Trashëgimia kulturore është dëshmues i vlerave dhe traditave, që pasqyrojnë dhe i japin formë kulturës dhe identitetit tonë kombëtar.
Sipas ekspertëve, njohësve të artit dhe ekonomistëve të vendit, trashëgimia kulturore në kryeqytet do të duhej të zhvillohej më tej, dhe institucionet janë ato të cilat nuk po përparojnë në ketë drejtim, pra mungojnë projektet për të mbrojtur trashëgiminë kulturore në vend.
Ndërsa Ylber Vokshi, arkitekt dhe ekspert në fushën e trashëgimisë monumentale, ka potencuar për KosovaLive se kryeqyteti gjithmonë ka pasur nevojë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
“…Që nga pas lufta trajtimi i trashëgimisë kulturore dhe mbrojtja e monumenteve kulturore në Prishtinë është në nivel shumë të ulët. E përcjellë me keqpërdorime të mëdha që rrjedhin nga mendësia tradicionale e zyrtarëve tonë komunal. Atë që e ka trashëguar ky popull në të gjitha mënyrat abuzive është vepruar. Të pa shpjegueshme janë sjelljet e pushtetit lokal dhe atij qendror në trajtimin e të kaluarës historike, të pasurive kulturore që janë të shumta në kryeqytet”, deklaroi ai për KosovaLive.
Gjithçka, sipas tij, fillon nga perioda e pas luftës duke neglizhuar trashëgiminë kulturore dhe mbrojtjen e monumenteve. Edhe pse këto vite janë ndarë mjete te shumta në forma donacionesh, lokale dhe ato ndërkombëtare, ka munguar qasja profesionale në trajtimin e kësaj problematike si dhe sjelljeve të papërgjegjshme të faktorëve vendimmarrës në të dy nivelet shtetërore.
Vokshi ka theksuar se si shkak i mosdijes gjatë punimeve në disa objekte të trashëgimisë kaltërore ka pasur edhe dëme. Sipas tij, dëmet e trashëgimisë kulturore kapin vlera të mëdha e për të cilat deri më tani askush nuk iu është bërë përgjegjëse.
“Institucionet shtetërore të nivelit lokal dhe qendror shumë pak kanë punuar në lidhje me mbrojtjen e traditave dhe kulturave tradicionale. Në shumicën e rasteve ka dominuar qasja sipërfaqësore ndaj trajtimit të këtyre të mirave material. Kemi pasur raste të ndërprerjes së punimeve për shkak të mosdijes, si që është rasti kur janë ndërpre punimet qe sa vite në Hamamin e Prishtinës, si dhe ndërprerja e punimeve në rastin e Xhamisë së Gurit, për shkak të abuzimeve material nga përgjegjësit institucional. Këto vite kemi edhe zhdukje të shumë vlerave kulturore si dhe monumenteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore para syve të përgjegjësve komunal dhe shtetëror. Përgjegjësi deri me tani nuk ka dhënë askush edhe pse dëmet janë milionëshe”, ka thënë Vokshi.
Sipas Vokshit, plani më i mirë për të ruajtur kulturat tradicionale dhe për t’i mbrojtur ato do të ishte inkuadrimi në organizatat ndërkombëtare sikurse që është UNESCO.
Eksperti i trashëgimisë kulturore, thotë se Prishtina është e pasur për nga trashëgimia kulturore dhe ka se çfarë t’ju ofrojë vizitorëve, por janë institucionet që duhet të punojnë për ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore
“…Vetëm zbatimi i rregullativës ligjore në fuqi do të mundësonte mbrojtjen e këtyre pasurive që i ka kryeqyteti. Nuk mjafton vetëm evidentimi i tyre por edhe duhet me i mbrojtur dhe kultivuar ato. Ekzistojnë institucione të cilat i kanë fondet për trajtimin dhe ruajtjen e kulturës tradicionale. Shumë pak iu është dhënë rëndësia ruajtjes së tyre nëse për asgjë tjetër atëherë për turizmin kulturor i cili është shumë atraktiv në shekullin e ri. Prishtina ka një të kaluar shumë shekullore dhe ka çka t’ju ofrojë vizitorëve vendor dhe të huaj. Por deri me tani ka munguar vetëdija individuale dhe institucionale si rezultat i mosdhënies llogari për veprimet e tyre ndaj trashëgimisë kulturore”, shtoi ai.
Kujtojmë se ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ditë më parë e dha lajmin e madh për trashëgimin kulturore në Kosovë, siç është shkruar në një komunikatë për media nga MKRS-ja, është nda një buxhet i veçantë në lidhje me ruajtjen, mbrojtjen dhe investimet ndaj trashëgimisë kulturore.
Ndërsa, Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në kuadër të MKRS-së pohon se në kryeqytet është duke u praktikuar ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore.
“…Me fuqizimin dhe funksionalizimin e Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore dhe krijimin e mekanizmave për shqyrtimin e lejeve për punët konservuesë restauruese, MKRS ka përmirësuar ruajtjen dhe mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në praktikë. Gjithashtu me financimet e projekteve konservuese dhe restaurues, si dhe subvencionimin e projekteve që lidhen me ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e Trashëgimisë Kulturore ka ndikuar dukshëm në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë”, ka thënë ajo për KosovaLive.
Ajo tregon se përcaktimi i kufijve dhe shpallja nën mbrojtje e “Qendrës Historike të Prishtinës” është një hap i madh drejt mbrojtjes dhe përmirësimit të gjendjes së trashëgimisë kulturore në kryeqytet. Siç tregon ajo, mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore është obligim kushtetues për çdo person fizik dhe juridik.
Ylber Vokshi, ekspert i trashëgimisë monumentale, ka thënë se trashëgimia kulturore është thesar i çmuar për popullin tonë andaj duhet t’a ruajmë si të tillë.
“…Pa diskutim studimi trashëgimisë natyrore në traditën kulturore është simbolik e për këtë, për të mos thënë fare, jemi fajtor na vet, pasi që askush nuk na ka ndaluar në këto vite. Ne jemi të njohur që shumë lehtë e harrojmë të kaluarën, e kjo negativisht shprehet në traditën tonë shpirtërore, i cili është një thesar me vlerë i krijuar nga praktika e kaluara shumë shekullore. Kjo qasje edhe sot po na hakmerret me të madhe si ishte rasti me përvetësimin e lahutës nga ana e serbëve, këso veprimesh pritet të kemi edhe në të ardhmen”, është shprehur Vokshi.
Muzeu i Kosovës i vendosur në objektin e ndërtuar nga koha e Austro-Hungarisë, tani në funksion të ekspozimit të eksponatave nga trashëgimia kulturore, nga viti 2015 është në mbrojtje dhe vizitohet nga vizitorë vendor dhe të huaj.
Ndryshe, njohësi i rrjedhave të ekonomisë, Mustafë Kadrijaj thotë se deri më tani trashëgimia kulturore ekonomikisht është e ngecur në zhvillim, e si shkak i neglizhencës institucionale ndaj trashëgimisë kulturore, Kosovën nuk e duan në UNESCO.
“…Duke u bazuar në marrëveshjen e fundit të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, Kosova ka marr obligime që të mos aplikojë për anëtarësim në organizatat siç janë UNESCO, INTERPOL e të ngjashme. Kjo mund të rrjedh si shkak se si vend ne nuk kemi punuar aq sa duhet me mbrojtjen, ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Po ashtu kryeqyteti kërkon investim serioz në renovimin e objekteve kulturore të cilat kanë karakter historik kulturor dhe ekonomik”, tha ai gjatë një interviste për KosovaLive.
Kadrijaj thekson se Kosova duhet t’i tërheq vizitorët me trashëgimi kulturore dhe se ka ç’të ofrojë.
“Pra Kosova duke qenë një vend që nuk ka dalje në det duhet të përqendrohet në turizmin malor dhe kulturor duke ofruar parakushte për të iu mundësuar vizitorëve që të eksplorojnë pasurit kulturore të Kosovës, Prishtina si kryeqytet është mjaftë e pasuruar me trashëgimi kulturore por i mungojnë investimet tek renovimet, ruajtja dhe mbrojtja e tyre”, tha ai.
Ai i përmend edhe traditat kulturore të Prishtinës si muzeun, teatrin, nga të cilat çdo vizitor mund të mësojë për traditat kosovare nga monumentet kulturore por edhe nga filmi, kënga, e të cilat me investime nga institucionet shtetërore do e kishin një epitet më ndryshe.
Kadrijaj thekson se buxheti i tanishëm i Kosovës si shkak i pandemisë Covid-19, nuk i ofron mundësi Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, për investime ndaj objekteve dhe kulturave të trashëgimisë kulturore.
“Si përfundim, në situatën e tanishme Kosova ka pak mundësi buxhetore ndaj financimit për trashëgimi kulturore për faktin që përqendrimi i buxhetit është në tejkalimin e pandemisë. Monumentet kulturore do jenë në vend të dytë apo të tretë dhe si në Prishtinë edhe në gjithë Kosovën trashëgimia kulturore rrezikon të mbetet pa investime”, përfundon Kadrijaj.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës e ndërtuar në vitin 1974 dhe e dizajnuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakovic, cilësohet si një ndër trashëgimitë kulturore të Kosovës. Biblioteka gjendet në kryeqytet dhe aktualisht është në funksion të mijëra studentëve të cilët e përdorin për të lexuar gjatë studimeve, por kjo bibliotekë tërheq edhe shume vizitorë të huaj. Ndryshe, që nga viti 2015 është në mbrojtje të përkohshme nga institucionet shtetërore.
Njohësi i trashëgimisë kulturore, Ylber Vokshi thotë se faktori njeri është indikatori kryesor sa i përket ruajtjes dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.
“Në thelb eko-kultura është nocion kompleks i cili në thelb përfshinë sjelljet dhe veprimet tona ndej natyrës dhe të mirave të shumta që na ofron ajo në të gjitha fushat e jetës. Ashtu si sillemi ndaj natyrës do të kemi edhe rezultatet pozitive apo negative ndaj trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore. Si rezultat i veprimeve tona vandale ndaj natyrës kemi shkatërrime të mëdha, të cilat do të kanë pasoja të mëdha edhe për gjeneratat e ardhshme. Ne në këto vite në mënyrë vandale jemi sjellë ndaj të mirave që na ofron natyra duke degraduar lumenjtë me shfrytëzimin e zhavorrit, malet me prerjen e drunjve, tokën bujqësore me ndërtime pa leje”, tha ai.
Vokshi thotër se në bazë të trashëgimisë kulturore shpirtërore identifikohet edhe kultura e çdo populli.
“Ka shumë elemente dhe koncepte që i shohim në trashëgimin shpirtërore tek ne, si është shenjtërimi i maleve, lumenjve, fushave, burimeve te ujit, lisat e vjetër, etj. që me shekuj kanë identifikua vende të caktuara që kanë pasur karakteristika specifike me të cilat është identifikua ajo popullatë dhe regjion. Gjithashtu edhe ritualet e kultit, ndëshkimi, bekimi, etj. me shekuj kanë krijuar një kulturë të cilës populli ju ka nënshtruar. Të gjitha këto janë pjesë e një trashëgimie kulturore dhe shpirtërore e cila ka ndikim direkt edhe në ditët e sotme dhe si të tilla në shumicën e rasteve duhet respektuar”, përfundon Vokshi.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm vitin e kaluar nëpër bibliotekat e Kosovës kishte 1,692,552 libra, kurse numri i lexuesve ishte mbi 80 mijë.
Vjollca Aliu, drejtoreshë e departamentit të Trashëgimisë Kulturore në kuadër të MKRS-së thotë se pandemia Covid-19 i ka ngadalësuar punimet e objekteve kulturore në kryeqytet., por se mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë ka avancuar.
“Aktualisht përmirësimi i gjendjes fizike e trashëgimisë kulturore në Prishtinë, për shkaqe që kryesisht lidhen me pandeminë, është i ngadalësuar. Por, që nuk mund te themi te njëjtën për politikat qv lidhen me ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, pas që të njëjtat kohës se fundit janë avancuar. Konkretisht, për herë të parë, këtë vit, janë përcaktuar zonat e mbrojtura rreth perimetrit të monumenteve, gjithashtu ‘Qendra Historike e Prishtinës’, me kufij të përcaktuar qartë, është shpallur nën mbrojtje”, ka thënë ajo për KosovaLive.
Ajo thotë se projekti kryesor që do të zhvillohet në Prishtinë lidhur me trashëgiminë kulturore është financimi direkt nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.
“Për të nisur projektin për përmirësimin e ‘Qendrës Historike të Prishtinës’, MKRS ka paraparë financimin për konservimin e shtëpisë së Sali Safqit, shtëpisë së Kurtesh Sylejmanit, Kompleksit të Muzeut Etnologjik – Emin Gjikut dhe shtëpisë së Hynilereve, të gjitha këto ndërtesa brenda Qendrës Historike te Prishtinës”, ka theksuar Aliu.
Aliu tregon se MKRS në programet e saj vjetore, në vazhdimësi financon aktivitete të shumta gjatë tërë vitit, si në fushën e kulturës ashtu edhe në atë të trashëgimisë kulturore.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2019 në kinemanë “ABC” janë shfaqur 52 filma, “Cineplexx” – 122 filma, “Doku-Kino dhe DokuFest” – 352 filma dhe në Kinemanë “Jusuf Gërvalla” janë shfaqur 128 filma.
Kur flitet për traditën dhe kulturën, nuk mund t’a lëmë anash DokuFest-n si njërin ndër festivalet më me traditë në Kosovë. Veton Nurkollari, drejtori artistik i DokuFest thotë se si çdo trashëgimi tjetër kulturore, edhe DokuFest-i kërkon një mbështesje institucionale.
“Me vetë faktin që DokuFest-i mbahet për gati 20 vite është tradicional dhe do të duhej të kishte një mbështetje më të fuqishme institucionale”, tha ai në një prononcim për KosovaLive.
DokuFest-i në të kaluarën kishte mbi 50 mijë vizitorë dhe tani si shkak i pandemisë Covid-19 ky festival po zhvillohet online.
“Festivali këtë vit ka qenë online për shkak të pandemisë dhe nuk ka pasur vizitorë aq sa jemi mësuar përgjatë viteve të kaluara, nëse i marrim me numër nga 40-50.000 vizitorë vendor dhe ndërkombëtar që ka pasur Dokufest-i në vitet e kaluara”, ka thënë Nurkollari.
Shqipdona Gashi
Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.