Sot në Kosovë ka ekonomistë dhe juristë si asnjëherë më parë. Në vitin 2019, edhe ministri i atëhershëm i Arsimit, Shyqyri Bytyqi kishte thënë për media se Kosova ka juristë dhe ekonomistë për së paku edhe dhjetë vitet e ardhshme, e megjithatë numri i studentëve që pranohen në këto drejtime ka vazhduar me ritmin e njejtë.
Hapja e konkurseve për pranimin e studentëve në fakultetet e lartpërmendura, vazhdon të bëhet pa ndonjë analizë të mirëfilltë të tregut të punës, çka ka bërë që të sapo diplomuarit që dalin nga këto fakultet të mos mund të gjejnë një vend pune, e në Kosovë numri i të papunëve vazhdon të jetë i lartë.
Duke u bazuar në matjet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për këtë vit, numri i papunësisë kapë shifrën 25.8 për qind.
Në Kosovë, nxënësit nuk e mësojnë lëndën e orientimit në karrierë deri në përfundim të studimeve e shumica prej tyre asnjëherë.
Laura Bytyqi, nxënëse e gjimnazit “Luigj Gurakuqi” në Klinë, thotë se nuk ka dëgjuar asnjëherë për termin orientim në karrierë dhe se një lëndë e tillë nuk ligjërohet në gjimnazin e saj.
“Në gjimnazin ku ndjek mësimet unë, nuk e kemi lëndën e orientimit në karrierë, bile unë as që e kam dëgjuar të jetë përmendur më parë”, ka thënë Laura.
Ndërsa M.Sh nxënës në Qendrën e Kompetencës në Skënderaj tregon se vendimin për të vijuar drejtimin e arkitekturës në këtë shkollë e ka marrë vetë, nisur nga interesi që e ka pasur qysh i vogël për këtë drejtim. Ai tregon së është i vendosur që edhe studimet t’i vazhdojë në degën e arkitekturës, derisa shprehet se e ka të qartë se çfarë do të studiojë.
“Personalisht kam vendosur se çka të studioj, megjithatë kam shumë shokë dhe shoqe që nuk janë të sigurtë së cila do të ishte zgjidhja e duhur, për këtë arsye, lënda e orientimit në karrierë besoj që do t’u ndihmonte jashtë mase”, thotë M.Sh.
Sipas të dhënave në Ministrinë e Arsimit, pak më shumë se gjysma e nxënësve në Kosovë vijojnë mësimet në shkolla profesionale.
Nxënësit sipas tipit të shkollave
Gjimnaze ◻ Shk.profesionale ◻
Një zinxhir i logjikshëm ekziston mes gjithë këtyre që u përmendën, pasi mungesa e orientimit në karrierë rritë mundësinë që nxënësit të bëjnë zgjedhjen gabuar lidhur me studimet e larta e pastaj zgjedhjet e gabuara në studime nënkupton potencialisht mundësi më të mëdha të papunësisë.
Eli Vula, studente në vitin e dytë në degën e gazetarisë thotë së është e kënaqur me fushën që është duke studiuar dhe se indikator kryesor pse ka zgjedhur një fushë të tillë për studim është vetë ajo, përkatësisht pasioni që ka për shkrim, megjithatë nuk e anashkalon faktin që po të kishte mundësinë do ta ndërronte fushën e studimeve.
“Nëse kisha pasë mundësi ta ndërroja fushën, do të studioja letërsi apo sociologji ose edhe filozofi”, tha Eli, studente e Gazetarisë.
Qëllimi i Ligjit për Arsimin dhe Aftësimin Profesional (AAP) është që të rregullojë sistemin e arsimimit dhe aftësimit në pëputhje me nevojat e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit tonë duke përfshirë këtu edhe nevojat e tregut të punës. Poashtu arsimi dhe aftësimi profesional synon që t’i pajisë nxënësit më njohuri, shkathtësi por edhe me aftësi praktike të cilat nxënësi mund t’i përdorë në profesionin e vetë apo në tregun e punës.
Besim Mustafa, njohës i Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe njehërit profesor në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës, thotë se tregu i punës dhe arsimi në Kosovë vazhdojnë të mbesin entitete të ndara dhe nuk kanë kurrfarë bashkëpunimi në mes vete. Lidhur me atë se sa janë shanset që të rinjtë të gjejnë vetën në tregun e punës Mustafa thotë se përparësi kanë ata që kanë zgjedhur drejtimet deficitare.
“Në rastet kur flitet për drejtimet deficitare, apo drejtime ku bizneset dhe janë zhvilluar shpejtë, atëherë ata të kualifikuar gjejnë vend pune shumë shpejtë. Shpeshherë ndodhë që të rinjtë të jenë kontaktuar nga ndërmarrja, për një punësim të mundshëm paraprak. Mirëpo, për fat të keq, për shumicën e profileve, të rinjtë kosovar e kanë vështirë të gjejnë vend pune shumë shpejt”, tha profesori Mustafa.
Por sipas profesorit Mustafa, të rinjtë që nuk janë të kënaqur me fushën e studimit, mund të provojnë sërish në mënyrë që të mos mbesin jashtë tregut të punës.
“Për ata të cilët nuk kanë ndonjë perspektivë në drejtimin për të cilin tanimë kanë vendosur, mënyrë më e mirë, është të shikojnë mundësitë e rikualifikimit në një fushë të përafërt apo edhe krejtësisht tjetër, që konsiderohet së mund ta zotëroj”, tha Mustafa, profesor në Fakultetin e Edukimit.
Në anën tjetër Fatos Gashi mësimdhënës në shkollën e mesme ekonomike “Ali Hadri” në Pejë, tregon se nxënësit zakonisht konsultohen më të për drejtimin që do ta zgjedhin në fakultet. Sa i përket gjasave që këta nxënës të kyçen në tregun e punës pasi të përfundojnë shkollimin e mesëm, Gashi thotë se mundësia që nxënësit që dalin nga shkollat profesionale të punësohen nuk janë të mëdha.
“Meqenëse tregu i punës në Kosovë është shumë i vogël dhe ka shumë të diplomuar në fakultete, mundësia për punësim nga disa profile të shkollave profesionale është shumë i vogël. Megjithatë në profilin hoteleri, turizëm dhe pylltari, gjasat e punësimit pas përfundimit të shkollimit janë më të larta”, thotë Gashi, mësimdhënës në shkollën e mesme ekonomike “Ali Hadri “ në Pejë.
Ka edhe dokumente dhe platforma të cilat mund të gjinden lehtë online sa i përket orientimit në karrierë, e pse shkollat në Kosovë nuk e vendosin në funksion lëndën e orientimit në karrierë kjo mbetet një pikëpyetje.
Në një doracak për mësimdhënës, i publikuar nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Tekn
ologjisë tregohen hapat që mësimdhënësit duhet t’i ndjekin për t’ju ndihmuar nxënësve që të orientohen në të ardhmen në fushat që do t’i ndjekin për studim e më vonë për punësim. Doracaku parashihet për nxënësit e klasave të 6-7, megjithatë në bazë të planprogrameve që kanë shkollat në Kosovë, lënda e orientimit në karrierë mungon.
“Busulla” është një platformë tjetër zyrtare e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë për orientim në karrierë, e që ka për qëllim që t’i stimuloj nxënësit që të njohin më detajisht profesionet të cilat ndoshta nuk i kanë mësuar deri tani gjatë shkollimit të tyre.
Donjeta Abazi
Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.
Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.