Build Skills with our trainings

Sign up now!

Mosndëshkimi i ngacmimeve seksuale “peng” për raportimin e rasteve

Sht 7, 2020

Dhuna me bazë gjinore ndaj grave, shkelje kjo e të drejtave të njeriut, në Kosovë është e përkufizuar edhe te Ligji për Barazi Gjinore dhe Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi.

Njerëzit në Kosovë por edhe në vende të tjera kanë përceptim të ndryshëm mbi termin se çka është në të vërtetë ngacmimi seksual? Jo gjithmonë ngacmim seksual përkufizohet si puthja, ledhatimi ose kontakti fizik i padëshiruar, ekzistojnë edhe forma të shumta të sjelljes verbale, joverbale dhe fizike, të cilat mund të identifikohen si ngacmim seksual.

E gjitha kjo mbase ndryshon nga komunikimi ndërkulturor, i cili paraqet një diversitet kulturash në vende të ndryshme. Ka raste kur puthja në faqe gjatë përshëndetjes shihet si sjellje normale, ndërkaq në kultura të tjera ajo konsiderohet si vardisje seksuale.

Avokatja Adelina Resmi Hoxha, shpjegon se Kodi Penal i Republikës së Kosovës (nr.04/L-082) nuk e ka të përfshirë veprën “Ngacmim seksual” si vepër penale të veçantë.

“Personat që me sjelljet e tyre, duke mos përjashtuar edhe ato seksuale,  i shqetësojnë ‘viktimat’, të dëmtuarit deri në atë masë sa të kenë frikë për jetën e tyre apo të fëmijëve e familjarëve të tyre konsiderohet se kanë kryer veprën – Ngacmim nga neni 186 i KPK”.

Hoxha thotë se arsyeja e mungesës së elementeve të veçanta në bazë të të cilave edhe ndërtohet figura e veprës penale të ngacmimit seksual ka rezultuar që kjo vepër të mos trajtohet si vepër specifike kriminale.

“Deri atëherë personat që konsiderojnë të jenë të dëmtuar nga veprimet e vazhdueshme seksuale duhet të dëshmojnë se janë vënë nën frikë për jetë, lëndim apo dëmtim të pasurisë si (humbja e punës)  nga vëzhgimi dhe ngacimi i vazhdueshëm i kryesit të veprës”, përfundon avokatja.

Hollaback dhe Universiteti Cornell, në një studim kërkimor gjatë viteve 2014-2015 në 42 qytete rreth globit, përfshinë mbi 16,600 të anketuar, duke e bërë këtë studim analizën më të madhe të ngacmimit në rrugë deri më tani.

Në një përgjigje me shkrim për KosovaLive nga Policia e Kosovës bëhet me dije për një statistikë shqetësuese për vendin tonë: gjatë vitit 2020, konkretisht gjatë muajve janar-korrik janë raportuar 51 raste me ngacmim seksual, 31 prej të cilave janë regjistruar si sulm seksual.

Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, e sheh ngacmimin seksual si edhe një tjetër diskriminim gjinor.

“Në parim, ngacmimi seksual mund të paraqitet në forma, raporte të ndryshme dhe i prekë të gjitha gjinitë. Sidoqoftë, praktikisht gratë ngacmohen dhe sulmohen seksualisht dukshëm më shumë sesa burrat”.

Demolli thotë se deri më tash në ministritë apo në zyrat në varësi të tyre, nuk ka pasur ndonjë raportim lidhur me numrin e rasteve të ngacmimit seksual në vendin e punës, ndërkohë që rikujton se legjislacionet në fuqi në harmoni me direktivat evropiane garantojnë me ligj trajtim të barabartë në vendin e punës dhe ambient të përshtatshëm.

“Në këtë kontekst, gratë dhe burrat që përjetojnë akte të çfarëdoshme të ngacmimit seksual mund t’i drejtohen institucioneve dhe mekanizmave. Policia, Prokuroria Gjykatat themelore (divizioni i krimeve) Inspektorati i Punës dhe Ombudsperson janë instucione që merren me këtë çështje dhe këtu mund të raportohet”, thotë Demolli.

Erza Kurti, koordinatore e Projektit në Rrjetin e Grave të Kosovës shpjegon se ngacmimi seksual përfshin sjellje të padëshiruara seksuale, kërkesa apo favore seksuale në këmbim të punësimit apo diçka tjetër, si dhe ngacmime të tjera të kësaj natyre në rrugë, në shtëpi, në ambiente të punës apo shkollore.

Kurti thotë se edhe djemtë e burrat mund të jenë pre e ngacmimeve seksuale, sidomos kur i takojnë komunitetit LGBTQI.

Rrjeti i Grave të Kosovës ka bërë një hulumtim mbi ngacmimin seksual, nga i cili llogaritet se 48.5% e kosovarëve kanë përjetuar ndonjë formë të ngacmimit seksual gjatë jetës së tyre. Prej tyre 64.1% e gra dhe 32.5% burra.

Hulumtimi nxjerr ne pah edhe faktin se burrat kanë më shumë të ngjarë të ngacmohen nga shokët sesa nga gratë.

Kurti tutje shpjegon procedurën që duhet të ndjeket nga gratë/vajzat për paraqitje të ngacmuesve.

Sipas Kodit Penal kushdo që ngacmon seksualisht personin tjetër, në veçanti personin i cili është i ndjeshëm për shkak të moshës, sëmundjes, paaftësisë, varësisë, shtatzënisë, paaftësisë së rëndë fizike apo mendore, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet”.

Është shumë e rëndësishme që secili person që është ngacmuar seksualisht ta raportojë rastin në Policinë e Kosovës apo tek ndonjë institucion tjetër relevant.

Atëherë kur këto raste nuk raportohen, nuk ka as dënime për ngacmuesit dhe nuk ka ndalje të ngacmimeve seksuale, por vetëm rritje e vazhdim të tyre. Pas këtij hapi, institucionet do të duhej ta marrin në dorë rastin dhe duhet ta trajtojnë sipas ligjit.

Një ndër arsyet pse kjo çështje nuk po konsiderohet si një çështje me prioritet prej institucioneve relevante, sipas Kurtit janë raportimet e ulëta. Në hulumtimin e vitit 2016, RrGK-ja gjeti se vetëm 4% e të gjithë personave që kishin pësuar ngacmim seksual e kishin raportuar rastin tek autoritetet, që flet për raste të nën-raportuara.

Uranik Emini

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM