Build Skills with our trainings

Sign up now!

Mësimi online sfidoi jo vetëm akterët, por edhe mbarë sistemin arsimor

Jan 25, 2022

Jo efektiv e aspak profitabil po vlerësohet të ketë qenë mësimi online, i cili gjatë kohës së pandemisë COVID-19 në Kosovë u bë e vetmja formë me të cilën nxënësit ndjeknin mësimet.

Një formë e re digjitale që nuk ishte praktikuar pothuajse aspak në vend, u bë dera kryesore ku fëmijët filluan të kërkonin dijen.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jashari, shprehet i zhgënjyer me mungesën e një vizioni nga autoritetet kompetente të arsimit për të ndryshuar gjendjen në arsim.

Përveç problemeve me pandeminë COVID, ku nxënësit mbajtën mësim larg bankave shkollore, Jashari thekson se edhe futja e teknologjisë nëpër klasa do të ishte një hap i rëndësishëm që ua mundëson nxënësve qasjen më të lehtë në mësim.

“Shkollat në Kosovë kanë mbetur mbrapa”, thotë ai, derisa thekson se shkollat nga jashtë duken të bukura, por brenda mësimi zhvillohet vetëm me shkumës, shpuzë, tabelë dhe me tekste shkollore që shpesh janë kritikuar.

Sipas Jasharit, pandemina e bëri të qartë një gjë, se fëmijët kosovar nuk janë të përgatitur aspak në fushën e teknologjisë.

“Pandemia tregoi se shkollat nuk ishin të përgatitura në aspektin e teknologjisë dhe kishin shumë sfida kur duhej të kalonin në mësimin online. Pra, shteti duhet të ndajë mjete që t’i bëjë shkollat më të përgatitura për shekullin 21”, thotë Jashari.

Një pjesë e madhe e nxënësve, thotë ai jetojnë në kushte të vështira ekonomike, madje ka familje që nuk ka asnjë mjet të teknologjisë në shtëpi. Pra, sipas tij këta nxënës e kishin të vështirë të kyçeshin, e një pjesë e mësimdhënësve duhej të furnizoheshin me loptop për t’u qasur në mësim.

Vështirësitë e mësimit online i thekson edhe mësimdhënësi, Ragip Ramadani, i cili tha se gjatë kohës së pandemisë kur mësimi mbahej vetëm përmes kamerave, mungonte interaktiviteti i nxënësve.

Sipas Ramadanit, koha kur nxënësit nuk kanë qenë fizikisht të pranishëm në shkolla, ka qenë koha më e vështirë për ta, sepse ata është dashur të merren më shumë me shpjegimet e teksteve shkollore.

Kushtet për një mësim online atraktiv dhe me rezultate të kënaqshme u ka munguar disa nxënësve, sepse disa prej tyre kanë pasur probleme me qasjen në internet. Ka ndodhur kur gjatë orës mësimore online, ndonjërit prej nxënësve iu është ndalur rryma dhe kjo i ka shkaktuar telashe për të dëgjuar deri në fund dhe për të kuptuar shpjegimin e orës mësimore”, ka shtuar ai.

Ai thotë se po t’i kthehemi mënyrës së mbajtjes së mësimit nëpër shkolla dhe të bëjmë një krahasim me atë në distancë, shihet një dallim shumë i madh.

“Duke e marrë parasysh vetë prezencën e nxënësit në klasë edhe po të mos ketë interesim fare, nxënësi prapë mund të arrijë të mësojë diçka gjatë asaj kohe sa është në shkollë. Ndërsa mësimin online shumica prej tyre edhe nuk e marrin seriozisht, duke mos u kyçur fare, ose në shumë raste duke mos pasur mundësi që kyçen për shkak të mungesës së mjeteve elementare të teknologjisë”, konsideron Ramadani.

Kishte dy pyetje para vetes, a të merrej me punët e shtëpisë, apo punën e vet si kontabiliste që po e ushtronte kryesisht online, gjatë pandemisë. Krenare Sylejmani nga Gjilani, nënë e dy vajzave, pati edhe një sfidë tjetër në kohën e izolimit, atë të përgatitjes së ambientit për mësim për dy vajzat e saj, Grelën 7 vjeçe, dhe Brunelën 9 vjeçe.

Sylejmani thekson se ishte e vështirë për të siguruar pajisjet teknologjike për dy fëmijët kur mësimi është mbajtur online.

“Të dy vajzat ishin të angazhuara në të njëjtën kohë, dy ambiente, dy kompjuterë, ishte shumë e vështirë për mua”, ka shtuar ajo.

Ajo thekson se mësimi online ndikoi shumë që vajzat e saj të humbin interesimin për shkollë. Sipas saj, ndonëse dy vajzat ishin shembullore, mësimi fizik për to ishte i pazëvendësueshëm.

Si prind, Sylejmani thekson se pas angazhimit të madh është e kënaqur me vlerësimin për dy vajzat e saj nga mësimdhënësit, derisa shton se përkundër frikës nga infektimi i fëmijëve me COVID, preferon që mësimi të mbahet nëpër klasa.

Analisti për çështje të arsimit, Rinor Qehaja thotë se mësimi nga distanca dhe ai online tashmë janë dëshmuar si jo shumë efikase.

Ai shton se mësimi online vështirë se mund të jetë më efikas në situatën e tanishme dhe me të gjitha të metat e sistemit arsimor, duke përfshirë mungesën e përgatitjes së mësimdhënësve, mungesën e qasjes në mësim dhe përqendrimin nga nxënësit.

 “…(edhe) mungesa e vetëdijesimit të komunitetit për mësimin online, pra, dështimi në efikasitet të mësimit online nuk është befasues, por rikujtues për nevojën për reforma urgjente në arsim”.

Pas shumë problemeve në qasje dhe në përgjithësi të sistemi arsimor, Qehaja thekson se të mësuarit digjital duhet të jetë prioritet institucional.

“Përfshirja e digjitalizimit në strategjinë e re të arsimit është indikator i mirë i një reforme të mirë në ardhje. Mirëpo, e njëjta kërkon përkushtim institucional në zbatim, mësimi digjital ka kuptim, nëse interaktiviteti i nxënësve në mësim do të ishte më i madh”, ka shtuar Qehaja.

Ai thekson se një përfshirje aktive e nxënësve gjatë orëve të mësimit online që do të nxiste edhe interesimin e tyre për pjesëmarrje, kërkon mësimdhënës të përkushtuar dhe të përgatitur profesionalisht për metodologji efektive.

Edhe Halim Hyseni nga Qendra për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit, thekson se nëse gjendja me pandeminë vazhdon rrezikohet e tërë ekzistenca e nivelit të edukimit dhe arsimit.

“Si rrallëherë, arsimi është në këtë gjendje ku ka qenë edhe në vitin 90, derisa tani jemi para një bllokade totale”, thotë Hyseni.

Sipas tij, faktorët që kanë ndikuar që sistemi i arsimit të jetë në kolaps është pandemia dhe mësimi online.

Mirëpo, përveç faktorëve negativ, Hyseni përmendi edhe dy faktorë të rimëkëmbjes së arsimit, derisa theksoi se nëse këta faktorë nuk zbatohen, sistemi i arsimit do të vazhdojë me avaz të vjetër.

Ai shtoi se kjo gjendje do duhej të përbënte një alarm për Qeverinë e tashme e cila po sillet në mënyrë të papërgjegjshme, sepse sipas tij duhet veprime konkrete që arsimi të mos vazhdojë në këtë gjendje.

“Të themelohet një Komision Parlamentar me 2/3 e deputetëve, të përfshihet edhe opozita që t’i paraqesin forcat e ndryshimit të cilat mund të depërtojnë në thellësi dhe e dyta, Sindikata të heshtë”, ka propozuar ai.

E përkundër kritikave për gjendjen e arsimit në përgjithësi, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka pasqyruar pozitivisht planin strategjik të Arsimit në Kosovë prej vitit 2017 deri 2021.

“Kosova ka arritur shkallë të lartë të përfshirjes në arsimin parauniversitar dhe universitar të krahasueshme me praktikat evropiane – përfshirja ende nuk është universale dhe ende mbeten grupe të vogla shoqërore që nuk janë përfshirë në sistem. Gjatë vitit të fundit Kosova ka shënuar ngritje të përfshirjes në edukimin parashkollor dhe parafillor. Kjo ka ardhur në saje të integrimit të një numri të theksur të fëmijëve në edukim parashkollor nga sektori jo-publik dhe investimet publike në disa komuna”, thuhet në planin strategjik të MASHT-it.

Ndërkaq, Luljeta Aliu në një analizë të sistemit arsimor në Kosovë, të publikuar nga  “Friedrich-Ebert-Stiftung”, rendit sferat ku arsimi kosovar çalon.

“Sektori i Arsimit vazhdon të mbetet një nga sferat më të kritikuara dhe më të ndjeshme shoqërore në Kosovë. Vështirësitë me të cilat përballet arsimi në Kosovë janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga mungesa e infrastrukturës së mjaftueshme shkollore, performanca e dobët e mësimdhënësve, mungesa e buxhetit të mjaftueshëm për trajnimin e mësimdhënësve, materialet mësimore të papërshtatshme për planprogramin e re dhe mungesa e mekanizmave për sigurimin e cilësisë”, thuhet në analizë.

Gjendja e sistemit arsimor në Kosovë kritikohet vazhdimisht në Raportin e Progresit që Bashkimi Evropian secilin vit harton për vendin. Aty kërkohen reforma konkrete që do e përmirësonin këtë sektor.

Yllka Ramadani

Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM