Build Skills with our trainings

Sign up now!

Të rinjtë kërkojnë rrugë për angazhimin e tyre drejt ndryshimeve

Shk 23, 2022

Një Studim për rininë në Kosovë i Fondacionit “Friedrich Ebert” paraqet statistika jo fort të kënaqshme në lidhje me aktivitetin ditor i të rinjve në Kosovë: rreth 44% e të rinjve kosovarë shpesh rrinë dhe nuk bëjnë asgjë, 22% e praktikojnë këtë shpesh dhe 20% shumë shpesh. 

Të dhënat dolën nga fokus grupet ku pjesëmarrësit e i përshkruan të rinjtë si të paangazhuar dhe me mungesë perspektive. 

Unë mendoj se tipari kryesor i rinisë kosovare është koha e kaluar në kafe dhe bare. Mbase nuk kemi aktivitete të tjera që të jemi të zënë,” kishte thënë një i ri nga Prizreni, pjesëmarrës i një fokus grupi. 

Ndonëse me konstatimin përgjithësues shumëkush mund të pajtohet, realiteti del të mos jetë krejtësisht bardh-e-zi dhe se ka përpjekje për ndyshimin e gjendjes.

Anëtarja e Kuvendit të të Rinjve të Kosovës, Laurita Terpeza, pajtohet se gjendja aktuale e të rinjve në Kosovë është kritike. 

“Të rinjtë sot janë në gjendje kritike pasi gjenden para disa zgjedhjeve të cilat nuk dinë si t’iu qasen. Ende nuk ka një mekanizëm dhe strategji veprimi për tejkalimin e problemeve me të cilat përballet rinia dhe besoj që perspektiva e tyre nuk është në nivelin që duhet të jetë apo siç ka qenë kohë më parë.”

Terpeza paraprakisht kishte qenë pjesë e Kuvendit i të Rinjve të Lipjanit, degë e KRK-së që është themeluar në korrik të 2015-ës. Ajo e thotë me bindje të plotë se ky asociacion ka ndihmuar konsiderueshëm në formësimin e duhur të rinisë lipjanase. 

Kuvendi i të Rinjve të Kosovës (KRK) është organizatë më vete që ka filluar aktivitetin qysh nga viti 2009. Qëllimi i KRK është t’u japë të rinjve mundësinë për t’u përfaqësuar dhe dëgjuar nga autoritetet lokale dhe qendrore. Kuvendi i të Rinjve të Kosovës gjithashtu synon të përfshijë të rinjtë në aktivitete vullnetare duke i angazhuar ata të jenë pjesë e ndryshimit në komunitet dhe krijimin e një infrastrukture rinore më funksionale për të gjithë të rinjtë pa dallim. 

Ky kuvend ka edhe degët e veta përmes të cilave zgjeron aktivitetin edhe në nivel lokal. Aktualisht, pjesë e kuvendit qendror, por edhe degëve të tij, janë rreth 200 deputetë (anëtarë) të cilët, ndër të tjerash, bëjnë punë vullnetare në dobi të komunitetit. 

Kryetari i Kuvendit të të Rinjve të Kosovës, Adriatik Llugiqi, shpalos më tepër rreth qëllimit dhe politikave që KRK praktikon. 

Fokusi ynë është rinia, prandaj aktivitetet që kryhen kryesisht realizohen nga të rinjtë, për të rinjtë. Trajnime të ndryshme, fushata sensibilizuese, angazhime bamirësie, debate formale dhe shumë angazhime të tjera janë pjesë e aktivitetit tonë,” tregon Llugiqi për KosovaLive. 

Kryetari i KRK-së bashkë me anëtarë tjerë gjatë një takimi me presidenten Vjosa Osmani

Për Adriatikun, angazhimi në KRK filloi si një dëshirë për të qenë më afër komunitetit duke punuar dhe angazhuar pa përfitime materiale, por përmes punës vullnetare për të qenë përfitues në aspektin intelektual dhe për të qenë sa më afër të rinjve, për t’u bashkuar me të rinjtë tjerë që të organizojnë nisma rinore në shërbim dhe për të mirën e komunitetit.

Sekretarja e përgjithshme e KRK-së, Eliza Zullufi shpreh se kuvendet rinore u hapin rrugë të rinjve në fushat që ata zgjedhin. 

“Kuvendet u japin hapësirë të mjaftueshme të rinjve për aktivizim, dhe shërbejnë si ‘derë’ e veçantë për të rinjtë e qytetit, që të kenë një zë të përbashkët duke mbështetur procese në favor të tyre”.

Në Kosovë ekziston Ligji për Fuqizimin dhe Pjesëmarrjen e Rinisë, i miratuar në vitin 2009, i cili synon të promovojë dhe riafirmojë pjesëmarrjen e vazhdueshme të rinisë në proceset vendimmarrëse. Shpesh paraqiten ankesa në lidhje me zbatimin e këtyre ligjeve; njëtrajtësisht, Zullufi, ndërkaq shprehet se Ligji për Rini nuk zhvillohet mjaftueshëm në praktikë, përkundër vullnetit të të rinjve. 

Foto nga një aktivitet i KRK-së me të rinjtë e Pejës

Kuvendi i të Rinjve funksionon kryesisht në baza vullnetare. Në përgjithësi dhe parimisht, vullnetarizmi është praktika e punës së njerëzve të cilët punojnë për të tjerët pa qenë të motivuar nga përfitimet financiare apo materiale. Siç thuhet edhe vet në ligjin për rininë, “puna vullnetare nuk paguhet”.

“Një vlerë e rëndësishme e kulturës së Kuvendit i të Rinjve të Kosovës është se angazhimi ynë bazohet në angazhimin vullnetar. Këtë kulturë e kemi pasur që nga themelimi i organizatës në vitin 2009 e deri më sot, ku përmes këtij shembulli përpiqemi të shpjegojmë rëndësinë dhe rolin e vullnetarizmit në tërësi,“ thotë kryetari i këtij asociacioni të të rinjve kosovar, Llugiqi. 

Edhe në Strategjinë për Rini 2019-2023 thuhet se vullnetarizmi është një kënaqësi për secilin të ri i cili i kontribuon zhvillimit dhe mirëqenies së komunitetit të tij, andaj si i tillë ai ka nevojë për t’u promovuar në mesin e të rinjve përmes aktiviteteve ndërgjegjësuese. Ky promovim, sipas Llugiqit, po kryhet edhe nga KRK-ja. 

Në korrik të vitit 2021 është rihapur dega e KRK-së në Pejë, qëllimi i së cilës, sipas kryetares së e Kuvendit i të Rinjve të Pejës , Nora Draga, është që të ketë sa më shumë deputetë të përfshirë dhe përmes pjesëmarrjes ata t’i paraqesin kërkesat e tyre, pakënaqësitë, sfidat dhe ndryshimet që duan t’i bëjnë. 

Duke qenë se kuvendet rinore funksionojnë duke marrë për bazë nevojat dhe kërkesat e të rinjve, si pjesë e rëndësishme e sistemit të tyre të zhvillimor, kjo ndërlidhet edhe me vendimet që merr qeveria në raport me rininë. Të rinjve në Kosovë u dëgjohet zëri përmes anëtarësimit në kuvend rinor lokal apo qendror, e këtë e dëshmon fakti se përfaqësues të kuvendit kanë marrë pjesë edhe në takime zyrtare me përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe mekanizmave të saj, përfshirë edhe kryeministrin Kurti. 

Këtë e potencon edhe anëtari tjetër i Kuvendit të të Rinjve të Kosovës, Erion Maloku, i cili, për KosovaLive, tregon për bashkëpunimin e kuvendit me krerët institucionalë. 

“Ditëve të fundit, ne si kuvend, kemi pasur bashkëpunim të ngushtë, si me kryeministrin ashtu edhe me ministra e deputetë, ku i kemi adresuar problemet tona. Ata kanë kërkuar nga ne që çdo problem ta adresojmë në mënyrë që të gjendet zgjidhja më lehtë.”

Kryetarja e Kuvendit të të Rinjve të Pejës, Nora Draga, gjykon se kuvendet rinore mund të ndikojnë në vendimet që merr qeveria por që këto kërkesa duhet të jenë brenda kornizave të fushëveprimit të Qeverisë së Kosovës. 

“Ndikimi jonë në vendimet e ndryshme varet nga kërkesat dhe qëndrimet e përbashkëta që i kemi; me ide konkrete dhe të realizueshme mund të ndikojmë kryesisht në çështje që kanë të bëjnë me të rinjtë,” tha Draga për KosovaLive. 

Ajo konsideron se krerët institucionalë duhet të merren më shumë me të rinjtë pasi këta përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë në vend, t’i krijojnë mekanizmat përmes organizatave të ndryshme duke realizuar fushata, takime, dhe të shpërndajnë mesazhe sensibilizuese për tema të ndjeshme si paragjykimet, droga, dhuna e shumë çështje të tjera në dëm të rinisë dhe shoqërisë tonë.  

Kryetari i KRK-së, Adriatik Llugiqi, ndërkohë konsideron se me aktivizim të përgjithshëm të rinjtë mund të ndikojmë në vendimet që merren në fushën e rinisë, pasi ato vendime merren për ta. 

“Në këtë drejtim duhet të jemi të gatshëm të ofrojmë plane dhe ide konkrete për qëllime të përbashkëta,” potencon Llugiqi. 

Pjesëmarrja aktive e të rinjve në aktivitete vendimmarrëse shihet si komponentë kryesore në progresin e tyre zhvillimor edhe në Strategjinë për Rini 2019-2013. Strategjia për Rininë 2019 – 2023, përfshirë planin e veprimit, është një strategji gjithëpërfshirëse e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të rinjtë. Ajo ka për synim përmirësimin e situatës së të rinjve të grup-moshave 15-24 vjeç, duke përfshirë të gjitha palët e interesit, si nga sektori qeveritar ashtu edhe nga ai joqeveritar.

Në këtë plan strategjik, ndër të tjera, thuhet se përkrahja e iniciativave e të rinjve është pjesë e rëndësishme e planit, pasi që të rinjtë konsiderohen mekanizma vitalë të funksionimit të shtetit. Kjo përkrahje thuhet se do arrihet përmes fondeve të shpërndara te organizatat rinore të cilat u nënshtrohen nevojave dhe kërkesave të të rinjve. 

Anëtari i Kuvendit të të Rinjve të Kosovës, Erion Maloku, shpreh se ka iniciativa që kanë mbetur në letër si pasojë e mungesës së fondeve. 

“Zakonisht çdo aktivitet që e kemi synuar e kemi arritur, mirëpo ka edhe disa aktivitete që për shkak të mungesës së fondeve nuk po mundemi t’i realizojmë.” 

Edhe sipas Eliza Zullufit, të rinjtë ambiciozë shpeshherë hasin në probleme me financim të projekteve nga komunat përkatëse, të cilat nuk kontribuojnë me ndihma financiare dhe, në shumë raste, aktivitetet dhe idetë që planifikohen të realizohen dështojnë si pasojë e mosfinancimit. 

Sido që të jetë, nevoja e angazhimit të të rinjve në kuvende rinore si dhe organizata të tjera qeveritare po konsiderohet e menjëhershme nga këta anëtarë të Kuvendit të të Rinjve. Për deputetin Erion Maloku, anëtarësimi në degët e Kuvendit të të Rinjve është një gjë e mirë sepse formëson karrierën profesionale dhe hap rrugë të reja. Sekretarja e përgjithshme e KRK-së, Eliza Zullufi, vlerëson se kuvendet mund të shërbejnë si përgatitje dhe përvojë më e mirë për punë të ndryshme kolektive, qofshin ato politike apo të tjera. 

Kurse për kryetarin Llugiqi, të rinjtë duhet të jenë pjesë e ndryshimeve të vogla për të arritur tek ato më të mëdha. Ai mendon se, sa më i madh që është aktiviteti i të rinjve aq më shumë do të jetë i mundur ndryshimi. 

“Duke iu bashkuar KRK-së, mbi të gjitha, mund të fitoni një përvojë të shkëlqyer e cila është e mbushur me njohuri që do t’ju ndihmojë si në edukimin joformal, ashtu edhe në aftësitë e buta dhe ato komunikuese,” përmbyll kryetari i Kuvendit të të Rinjve të Kosovës, Adriatik Llugiqi.

Arta Drenica

Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM