Build Skills with our trainings

Sign up now!

Rrjetet sociale bëhen mjet i pazëvendësueshëm i biznesit

Kor 4, 2019

Të gjithë e dimë se kur vjen puna te shitja e produkteve, reklamimi është gjëja më e rëndësishme. Sot reklamimi apo marketingu ka ndryshuar kahje. Përveç reklamimeve nëpër medie televizive dhe në radio, reklamimet kanë kaluar edhe në platforma online, pra në rrjete sociale. Çdo ditë jemi dëshmitarë të asaj se telefonat e mençur janë bërë pjesë e pandashme dhe e domosdoshme e jetës së secilit person, ku harxhimi i kohës në internet dhe në telefon ka kaluar në shprehi.

Marketingu që ka filluar të zhvillohet nëpërmjet rrjeteve sociale është bërë pikërisht për shkak të kësaj shprehie të përdoruesve, të cilët kalojnë shumë kohë online. Është shndërruar në një mënyrë shumë efektive për të tërhequr klientë nëpërmjet faqes së internetit dhe për të rritur shitjet, e gjithashtu e ka lehtësuar punën e bizneseve për arsye se njerëzit mund të njoftohen me produktet apo shërbimet që ata i ofrojnë dhe e kanë më të lehtë vendimmarrjen.

Edhe pse rrjetet sociale janë të shumta, ato që më së shumti përdoren për reklamim janë Facebook dhe Instagram.

“Kryesisht Facebook dhe Instagram, këto janë dy platforma, ku njerëzit shpenzojnë më së shumti kohë. Te këto të dyja ka më shumë sukses reklamimi sesa në platformat e tjera” – thotë Valon Canhasi, ekspert në çështjet e marketingut digjital.

Valoni është në këtë fushë qe 7 vjet, dhe ai përdor aktivisht reklamimin në rrjetet sociale në baza ditore. Ai si pronar i kompanisë së parë në Kosovë për marketing digjital “Hallakate”, i cili ka klientë të të gjitha industrive kryesore si: American School of Kosova, Meridian Express, Raiffeisen Group, Telegrafi, Gjirafa etj., ua rekomandon këtë mënyrë të reklamimit të gjitha bizneseve në Kosovë, qofshin ato biznese të mëdha apo të vogla, për arsye se ka kosto më të vogël për të tërhequr konsumatorin.

“Kjo u ndihmon bizneseve se në rastin tonë është shumë e lirë, ne mund të targetojmë një masë të madhe me pak para, për shembull me 10 euro mund ti arrijmë 10.000 njerëz. Nëse je një lokal ose një biznes i vogël dhe dëshiron t’i targetosh njerëzit afër biznesit tënd, me 10 euro mund të të shohin potencialisht 10.000 njerëz. Ndër ta mund të gjesh të paktën një klient, i cili do ta përdorë atë shërbim”, thotë ai.

Anda Nila është një vajzë 22 vjeçare nga qyteti i Pejës, e cila merret me punimin e aksesorëve, biznes ky i cili është në treg që nga viti 2016.

Anda Nila Silver është një brend i aksesorëve të punuar me dorë nga argjendi. Që nga fillimi produktet u lansuan në treg nëpërmjet rrjeteve sociale Instagram dhe Facebook dhe porositë bëhen të gjitha online. Ndërsa shpërndarja e produkteve bëhet me postë në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni”, thotë Nila për KosovaLive.

Ajo nuk ka dyqan të vetin dhe të gjitha shitjet i bën online. Njerëzit i shohin në llogarinë e saj në Instagram dhe në Facebook fotot e aksesorëve të punuar nga ajo dhe i blejnë. Për të është një formë shumë e përshtatshme për ta zhvilluar biznesin e saj:

“Të them të drejtën nuk do të zgjedhja asnjëherë ndonjë formë tjetër të reklamimit. Ne si brend e kemi shumë me rëndësi që klientët të ndahen të kënaqur, prandaj u kushtojmë shumë vëmendje detajeve dhe në rast të çdo problemi jemi aty për ta. Kjo ka bërë që biznesi të zhvillohet më shumë.”

Për të, si pronare e biznesit dhe studente njëkohësisht, ajo thotë se kjo formë e reklamimit i është përshtatur.

Me anë të telefonit unë mund t’i kontrolloj porositë, klientëe gjithashtu edhe shpërndarjen e porosive, prandaj për të thënë shkurt është perfekte”, thotë ajo.

Edhe Isuf Dreni, pronar i kompanisë “Jusa Print”, thotë se rrjetet sociale janë më të përshtatshme për ta zhvilluar biznesin, ku Instagramin e veçon si rrjet që i ndihmon më shumë për shitje.

“Rrjetet sociale që i shfrytëzojmë për marketing janë Facebook dhe Instagram, mirëpo duke e parë rritjen e hovshme të Instagramit kohëve të fundit, i kemi dhënë prioritet”tha Dreni.

Edhe Nila pajtohet me këtë.

“Aksesorët gjithmonë lansohen si në rrjetin social Instagram ashtu edhe në Facebook, por reklama ka më shumë sukses kur bëhet në Instagram”, thekson ajo.

Me koston shumë të ulët për të arritur te personat potencialë për blerje, dhe me faktin se krejt kjo mund të menaxhohet vetëm nga një njeri, Isuf Dreni e sheh këtë si formë të përshtatshme për biznesin e tij me produkte të personalizuara.

“Është shumë e përshtatshme, për shembull një shitës në të njëjtën kohë mund t’i marrë 3-4 porosi e që punën e njëjtë në shitje direkte në dyqan do të duhej ta realizonin disa shitës. Me një fjalë, kostoja është më e ulët dhe mundësia për zhvillim të biznesit është më e madhe”, thotë Dreni.

Në vitin 2018 më shumë se tre miliardë njerëz në të gjithë botën kanë përdorur rrjetet sociale çdo muaj, sipas ‘Global Digital Report’. Nëpërmjet rrjeteve sociale njerëzit komunikojnë dhe ndajnë përmbajtje me njëri-tjetrin. E pikërisht për shkak të kësaj “shpërndarjeje” që bëhet vetëm me një klikim të butonit, është bërë më e lehtë shpërndarja e përmbajtjes te një numër i madh klientësh potencialë. Kjo i ka bërë rrjetet sociale si mjetin më të fuqishëm për marketing.

Anda Gjikolli

Ky artikull është prodhuar nga KosovaLive në kuadër të projektit Womedia i cili financohet nga Swiss Agency for Development and Cooperation dhe implementohet nga Enhancing Youth Employment.Mendimet, të gjeturat dhe përfundimet e paraqitura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk paraqesin pikëpamjet e donatorëve.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM