Build Skills with our trainings

Sign up now!

Profesorët dhe nxënësit i shohin syzet virtuale si potencial për mësim më efektiv

Dhj 13, 2021

Lirie Gashi, prefesoreshë në Gjimnazin Shoqëror “Ahmet Gashi” në Prishtinë, konsideron se përdorimi i syzeve virtuale në shkolla do të  mund të ishte mjaft efikas dhe do e bënte lëndën edhe më atraktive.

“Edukimi i duhur dhe efektiv është jashtëzakonisht i rëndësishëm, prandaj gjithmonë e tutje jemi në kërkim për gjetjen e reformave më të suksesshme që do të ndikonin në arsim, në mënyrë që marrja e njohurive të bëhet më lehtë, më shpejt dhe në mënyrë më efektive. Një nga këto reforma mund të jenë syzet vizuele”, tha ajo në një bisedë për KosovaLive.

Teknologjia VR (teknologjia e realitetit virtual) nuk është si teknologjitë e tjera dixhitale të njohura (televizori, laptopët, tabletët, telefonat inteligjentë, etj). Ajo lidhet me trupin, trurin, përvojën dhe identitetin në një mënyrë shumë më radikale. 

Syzet vizuale (VR) janë një lloj syzesh që funksionojnë si një pajisje ekrani. Përmes tyre, përdoruesit mund të shikojnë imazhe të krijuara nga kompjuteri. Shikuesi sheh dy imazhe të veçanta – një në secilin sy, të cilat pastaj truri i kombinon për të formuar një imazh tredimensional. Realiteti vizual krijon një mjedis të tërë dixhital, një përvojë 360 gradëshe dhe gjithëpërfshirëse të përdoruesit, përvojë kjo që ndihet reale. Në këtë kontekst, studentët mund të ndërveprojnë me atë që shohin sikur të ishin vërtetë atje.

Ka kaq shumë mënyra në të cilat realiteti virtual mund t’i ndihmojë nxënësit, mes të cilave hyn fakti se nxënësit mësojnë më mirë nëpërmjet përvojës (mësim vizuel), ka efekt frymëzues për të mësuar, ndez imagjinatën dhe inkurajon të menduarit krijues duke ndikuar që ata të angazhohen më shumë gjatë mësimeve. Ajo më e rëndësishmja është fakti se të mësuarit përmes këtyre syzeve ka më shumë gjasa të kalojë në kujtesën afatgjatë; rrjedhimisht rrit edhe efektivitetin e të mësuarit.

Nxënësi i kësaj shkolle, Gent Krasniqi, mendon se do ishte mirë nëse do të kishin alternativa të reja të mësimit, duke thënë se këto syze gjithmonë i janë dukur të dobishme nëse do i kishin pjesë të orëve mësimore, e veçanërisht në histori, sepse sipas tij është një lëndë që kërkon më shumë të mësuar përmendësh, ose të paktën kështu ligjerohet. 

Edhe profesori i tij i historisë, Enver Llumnica konsideron se lënda e tij do të ishte shumë herë më interesante me prani të syzeve të tilla; monumentet historike, ngjarjet e rëndësishme, të gjitha këto nxënësit do të mund t’i përjetonin si të ishin aty. Mirëpo, sipas tij, ato do të ishin efektive nëse bëhet një program i veçantë ku nxënësit nuk i keqpërdorin këto pajisje, në mënyrë që të mund të shfrytëzohen vetëm për qëllime mësimore dhe të mos shfrytëzohen për lojëra e argëtim. 

“Do të kishte qenë shtysë për nxënësit pak më të dobët në mësime që edhe ata përmes këtyre pajisjeve teknologjike të motivohen për të qenë më aktivë”, thotë ai.

Vlera Bellaqa dhe Laureta Thaçi, nxënëse të klasës së njëmbëdhjetë, mendojnë se në lëndën e historisë do të ishin të dobishme nëse do të përdoreshin, kështu duke përkujtuar ngjarje historike të së kaluarës si të ishin film.

“Shumë shpejt i harroj datat dhe ngjarjet e po besoj që përmes paraqitjes të së kaluarës në lloj filmi, do të kishte me qenë më lehtë për mua që t’i mbaj mësimet në mend më gjatë”, tha 17 vjeçarja Laureta.

Në një raport të Adobe tregohet se, kur nxënësit lexojnë për diçka, ata shpesh duan ta përjetojnë atë. Me syze VR, mësimet e shkollës nuk kufizohen në përshkrimet e fjalëve ose ilustrimet e librave; nxënësit mund të eksplorojnë temën dhe të shohin se si janë bashkuar gjërat. Përveç këtyre, përdorimi i syzeve zhvillon edhe kreativitetin.

Në bazë të këtij raporti, këto syze i mundësojnë përdoruesit të shohë imazhe tredimensionale të cilat japin një iluzion të thellësisë së perceptimit. Për shembull, nëse përdoruesi po përdor realitetin virtual për qëllime arkitekturore, atëherë ai do të jetë në gjendje të shikojë një ndërtesë në kënde të ndryshme dhe të ecë nëpër ose rreth saj. 

Një përqindje e mirë e nxënësve, për shkak të mungesës së vizave, asnjëherë nuk kanë vizituar ndonjë vend të jashtëm. Këtë e mendon nxënësi Dardan Halimi, i cili poashtu tha se do të ishte jashtëzakonisht e mirëpritur nëse sistemi i arsimit në vend do të fuste në përdorim këto syze, e veçanërisht për të parë se si duket bota e jashtme. 

“Kishte me qenë një zëvendësim i mirë por të jetë i përkohshëm”, shtoi ai.

Benefitet e realitetit virtual në arsim shihen si të larta nga shumë edukatorë, por disa ende hezitojnë t’i përdorin ato në klasat e tyre.  Disa e shohin vlerën e VR si argëtim, por jo si mjete efektive mësimore në klasë.  Po kështu mendon edhe nxënësi Alban Rama, sipas të cili këto syze më shumë do të ishin si formë e argëtimit, por që përmes zbavitjes nxënësit kishin për të marrë po ashtu shumë njohuri. 

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM