alkoolike që zakonisht përmban 30-40 miligramë dhe një filxhan çaji të gjelbër, që mund të përmbajë deri në 50 mg kafeinë.

Një studim i Shoqatës Amerikane të zemrës gjen se konsumimi i pijeve energjike mund të rrit tensionin e gjakut, ndërsa mund të jetë shkaktar edhe për rritjen e nivelit të tkurrjes së zemrës. I njëjti studim tregon se në SHBA 30% e adoleshentëve mes 12 dhe 17 vjeç konsumojnë pije energjike rregullisht dhe kjo ndikon në rritjen e numrit të të shtruarve në urgjencë dhe të rasteve të vdekjeve te të rinjtë.

Edhe Latifaj mendon se adoleshentët janë më të ekspozuar ndaj këtyre lëngjeve, për shkak, siç thotë ajo, kureshtjes që i karakterizon këta të rinjë për të provuar gjëra të reja, kryesisht të dëmshme për organizmin.

Moshat më të ekspozuara sipas eksperiencës gjatë punës sime në mungesë të statistikave janë rreth 10-17 vjeç, ku raste më të shpeshta kam hasur te gjinia mashkullore”, thotë pediatrja.

Sipas “Consumer Reports”, një adoleshent i shëndetshëm mund të konsumojë deri në 400 miligramë kafeinë në ditë, një grua shtatëzënë mbi 200 miligramë, ndërsa fëmijët 45 deri në 85 miligramë kafeinë në ditë, varësisht nga pesha trupore. Në artikullin e kësaj reviste thuhet se një filxhan kafe përmban rreth 100 miligramë kafeinë, ndërsa një tas kafeje i brendit Starbuck Grande përmban 330 miligramë.

Përveç kafeinës dhe sheqerit, siç tregon edhe Hamide Latifaj, përbërës tjerë të pjeve energjike janë edhe taurina, L-carnitina, guarana e ëmbëlsuesit e ndryshëm.

Në vitin 2014, Lituania u bë shteti i parë i Bashkimit Evropian që ndaloi shitjen e pijeve energjike për të miturit. Ndërsa edhe vendet tjera si Franca, Danimarka, Norvegjia, Gjermania e Uruguaji kanë ndaluar shitjen e pijes Red Bull për shkak të sasisë së lartë të taurinës.

Në legjislacionin e Kosovës, pijet e tilla nuk janë të ndaluara për moshën nën 18 vjeç. Me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit ndalohet vetëm shitja, shërbimi ose dhurimi i pijeve alkoolike dhe duhanit për të miturit, por jo edhe i lëngjëve energjike.

Agnesa Gashi, 15 vjeçare, tregon se i konsumon pijet energjike, por jo aq shpesh. Ajo thotë se pak a shumë e di çfarë përmbajnë këto pije, por nuk mendon se shkaktojnë ndonjë dëm të madh.

I pij ndonjëherë, jo shumë shpesh po nuk jam nga ato që s’i pijnë hiq… E di që kanë sheqer dhe kafeinë, por s’po besoj që kjo shkakton ndonjë dëm shumë të madh, meqë shumë njerëz po i pijnë…”, thotë Agnesa.

Ajo tregon se prindërit e saj e kanë këshilluar të mos i konsumojë këto pije, por nuk është se ia kanë ndaluar plotësisht.

Pediatrja Hamide rolin e prindërve e sheh si kyç, për vetëdijësimin e fëmijëve të tyre për dëmin që këto pije shkaktojnë në organizmin e tyre. Ajo thotë se fëmijët duhet të edukohen nga prindërit për të jetuar shëndetshëm.

…Prindi është pasqyrë për fëmijun, duhet që së pari mos të konsumohen pijet energjike nga prindërit në atë mënyrë japin shembull tek fëmijët. Por gjithashtu duhet edhe të edukohen fëmijët të ushehen shëndetshëm dhe të njoftohen për pasojat që mund t’i shkaktojnë”, thotë Latifaj.

Shumë prej fëmijëve që i konsumojnë këto pije, e bëjnë atë në ambientet afër shkollave e shpesh edhe brenda tyre.

Këtë e pohon edhe mësimdhënsja në Shkollën Fillore “Naum Veqilharxhi”, Ajnishahe Kabashi. Ajo tregon se shumë nxënës kur kthehen nga pushimi i gjatë shihen duke konsumuar pije energjike, të cilat i blejnë në dyqanet afër shkollës.

Shishet e kanaçet me pije energjike në duart e nxënësve tanë i shohim çdo ditë, kryesisht gjatë pushimeve të gjata. Unë mundohem që gjithmonë nxënësit e mi t’i këshillojë që të mos pijnë pije të tilla, sepse janë shumë të dëmshme për organizmin e tyre. Por jo gjithmonë është në dorën tonë, se edhe prindërit duhet të kujdesen për këtë punë, por fatkeqësisht shumë prej tyre nuk i kontrollojnë fëmijët se çka konsumojnë në shkollë”, thotë ajo.

Mësimdhënësja Kabashi tregon se janë dy dyqane afër shkollës ku ajo punon, në të cilat nxënësit blejnë rregullisht,  ndërsa edhe i treti nuk është shumë larg. Sipas saj, këto dyqane nuk kontrollohen nga askush për atë se çka shesin dhe kujt ia shesin.

Pediatrja Latifaj thotë se edukimi për rëndësinë e ushqimit që konsumojmë duhet të bëhen në shkolla. Ajo e sheh si të domosdoshme përfshirjen në planprogramet shkollore lëndën e edukimit shëndetësor, e cila, përveç rëndësisë së ushqimit të shëndetshëm do të përfshinte edhe edukimin seksual dhe atë për shëndetin mental.

Diellëza Kabashi

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM