Në shënim të hapjes së fushatës – 16 Ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore ndaj grave dhe vajzave, Agjencia për Barazi Gjinore, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ka ndriçuar me ngjyrë të portokalltë ndërtesën e Qeverisë së Repubikës së Kosovës.
Sot paradite, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri hapjen e fushatës duke bërë thirrje për gratë që të kenë më shumë solidaritet gjinor, kurse burrat më shumë emancipim për barazinë gjinore. Ai theksoi se përkushtimi institucional e shoqëror për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, vazhdon çdo ditë.
Me sloganin “Ngjyrose botën portokalltë”, fushata ndërkombëtare 16 Ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore ndaj grave dhe vajzave fillon më 25 nëntor, në Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe zgjat deri më 10 dhjetor, në Ditën e të drejtave të njeriut.
Si pjesë e kësaj fushate, ndërtesat ikonike në mbarë botën ndriçohen me ngjyrë të portokalltë, për të sjellë vëmendje në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave. Ngjyra e portokalltë simbolizon një të ardhme të ndritur dhe pa dhunë, për gratë dhe vajzat, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.