I riu nga Gjilani, Blend Selmani tregon se dy herë deri më tani ka marrë pjesë në zgjedhje dhe se ishte ”një eksperiencë e veçantë që të votosh për një parti politike.”
Ai pranon se është habitur nga numri i madh i partive që kanë qenë në fletvotim, ndonëse thotë se nuk e kishte shumë të vështirë për të votuar për kandidatin e preferuar për të.
“Akoma nuk kam votuar në zgjedhjet lokale, mirëpo për këto sa i përket zgjedhjes së një kryeministri, kam votuar dy herë”, thotë ai duke vlerësuar se zgjedhjet në vendin tonë janë duke u përsëritur shumë, “prej 2010-tës deri sot, janë zhvilluar katër palë zgjedhjesh”.
Në Republikën e Kosovës, që ka një sistem shumë partiak, parlamentar, përfaqësues aktualisht janë të regjistruara 45 subjekte/parti politike.
“Pjesa më e madhe e tyre, nuk është se janë funksionalisht aktive jashta periudhave zgjedhore, me përjashtim të subjekteve politike parlamentare të cilat janë dukshëm më të pranishme në jetën politike”, thotë Eugen Cakolli nga Instituti për Demokraci.
Cakolli konsideron që deri te një pasivitet i tillë i subjekteve politike vjen si rezultat i faktit që një pjesë e madhe e këtyre subjekteve janë të vogla për nga numri i anëtarësisë, apo u përkasin komuniteteve, andaj edhe nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare për të qenë pjesë e vazhdueshme e jetës politike në vend.
Sipas analistit politik Valon Syla, numri real i partive reale në Kosovë është katër – Lëvizje Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
“Tjerat janë parti të vogla satelite, kryesisht të lidhura rreth 1 personaliteti, si p.sh. AKR me figurën e Pacollit, apo Nisma me figurën e Limajt, që shikojnë mbijetesën, duke u futur në koalicione parazgjedhore.”
Syla thotë se nëse i shikojmë ligjet, të drejtat dhe kushtetutën, Kosova ka sistem politik liberal. Ai rikujton se sistemi zgjedhor i Kosovës njihet si sistem proporcional dhe është model skandinav, i instaluar nga OSBE si pjesë e protektoratit ndërkombëtar në vitin 2000.
“Në esencë me këtë sistem ‘proporcional’ elektoral që e ka Kosova, nuk mundet vetë një parti të udhëheq dhe ndajë pushtetin… sepse është i paraparë, të bëhen qeverisje me kompromise, duke i futur edhe pakicat në qeverisje. Historikisht, në Kosovë askush s’i ka fituar zgjedhjet mbi 50%, dhe nuk besoj se do t’i fitoj ndonjëherë… sepse sistemi s’e lejon. Ibrahim Rugova me LDK e mban rekordin në vitin 2000 me rreth 46%”.
Fidan Ukaj, politolog thotë se është shumë i vertëtë fakti që Kosova ka shumë parti politike, të cilat kanë dalur si rezultat i pakënaqësive në subjektet e mëdha politike ose duke u themeluar si parti të reja për t’iu bashkuar skenës politike. E, sipas tij, jo gjithmonë duke dalur të suksesshme.
“Numri i madh i tyre vërehet kur janë zgjedhjet, kjo për arsye se ato më herët nuk kanë arritur vota të mjaftueshme për të qenë pjesë e intitucioneve dhe mungesa e anës financiare për të mbajtur aktivitete e pushojnë aktivitetin e tyre. E kështu, kur vijnë zgjedhjet shfaqen me shpresën se do të marrin vota për t’u fuqizuar si subjekte politike dhe të bëhen pjesë e institucioneve”.
Sipas Ukaj thotë mu këtij numri të madh të subjekteve politike duhet falenderuar faktin e një hutie te qytetarët gjatë kohës kur janë zgjedhjet. politike.
“Kjo është arsyeja pse kemi pasur dhe po vazhdojmë të kemi huti të madhe të qytetarëve në votimin e subjektit politik në zgjedhje. Një gjë e tillë prodhon edhe gabime në përcaktimin e qartë të vullnetit të individit për të votuar të preferuarin e tyre.”
Një fenomen që është shfaqur në zgjedhjet e Kosovës, janë votat e pavlefshme dhe në një numër jo të vogël. Dhe ndonëse, numri i fletvotimeve të pavlefshme po ndryshon vit pas viti në Kosovë, asnjëherë nuk është biseduar më thellësisht për këtë fenomen.
Vetëm në zgjedhjet e 2017-tës kanë qenë më shumë se 40 mijë fletvotime të pavlefshme dhe më pas në 2019 gjërat megjithatë kanë ndryshuar pozitivisht.
Eugen Cakolli nga Instituti per Demokraci thekson rëndësinë e edukimit të votuesve, duke pranuar se, megjithatë është një komponentë në të cilën nevojitet ende shumë punë.
Ai thotë ID synon dizajnimin e fushatave të targetuara për votues, të cilët është evidentuar që janë grupet më të predispozuara për të gabuar gjatë plotësimit të fletëvotimit.
“Sa i përket fletëvotimeve të pavlefshme, besoj që si rezultat i presionit të vazhdueshëm por edhe asistencës nga ana e organizatave të shoqërisë civile, në veçanti KDI-së, është shënuar progres me elemente specifike që kanë përmirësuar situatën”, shprehet Cakolli.
Në disa vende të botës, ekziston edhe termi votë e “protestës” e quajtur ndryshe edhe një votë e zbrazët, e pavlefshme etj. Kjo lloj vote është e paraqitur në këtë mënyrë për të shprehur pakënaqësi me zgjedhjen e kandidatëve ose në sistemin aktual që është në atë vend.
Njëra prej aryseve pse ndodh edhe vota protestuese është për të ulur statusin e shumicës së një fituesi të mundshëm që parashihet përpara zgjedhjeve.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpesh herë, “Mickey Mouse” ka qenë historikisht një zgjedhje popullore për të shprehur kënaqësi ose protestë përmes asaj vote.
Uranik Emini
Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.