Build Skills with our trainings

Sign up now!

HANDIKOS: Termi “persona me nevoja të veçanta” – i papranueshëm

Shk 23, 2022

Në libra shkollor, media e shkrime të ndryshme, personave me aftësi të kufizuara në Kosovë, ndryshe iu referohen si “persona me nevoja të veçanta”, e kjo gjë atyre po u pengon.

Filloreta Çitaku nga Podujeva, që i përket kësaj kategorie, ka thënë për KosovaLive se i pengon terminologjia “persona me nevoja të veçanta”, ndërsa shton se tek të gjithë njerëzit duhet të vlerësohet dituria dhe jo pamja e jashtme.

Sipas Çitakut, sa i përket terminologjisë, tek secili do të duhej të përdoret emri e mbiemri dhe se nuk ka nevojë të ceken termet.

 “… Si person normal, me emër e mbiemër, nuk ka nevojë të ceket me terme të ndryshme, por të respektohen si gjithë të tjerët“, është shprehur ajo.

Sipas saj, këto terme në Kosovë janë të keqkuptuara, teksa tregon edhe përvojën me shoqërinë e saj.

“Janë të keqkuptuara dhe nuk vlerësohen sa duhet, por edhe nënçmohen, ndërsa sa i përket shoqërisë, nuk ndihem aspak e diskriminuar, përkundrazi, ata më përkrahin në çdo veprim që unë e bëj”, shprehet Çitaku.

Nga organizata “HANDIKOS”, thonë se terminologjia e duhur për t’iu drejtuar kësaj kategorie është pikërisht “persona me aftësi të kufizuara”.

Ata thonë se kjo organizatë, por, edhe organizata të tjera në vazhdimësi sqarojnë se legjislacioni në vend definicionin e duhur për ketë kategori e jep definicion “persona me aftësi të kufizuar”.

HANDIKOS dhe organizatat tjera që përfaqësojnë personat me aftësi te kufizuara sqarojnë në vazhdimësi se legjislacioni në fuqi në Kosovë jep këtë definicion: ‘Aftësia e kufizuar’ – që nënkupton kufizim i qasjes dhe kufizim i aktiviteteve të zakonshme në jetën e përditshme të një personi, si pasojë e dëmtimeve fizike, shqisore ose mendore, që e pengojnë atë për pjesëmarrje në aktivitetet e zakonshme ditore”, thuhet në përgjigjen e HANDIKOS-it.

HANDIKOS rikujton se termi “persona me aftësi të kufizuara” përdoret edhe në dokumente të rëndësishme në Kosovë, siç është Kushtetuta e Kosovës, por edhe jashtë saj.

Termi ‘persona me aftësi të kufizuara’ përdoret në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kuadrin ligjor aktual në vend dhe me këtë përkthim Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara e ka të publikuar edhe në web faqen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB-së)”, kanë thënë nga HANDIKOS.

Nga kjo organizatë thonë se çdo lloj emërtimi tjetër që i bëhet kësaj kategorie, përveç “persona me aftësi të kufizuara”, nuk pranohet dhe se termi “persona me nevoja të veçanta” është veç përgjithësim.

Nevojë e veçantë nënkupton që secili njeri të ketë nevoja të veçanta në raste të caktuara. Ndërkaq personat që kanë ndonjë dëmtim fizik, shqisor apo mendor, kanë një kufizim të caktuar. Ndër të tjerash, siç e theksuam edhe më lartë, ‘aftësi e kufizuar’ përdoret edhe në Kushtetutë dhe legjislacion të Kosovës, ani pse ndonjëherë edhe vet politikbërësit anashkalojnë këtë term”, sqaron HANDIKOS-i.

Për mënyrën e qasjes ndaj këtyre personave, me këtë organizatë pajtohet edhe Bujar Kadriu nga Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar.

Kadriu është shprehur se terminologjia e duhur për këtë kategori është “persona me aftësi të kufizuar”.

Terminologjia e duhur dhe që është e pranueshme edhe për organizatat me persona me aftësi të kufizuara është “person me aftësi të kufizuar”, është shprehur Kadriu në një intervistë për KosovaLive.

Por, sipas dorëshkrimeve të profesorit Naser Zabeli thuhet që 21 vite më parë ka filluar të përdoret termi “persona me nevoja të veçanta”.

Në terminologjinë shqipe në Kosovë, deri në vitin 2000 është përdorur termi shkolla speciale, klasa speciale, ndërsa nxënësit janë emërtuar nxënës me pengesa në zhvillim. Nga viti 2000 ka filluar të përdoret një terminologji ndryshe, e tillë si ‘nxënës me paaftësi’, ‘nxënës me aftësi të kufizuar’, herë-herë edhe ‘nxënës të hendikepuar’ e së fundmi edhe ‘nxënës me nevoja të veçanta”, ka shkruar Zabeli.

Ndër të tjera thuhet që termi nxënës me nevoja të veçanta zëvendëson termin paaftësi (anglisht disability), e cila në gjuhën shqipe përkthehet dhe përshtatet si aftësi e kufizuar.

Termi “nxënës me nevoja të veçanta përdoret dhe nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).

Ndryshe, sa i përket punësimit të këtyre personave, Kadriu tregonu se shumë biznese e kompani në Kosovë nuk ia kanë idenë që personat më aftësi të kufizuara mund të jenë të gatshëm për tregun e punës.

Së shpejti, ne do ta kemi një marrëveshje publike me agjensionin për punësim dhe në kuadër të kësaj marrëveshje do të këtë një vetëdijësim publik në mënyrë që t’i ftojmë kompanitë publike si dhe ato private që e kanë obligim ta kenë të punësuar një person më aftësi të kufizuar në bazë të ligjit për arsim dhe riaftësim profesional në Kosovë. Ne do të dëshmojmë se personat me aftësi të kufizuar janë të gatshëm për tregun e punës”, është shprehur Kadriu për KosovaLive.

Sa i përket çështjes së punësimit, edhe nga HANDIKOS-i janë shprehur se edhe pse ekziston ligji në Kosovë për punësimin e këtyreve personave, i njëjti nuk po gjen zbatim në jetën e përditshme.

 “Sipas Ligjit në fuqi, çdo i 50-ti i punësuar në Kosovë, duhet të jetë person me aftësi të kufizuar, por fatkeqësisht nuk po zbatohet diçka e tillë”, thuhet në një përgjigje të HANDIKOS-it.

Sipas statistikave, vetëm 1 për qind e personave që i takojnë kësaj kategorie janë duke punuar.

Valona Hasani

Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM