Build Skills with our trainings

Sign up now!

Mësimi, i imponuar, online vlerësohet jo gjithaq efektiv

Dhj 20, 2021

Ishin dy rastet e para me Covid-19 që detyruan Qeverinë e Kosovës të merr masa të rrepta për ta parandaluar përhapjen e virusit që tashmë kishte marrë përmasa të mëdha në të gjithë botën.

Me 13 mars të vitit të kaluar u morën vendime nga ana e Qeverisë për mbylljen e shkollave, biblotekave, gastronomisë dhe çdo sektori tjetër që mund të rrezikonte përhapjen e virusit.

Disa ditë pas kësaj filloi mësimi online, si e vetmja mënyrë që nxënësit, studentët e mësimdhënësit ta vazhdonin procesin mësimor.

Disave u pëlqeu kjo mënyrë e mësimit e disave jo. Disa studentë po e shohin si të pazëvendësueshëm mësimin fizik.

 “Personalisht mendoj që mësimi fizik është më efektiv. Kjo për shumë arsye. E para, produktiviteti, si nga mësimdhënësit ashtu edhe nga studentët. Prezenca fizike në klasë të mundëson fokus më të madh dhe nuk të lejon që vëmendja të zhvendoset jashtë klasës. Po ashtu, vlerësimi nga mësimdhënësit është më objektiv, marrë parasysh që një pjesë e vlerësimit varet edhe nga interaktiviteti e që shpesh mësimi online nuk të jep shumë mundësi“, thotë Selamir Qerimi, student i nivelit Master.

Edhe profesori universitar, Rrahman Paçarizi e konsideron mësimin fizik më produktiv duke treguar edhe për vështirësitë e shumta të mësimit në distancë.

Natyrisht që ka pasur dhe ka vështirësi dhe është i pakarahasueshëm me mësimin në prani fizike ku merret feedback i menjëhershëm. Mësimi online kërkon edhe kushte shtesë për mësimdhënësin dhe për studentin (dhomë e qetë, rrjet stabil interneti etj.) si dhe mësimdhënësi duhet të bëjë përgatitje komplementare si power point prezantime në mënyrë që të ruhet vëmendja e studentëve”, thotë ai.

Sipas tij, prania fizike është e pazëvendësueshme pasi “mungon interaksioni i mirëfilltë dhe angazhimi i studentëve për shkak të rrethanave që u përmendën dhe kushteve të tjera”. 

Paçarizi thotë se ka mëdyshje sa i përket efikasitetit të mësimit online.

Unë kam mjaft dyshime për efikasitetin e mësimit online dhe pavarësisht nga përpjekjet nuk jam i bindur që janë arritur rezultatet e synuara”, ka thënë ai për KosovaLive.

E me këtë po pajtohet edhe mësimdhënësja Fatjeta Ahmeti, nga Podujeva.

“Mësimi online ka pasur efekte pozitive, sepse në kohën e pandemisë ka qenë mënyra e vetme e zhvillimit të procesit mësimor, mirëpo nuk ka qenë shumë efektiv në arritjen e rezultateve, të cilat parashihen edhe më kurrikulë”, tregon ajo.

Përmes një bisede për KosovaLive, Ahmeti përmendi disa mangësi të mësimit në distancë, ndër të tjera edhe mungesën e pajisjeve teknologjike për të gjithë nxënësit.

Disa nga të metat e mësimit online janë mungesa e mjeteve teknologjike për nxënësit, vlerësimi i punës së nxënësve dhe dhënia e informatës kthyese me anë të të shkruarit, mungesa e komunikimit në mes mësimdhënësit dhe nxënësit si dhe mospërputhja e njësive mësimore të transmetuara në televizion me planin mësimor të mësimdhënësve”, tha ajo.

I pakënaqur nga qeveria për procesin e mësimit online nëpër shkolla gjatë kohës së pandemisë është shprehur edhe drejtori i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, i cili thotë se mësimi online nuk është dëshmuar efikas dhe se institucionet arsimore dhe komuniteti i shkollës ka qenë i papërgatitur për këtë tranzicion. 

…mungon interesimi i qëndrueshëm i fëmijëve për angazhim gjatë mësimnxënies online, sikurse që mungon përgatitja metodologjike e mësimdhënësve për një mësimdhënie interaktive online. Të gjitha këto pa faj të komunitetit por si përgjegjësi e institucioneve qeverisëse që kanë dështuar që të investojnë në digjitalizimi të sistemit arsimor”, tha për KosovaLive ky njohës i çështjeve të arsimit.

Qehaja thotë se përkushtimi i Ministrisë së Arsimit duhet te jetë instalimi i llogaridhënies në arsimin parauniversitar pasi, sipas tij, llogaridhënia “është katalizatori i ndryshimeve, përfshirë edhe kalimin në mësimin online, në të kundërtën, investime mund të ndodhin, por me ndikim minimal”.

KosovaLive ka kontaktuar Ministrinë e Arsimit lidhur me ndonjë vlerësim të kryer se sa ka qenë efektiv të mësuarit online dhe a kanë arritur të përfshijnë të gjithë nxënësit në këtë proces por deri në kohën kur është shkruar ky artikull nuk ka marrë ndonjë përgjigje edhe pas përpjekjeve të shumta.

Por, sipas një raporti të publikuar në qershor të vitit 2021 nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), renditen disa nga sfidat me të cilat janë përballur përfaqësuesit e MASHT gjatë kohës së pandemisë, si realizimi i mësimit online nëpërmjet televizionit, mungesa e stafit arsimor për t’i zëvëndësuar kolegët e tyre, mungesa e pajisjeve elektronike dhe përdorimi i tyre nga nxënësit dhe prindërit e tyre.

Valona Hasani

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM