Build Skills with our trainings

Sign up now!

Rritet numri i grave kosovare që i kthehen bujqësisë

Tet 23, 2019

Kur dikush mendon për profesionin e një gruaje, profesionet e para që i paraqiten në mendje janë: infermiere, mësuese të shkollave fillore, floktare dhe pastruese.

Sipas statistikave të bëra nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), të marra nga anketa e bërë për fuqinë punëtore në Kosovë, thuhet se arsimi, tregtia dhe kujdesi shëndetësor ishin tre punëdhënësit kryesorë për femrat (duke punësuar 54.6% të femrave të punësuara). Tregtia, ndërtimtaria dhe prodhimi janë sektorët më të zakonshëm të punësimit për meshkujt (duke punësuar 43.8 % të meshkujve të punësuar).

ASK-ja ka ardhur në përfundim që gjinia femërore është në numër më të madh të papunësimit. Sipas tremujorit të parë të AFP-së 2019, në Kosovë ka pasur 125.717 persona të moshës 15- 64 vjeç që ishin të papunë, 88.915 nga të cilët ishin meshkuj dhe 36.802 femra. Shkalla e papunësisë ishte 26.9 %, më e lartë ishte te femrat me 31.6%, se sa te meshkujt me 25.4 %.

Këto statistika gjithashtu tregojnë se vetëm rreth 500 persona të gjinisë femërore merren me bujqësi në krahasim me gjininë mashkullore – rreth 13.6 mijë.

Arzije Zenuni nga komuna Shtërpcë e Ferizajt është ndërrmarrëse dhe kultivuese e mjedrës në Shtërpcë, e çertifikuar nga organizata joqeveritare “Kosovo Women for Women” dhe e nderuar nga po e njëjta si humaniste.

Për Arzijen, ky rrugëtim ka qenë i vështirë. Rrugëtimi i saj ka nisur në vitin 2015, kur së bashku me familjen e saj ka vendosur t’i kultivojë pemët e imëta në mënyrë që familja t’i përballojë më lehtë shpenzimet e jetës. Në vitin 2016, ajo iu bashkëngjit trajnimeve njëvjeçare për hortikulturë të organizuara nga “Kosovo Women for Women”, ku pati mundësi të mësojë më shumë rreth përvojave të grave të tjera dhe të krijojë një rrjet të gjerë bashkëpunimi me gratë. Përveç që ka bashkëpunuar me gratë e tjera, Arzija edhe i ka ndihmuar ato që të fillojnë bizneset e tyre. Ajo vazhdon të bashkëpunojë edhe me shoqatat e grave serbe dhe tregon që e vetmja barrierë në bashkëpunimin e tyre është gjuha.

Ne bashkëpunojmë dhe i ndihmojmë njëra-tjetrës për ngritjen e biznesit. Ne takohemi shpesh me shoqatat e grave serbe që kanë dalë nga ‘Kosovo Women for Women’. Problemi i vetëm që e kemi dy palët është gjuha. Unë flas shqip me to, por ato më flasin në gjuhën serbe. Ne e kuptojmë njëra-tjetrën, por kemi edhe gra që na ndihmojnë në komunikimin me to”, thotë Arzija.

Ajo gjithashtu ka dhuruar fidane të mjedrës për gratë të cilat dëshironin të kultivonin këtë pemë të imët. Arzija ka dhuruar fidane të mjedrës në fshatrat Vërban, Lloshkobare, Koshare, Balaj dhe Mazhiq, ku përfituan 88 gra të këtyre fshatrave. Një tjetër akt humanist i saj ka qenë punësimi i grave dhe ofrimi i këshillave për kultivimin dhe kujdesin ndaj mjedrës. Ajo ka treguar që do të vazhdojë të punësojë më shumë gra dhe të rinj e të reja, të cilët janë në kërkim të një pune.

“Ne vazhdojmë t’iu ofrojmë punë grave, të rinjve dhe të rejave në mënyrë që ata që janë të gatshëm të punojnë, të mos mbesin pa punë”, shprehet më tutje Arzija.

Zenuni ka treguar edhe rreth vështirësive për të filluar këtë biznes së bashku me burrin e saj, Imri Zenuni. Ky biznes, sipas saj, ka filluar vetëm me 150 euro e vetëm pas një kohe Arzija ka filluar të aplikojë për grante dhe në këtë mënyrë biznesi i tyre i ka fituar investimet e nevojshme. Ajo gjithashtu tregon se si në fillim madje edhe është paragjykuar nga rrethi shoqëror.

“Shumë njerëz më kanë thënë që si grua nuk duhet të merrem me bujqësi dhe se kjo punë i takon burrave, por unë me përkrahjen e bashkëshortit tim dhe familjes sime kam arritur t’i tejkaloj këto paragjykime e kritika dhe të vazhdoj drejt qëllimeve të mia”, ka shtuar Zenuni.

Për përvojat e grave në bujqësi ka folur edhe këshilltarja për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Viti, Fadile Demerlesi, e cila që nga viti 2001 i ndihmon gratë edhe në mënyrë vullnetare, që të jenë të njoftuara rreth mundësive të zgjerimit të biznesit të tyre, granteve e panaireve të ndryshme.

“Shoqatat e grave janë shumë aktive. Në trajnimin për ‘Pronësinë trashëgimore’ në Viti ka pasur shumë interesim të grave. Gratë duan të kenë më shumë informacione rreth të drejtave të tyre dhe mundësive për ta pasur pronën e tyre”, shprehet Demerlesi.

Demerlesi tregon se një numër i vogël i grave kanë pronën e tyre dhe për këtë arsye ato nuk mund ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre. Në Viti vetëm shtatë gra janë të regjistruara si fermere, ndërsa janë mbi 10 shoqata të grave që merren me bujqësi dhe me ushqime tradicionale.

Gruaja është pjesa kryesore e shoqërisë. Nëse në një vend është një grua e civilizuar është më ndryshe sepse e njëjta grua do t’i edukojë fëmijët e saj, do t’i rritë dhe do t’i shkollojë. Është shumë ndryshe kur një grua është e shkolluar dhe kur një grua qëndron vetëm brenda e nuk ka kontakte”, thotë ajo.

Demerlesi është në kontakt të vazhdueshëm me gratë dhe iu ndihmon atyre pa marrë parasysh kur ato kanë nevojë. Aktivizmi i Fadiles është një shembull për shumë gra. Së bashku me komunën e Vitisë, ajo ka arritur që t’i njoftojë gratë njëra me tjetrën përmes trajnimeve dhe panaireve të ndryshme, në mënyrë që të arrijnë të bashkëpunojnë njëra me tjetrën dhe t’i arrijnë qëllimet e tyre. Shumica e grave janë kultivuese të kumbullave, të arrave, të mollave, të dardhave, të dredhëzave, të mjedrave, të vishnjeve dhe të bimëve mjekuese aromatike.

Vlora Qosaj është një bashkëpunëtore e Fadile Demerlesit. Që nga viti 2014 është trajnere në organizatën joqeveritare “Kosova Women for Women”. Ajo ka organizuar trajnime në 18 fshatra, ku një fshat më së paku ka pasur 20 gra dhe disa fshatra në maksimum kanë pasur 75 gra. Trajnimet që ajo udhëheq janë për hortikulturë (trajnimet e përgjithshme bujqësore për pemë dhe për perime) dhe në secilin fshat ajo i ka 23 takime, ku secili takim zgjat rreth 1 orë e 30 minuta. Ajo gjithashtu jep trajnime për bazat e biznesit që janë të nevojshme për gratë që dëshirojnë të hapin bizneset e tyre.

“Është shumë mirë dhe inspiruese të jesh trajnere. Pas përfundimit të Bachelorit në Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë, kam aplikuar në ‘Kosova Women for Women’ si trajnere. Jam duke u bindur çdo ditë e më shumë që gratë kanë nevojë për stimulim për të ndërrmarrë hapat e tyre. Shumë prej grave kanë qenë gra që me të vërtetë kanë dashur të merren me bujqësi”, thotë Qosaj.

Qosaj gjithashtu tregon se si ndonjëherë kanë probleme me burrat e grave, të cilët nuk i lejojnë gratë të marrin pjesë në këto trajnime apo të fillojnë bizneset e tyre pasi mendojnë që “këto punë nuk janë për gra”.

Një herë isha duke shkuar në fshatin Pleshinë dhe e takoj një plak që më pyet se çfarë jam duke bërë në fshatin e tij dhe pasi i tregoj se jam duke bërë trajnime për bujqësi me gratë, ai m’u përgjigj: ‘Po lene axhës, bujqësinë e kanë lënë burrat e ju gratë e keni kapë’. Unë kam takuar shumë gra të zgjuara që kanë nevojë për mbështetje. Ato janë edhe më të mençura se sa unë, sepse ato e kanë të kryer praktikën në bujqësi, ndërsa unë kam kryer vetëm Fakultetin e Bujqësisë. Një rast i tillë është Arzije Zenuni, e cila ka një histori suksesi. Ajo e ka filluar biznesin familjar në bujqësi përpara se t’i fillojë trajnimet. Ajo ka dëshmuar që është një grua e zonja, e mençur dhe që mundohet shumë t’i ndihmojë edhe gratë e tjera.”

Vlora Qosaj si trajnere mundohet t’i njoftojë gratë me metodat më të reja për t’i mbledhur apo për t’i kultivuar bimët. Ajo u jep këshilla, mbështetje të plotë grave në bizneset e tyre dhe është në kontakt të vazhdueshëm me to. 

“Ne u’a japim hapat e para grave për të filluar bizneset e tyre dhe i ndihmojmë gjatë rrugëtimit. Shumë gra kanë probleme në regjistrimet e bizneseve të tyre. Në Viti është Fadile Demerlesi që iu ndihmon shumë grave, ndërsa në Ferizaj kanë shumë probleme, por mundohemi t’u ndihmojmë për aq sa mundemi”, thotë në vazhdim Qosaj.

Sipas Fadile Demerlesit dhe Vlora Qosajt numri i grave që merren me bujqësi po rritet, ndërsa ato gra që kanë filluar bizneset e tyre nuk janë dorëzuar dhe vazhdojnë të merren me bujqësi.

Sofije Zenuni

Ky artikull është prodhuar nga KosovaLive në kuadër të projektit Womedia i cili financohet nga Swiss Agency for Development and Cooperation dhe implementohet nga Enhancing Youth Employment.Mendimet, të gjeturat dhe përfundimet e paraqitura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk paraqesin pikëpamjet e donatorëve.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM