Build Skills with our trainings

Sign up now!

Shteti ua lë barrë barnat e tajtimin personave me aftësi të kufizuara

Jan 19, 2022

Përkundër problemeve shëndetësore e gjendjes ekonomike, rreth 77 mijë persona me aftësi të kufizuara sa konsiderohet se janë në Kosovë, vit pas viti ballafaqohen me mungesë të shërbimeve shëndetësore në institucionet publike shëndetësore në vend, e me mungesë të shumë barnave të cilat janë të nevojshme për ta. Në mungesë të tyre, ata detyrohen t’ju drejtohen spitaleve private, shpenzimet në të cilat janë të papërballueshme për xhepin e tyre.

Dardan Zeneli nga komuna e Drenasit i cili që nga viti 2009 është në karrocë, ka rrëfyer për KosovaLive për vështirësitë me të cilat ballafaqohet në mungesë të shumë barnave e shërbimeve që nuk i gjen në institucionet publike shëndetësore.

Që nga viti 2009 ai disa herë ka kërkuar trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Edhe pse i është drejtuar institucioneve publike, ai ka thënë se gjithë terapinë e nevojshme e ka paguar vetë.

Ndërsa, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore e ekonomike, shprehet se ishte detyruar t’i lë në gjysmë edhe studimet.

Unë kam mbetur invalid diku në vitin 2001, por invalid në karrocë që nga viti 2009. Kam diplomuar në Universitetin e Prishtinës në vitin 2005, kam vazhduar masterin në vitin 2011 por nuk e kam përfunduar për këto rrethana shëndetësore e ekonomike. Unë kam qenë disa herë i shtrirë gjatë këtyre viteve në QKUK dhe të gjithë terapinë e kam paguar nga xhepi im”, ka thënë ai.

Zeneli tregon se edhe analizat më të thjeshta që është detyruar t’i kryejë në spitale private, i kanë kushtuar shtrenjtë, në disa raste edhe deri në 500 euro.

Kësisoj, ai thotë se 60 për qind të pagës që merr e shpenzon në barna e kontrolle. Me pjesën tjetër që i mbetet, mban familjen.

Edhe analizat më të thjeshta në spitale private i kam bërë. Ka pasur analiza që kanë kushtuar deri në 200 euro e 500 euro. Edhe pse punoj vet, paga ime 60% shkon vetëm për terapi dhe kontrolle. Unë vet e mbaj familjen, kam dy fëmijë e gruan dhe kujdesem edhe për ta. Pensioni invalidor është ndihmesa e vetme që më jepet nga institucinet e larta”, shton ai.

Drejtori i shoqatës “Handikos”, Afrim Maliqi thotë se në institucionet publike shëndetësore në vend mungojnë shumë shërbime shëndetësore, e barna të nevojshme për personat me aftësi të kufizuara.

Sipas tij, përveç kontrollit bazik mjekësor, të gjitha pajisjet e medikamentet, personat me aftësi të kufizuara i sigurojnë vetë.

“Të gjitha pajisjet, të gjitha medikamentet duhet t’i blejnë, edhe ato medikamente për shumicën e njerëzve janë të përditshme, gjë e cila vështirëson dhe varfëron një familje më shumë se sa që është. Nëse kësaj ia shtojmë edhe situatën e pandemisë, personat me aftësi të kufizuara për shkak të kufizimeve dhe masave që kanë qenë dhe edhe përkundër atyre pak shërbimeve, kanë hezituar t’i marrin shërbimet shëndetësore publike për arsye të frikës”, thotë ai.

Maliqi thotë se shumë familje me fëmijë me aftësi të kufizuara është dashur të largohen nga Kosova për shkak të mungesës së shumë shërbimeve shëndetësore.

Shumë medikamente të cilat i përdorin personat me aftësi të kufizuara, nuk janë fare në listën esenciale të barnave dhe këta duhet t’i blejnë në përditshmëri. Shëndeti iu ka rrezikuar dhe iu rrezikohet çdo ditë e më shumë. Kjo e shton koston çdo herë. Kemi persona apo familje që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara dhe janë ballafaquar me situata aq të vështira sa janë detyruar edhe të largohen nga vendi dhe krejt kjo vetëm për arsye shëndetësore, për trajtim shëndetësor”, ka shtuar Maliqi.

Koncept-Dokumenti për Trajtimin dhe Kategorizimin e Personave me Aftëis të Kufizuara thotë se personat me aftësi të kufizuara janë pjesë e natyrshme dhe integrale e shoqërisë, të cilëve shteti duhet t’u ofrojë garanci dhe mundësi që përmes formave të ndryshme, të mund të kontribuojnë në zhvillimin e vendit dhe të integrohen në procese të ndryshme shoqërore.

Ajhan Saraqi, drejtor i organizatës “Handicap” thotë se statistikat e fundit tregojnë se rreth 75 për qind e personave me aftësi të kufizuara janë raste sociale, andaj edhe kërkon nga qeveria që të mbështet më shumë këta persona.

Ai shprehet se personat me aftësi të kufizuara kanë nevojë për përkrahje të vazhdueshme

Kemi mbështetje nga qeveria për personat me aftësi të kufizuara, por mund të jetë edhe më mirë sepse këta persona kanë nevojë për një përkrahje të vazhdueshme. Marrë për bazë edhe statistikat e fundit, e vërejmë që shumica e personave me aftësi të kufizuara janë raste sociale, 70 deri në 75% e tyre kanë kushte të dobëta ekonomike, prandaj si faktorë kryesorë dhe sfidë kryesore që këta përsona kanë janë edhe kushtet ekonomike”, shton ndër të tjerash ai.

Ajhan Saraqi, gjatë seminarit “Më përfshij edhe mua” në Mitrovicë

Nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës shprehen të shqetësuar se si personat me aftësi të kufizuara nuk po marrin mbështetjen e mjaftueshme në ballafaqimin me shumë sfida.

Kryetari i kësaj shoqate, Daut Tishuki deklaron se këtyre personave u mungon edhe përkrahja sa i përket shërbimeve shëndetësore.

 “Ne si shoqatë dhe vetë kategoria e personave me aftësi të kufizuar nuk kemi përkrahjen e nevojshme nga institucionet e larta qeveritare, mënyra e vetme që ne përkrahemi si shoqatë është nëpërmjet shoqatave dhe organizatave tjera”, ka thënë ai.

Përmes një projekti të “Caritas Kosovës” është konsideruar e rëndësishme që të ofrohen shërbime të specializuara për personat me aftësi të kufizuara, të realizohen aktivitete avokuese për të diskutuar në lidhje me zgjidhjet adekuate për këta persona dhe të rritet mbështetja financiare për të zgjedhur shërbimet sociale të bazuara na komunitet.

Projekti thotë se vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara përfitojnë nga qasja e duhur në shëndetësi, arsim dhe shërbime sociale.

Se personat me aftësi të kufizuara përballen me mungesë të shumë shërbimeve, e po ashtu edhe barnave e materialit shpenzues që u nevojiten, e pranojnë edhe spitalet rajonale në vend.

Nga këto spitale tregojnë se kanë mungesë të mjeteve ortopedike, e edhe të barnave që kërkohen nga këta persona.

Drejtori i spitalit të Gjilanit, Arsim Emini tregon për KosovaLive se u mungojnë mjetet ortopedike për të dhënë shërbime shëndetësore për personat me aftësi të kufizuara.

Nëse kemi të bëjnë me personat me probleme të lëvizjeve të ekstremiteteve atëherë të gjitha mjetet si protezat dhe mjetet tjera ortopedike janë të kushtueshme dhe ne duhet t’i blejmë qoftë nga QKUK-ja apo edhe ndonjë burimi tjetër”, shtoi ndër të tjerash Emini.

Emini thotë se është mjaft shqetësuese se këta persona nuk po gjejnë mbështetje të mjaftueshme në spitalet rajonale e klinika të ndryshme.

Qeveria duhet të ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe të menjëhershëm në lidhje më këto problematika. Në fakt, mbështetja jonë si staf shëndetësor në trajtimin e personave me aftësi të kufizuar duhet të ishte bërë edhe më përpara”, deklaroi Emini.

Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar dhe Protokolli Opsional thotë se shtetet palë njohin faktin që personat me aftësi të kufizuara kanë të drejtën të gëzojnë standardin më të lartë të mundshëm shëndetësor pa diskriminim për shkak të aftësisë së kufizuar dhe se shtetet palë do të marrin masat e duhura për të siguruar aksesin e personave me aftësi të kufizuar në shërbimet shëndetësore të lidhura me gjininë, përfshirë rehabilitimin lidhur me shëndetin.

Nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale deklarojnë për KosovaLive se ende nuk kanë statistika të sakta, por sipas tyre, diku rreth 10 për qind e popullatës në Kosovë llogaritet që janë me aftësi të kufizuara.

Udhëheqësi i Divizionit për Aftësi të Kufizuar dhe Personave të Moshuar në këtë ministri, Qazim Gashi ka thënë për KosovaLive se 25 mijë e 967 persona me aftësi të kufizuara janë përfitues të skemave sociale.

Sipas tij, 18 mijë e 959 qytetarë me aftësi të kufizuara dhe të pa aftë për punë të moshës 18-65 vjeç janë shfrytëzues të skemave sociale për muajin nëntor, 2 mijë e 686 persona që përfitojnë nga skema janë paraplegjikët dhe tetraplegjikët, 1 mijë e 774 shfrytëzues të skemave janë të verbër, 69 qytetarë marrin pension të invalidit dhe 2 mijë e 479 fëmijë me aftësi të kufizuara janë përfitues të skemave sociale.

Gashi tregon se Ligji gjithpërfshirës për Aftësinë e Kufizuar në Kosovë i cili do të jetë ligj i avancuar, është në fazën përfundimtare.

Ky ligj parasheh përpos ndihmës financiare për paaftësinë edhe shërbimet e nevojshme të cilat do të ndikojnë direkt në jetën e personit me aftësi të kufizuar si dhe do të bëhet avancimi dhe integrimi sa më i lehtë i këtij komuniteti. Është aprovuar nga Qeveria e Kosovës edhe Plani e Veprimit për Aftësinë e Kufizuar për vitet 2021-2023, ku ministritë e linjës kanë marrë obligim që t’i plotësojnë dhe realizojnë objektivat dhe aktivitetet e parapara dhe të planifikuara në këtë plan në të mirë të aftësisë së kufizuar”, ka thënë ai.

Neni 5 i Ligjit për Shëndetësi në Kosovë parasheh sigurim të qasjes së plotë ndaj shërbimeve në listën e shërbimeve të kujdesit shëndetësor për të gjithë qytetarët dhe banorët, përfshirë qasjen e lehtë deri te institucionet shëndetësore për personat me aftësi të kufizuara.

Në punëtorinë nacionale, me temën “Integrimi i Agjendës 2030 në kuadrin e planifikimit strategjik në Kosovë”, organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) gjatë muajit nëntor u tha se personat me aftësi të kufizuar e kanë të pamundur qasjen në shumë institucione, andaj kjo gjë u cilësua edhe si shkelje e të drejtave të njeriut.

Rinesa Spahiu

Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM