Build Skills with our trainings

Sign up now!

Pandemia “shpalos”shkeljet që u bëhen punëtorëve në sektorin privat

Nën 26, 2020

Koronavirusi si një krizë e jashtëzakonshme botërore, që po e dëmton jetën ashtu si e kemi njohur, po u imponon gjithashtu një sfidë të madhe individëve si pronarë biznesesh dhe punëtorëve.

Në vende të ndryshme, përfshirë edhe vendin tonë, bizneset po ballafaqohen me sfida të mëdha, disa kanë mungesa të furnizimeve, disa firma po transforojmë modelin e tyre të biznesit ose po përshtatin prodhimin për të përmbushur kërkesën e shfaqur nga pandemia, ndërsa shumë të tjerë po zvogëlohen ose mbyllen, përkohësisht ose përgjithmonë.

Sfidat e tilla për sektorin privat mund të jenë jetike dhe me pasoja negative për tregjet e punës, rrjedhimisht vënë në rrezik punën e miliona njerëzve. Përderisa firmat mbyllin ose zvogëlojnë aktivitetet e tyre, qoftë për shkak të kufizimeve të qeverisë, mungesës së lëndëve të nevojshme për të zhvilluar biznes, një numër në rritje i punëtorëve në sektorin privat janë pushuar nga puna.

Edhe në sektorin privat ka dallime midis punëtorëve – pra, atyre të përhershëm dhe atyre të përkohshëm. Përkundër faktit që të gjithë vuajnë nga kriza, punëtorët e përhershëm (ata me kontrata të përhershme) për dallim nga ata të përkohshëm, rëndom gëzojnë një qasje më të mirë sa i përket mbrojtjes sociale.

Në disa vende, si në Xhamajka dhe Kazakistani, punëtorët e përhershëm mund të mbajnë punën e tyre me sigurime shoqërore duke paguar për një pjesë të pagës së tyre ose mund të kenë mundësinë të paraqesin sigurimin e papunësisë dhe kujdesin shëndetësor.

Në ndërkohë, si më të rrezikuar nga gjithë kjo pandemi, janë punëtorët me kontrata të përkohshme ose sezonale që nuk do të mbulohen nga asnjë prej këtyre masave.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, thotë se pandemia ka vështirësuar shumë jetën e personave të punësuar në sektorin privat.

“E kemi cekur disa herë që mbi 80% e kontratës kolektive dhe ligjeve të punës nuk janë duke u respektuar karshi punëtorëve të sektorit privat”.

Ai tregon se vetëm një pjesë e vogël (rreth 10%) nga ajo çka është Ligj i Punës dhe marrëveshjet kolektive po respektohet, pjesa tjetër aspak.

Kuvendi i Kosovës me qëllim të krijimit të një baze ligjore funksionale, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për marrëdhënien e punës ka miratuar Ligjin e Punës, i cili ka për qëllim të rregullojë të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës, siç përcaktohen me këtë ligj.

Azemi tregon se kanë qëndruar bashkë me punëtorët e këtij sektori pothuajse gati 12 orë dhe shkelja e të drejtave të punëtorit gjatë kësaj kohe pandemie është dyfishuar.

“Duke nisur prej asaj që një pjesë e madhe kanë qenë të rrezikuar direkt me infektim, pastaj me mbylljen totale, punëtorët e sektorit privat që kanë punuar nëpër institucione shëndetësore faktikisht shërbimet e tyre janë trefishuar për arsye që kanë shpenzuar për rrugë, ushqim dhe kemi raste kur në fund të muajit punëtorët më tepër kanë shpenzuar sesa kanë dërguar para në shtëpi”.

Edhe pse bizneset e kompanitë private po përballen me probleme të shumta, sipas Azemit, ndihma nga qeveria ka qenë e barabartë me asgjë.

“Minimumi do të jetë – rreth 10% i kompanive dhe bizneseve që do të mbyllen”.

Azemi tregon se arsyeja pse nuk po shohim mbyllje më të madhe të bizneseve është se pronarët e bizneseve private nuk po e lajmërojnë falimentimin e tyre në ATK dhe kjo e fundit del me një numër më të vogël në shifra zyrtare.

Ai gjithashtu paralajmëron se mbi 100 mijë punëtorë në sektorin privat janë të rrezikuar që të humbasin punën deri në fund të këtij viti.

“Me fillimin e motit të ftohtë, ndërmarrjet që mirren me ndërtim do ta ndërpresin punën e tyre me ç’rast do të kemi një përkeqësim tepër të madh të gjendjes.”

Feim Osmani nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale pajtohet me Azemin se ka shkelje të shumta kur bëhet fjalë për të drejtat e punëtorëve në sektorin privat.

Ai thotë se në përgjithësi të drejtat e punëtorëve nuk respektohen më shumë sesa në masën 40%, mirëpo ai shton se një pjese të ndërmarrësve të cilët sillen korrekt me puntorët porse ata janë pakicë.

“Këtë mundëson kontrolli jo adekuat i organeve kompetente shtetrore dhe të metat e ligjit të punës të cilat shkojnë zinxhirë deri tek gjyqësori i cili në 90% është në mbrtje të punëdhënësve për shkaqe kryesishtë që lidhen me gjyqtarë të korruptuar.”

Osmani thotë se në kohën e pandemisë nuk po respektohen as për se afërmi të drejtat e punëtorëve përveç në sektorët deficitarë për shkak se “fuqia punëtore në këtë fushë është duke ikur nga vendi… ka mungesë e cila detyron punëdhënësit të kujdesen më shumë për punëtorët.

Sipas tij, punëtorëve në përgjithësi nuk u ofrohen kontrata adekuate të cilat do t’ua mundësonin mbrojtjen ligjore në rast të shkeljes së detyrimeve nga ana e punëdhënësit, e si rrjedhojë ka shumë parregullësi në këtë aspekt.

Andi Emini, nga kompania StarLabs, megjithatë tregon se të drejtat e tij në këtë kompani respektohen në nivelet më të lartë të mundshme.

“Unë kam filluar punën që një kohë të shkurtër në këtë kompani, mirëpo së pari mikpritja, e më pas edhe respektimi në pikëpërmi i ligjit të punës (duke përfshirë këtu sigurimin shëndetësor etj), janë për t’u veçuar.”

Nëpër disa vende të ndryshme të botës po synohet një bashkëpunim më i lartë mes qeverisë dhe sektorit privat.

Mary Martin, drejtoresha e Nismës së Kombeve të Bashkuara të Biznesit dhe Sigurisë insiston në një bashkëpunim më të madh mes qeverisë dhe sektorit privat. Ajo merr shembullin e shtetit të Kolumbisë, ku ka ndodhur iniciativa e quajtur ‘Mburoja për jetën’. Si shtyllë kurrizore kjo iniciativë ka qeverinë, Programin i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP), udhëheqësit e biznesit dhe universitetet.

Përmes kësaj, tentohet që kompanitë private të bashkëpunojnë me qeveritë më shumë sesa herave të kaluara. Për shembull në shumë rajone të botës kompanitë private kanë hartuar n projekte me ndikim të shpejtë për të siguruar ujë të pastër për larjen e duarve, pajisjet e dezinfektimit dhe shpërndarjen e ushqimit dhe furnizimeve të tjera thelbësore.

Uranik Emini

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM