Build Skills with our trainings

Sign up now!

Bujqit e rinj kosovarë kërkojnë mbështetje nga shteti

Sht 28, 2020

Rrahmon Gashi nga fshati Mramor i Prishtinës është ndër blegtorët e rinj në Kosovë, ai ditën e nis duke u përkujdesur për bletët e tij. Angazhimi, puna dhe investimet për të kanë qenë të kushtueshme mirëpo ishte vullneti që e shtyri të nis këtë pasion. Ndonëse shteti nuk ia zgjati dorën për ndihmë, ai filloi diçka krejtësisht i vetëm.

Gjatë një interviste për KosovaLive, Gashi tregon se aktualisht për të puna dhe “hobi” janë bletët, këtë që e kishte menduar prej kohësh. Ai më pas tregon se, zhvillimi i bujqësisë në vend është i nevojshëm mirëpo duhen edhe investime dhe kjo patjetër ju takon institucioneve shtetërore.

Prej kohësh e kam mendu një punë siç është puna me bletët, kam kërkuar shumë se si bëhet kujdesi ndaj bletëve dhe kam kërkuar dhe ndihmën e shtetit për të më ndihmuar rreth koshereve, por shteti nuk më ka ndihmuar dhe jam detyruar që kosheret t’i blej vetë dhe të filloj vetë punën me to. Punën me bletë e kam edhe si pasion ashtu e bëj me dëshirë. Mëngjesin e filloj duke u kujdes për bletë pastaj vazhdoj në diçka tjetër siç janë kujdesi i deleve, por kjo me bletë me pëlqen më së shumti. Është normale që të rinjtë duhet të merren me bujqësi por shteti duhet edhe t’i ndihmoj”, ka theksuar Gashi.

Siç tregon 19 vjeçari, kujdesi ndaj bletëve nuk është i lehtë: kërkohet kohë, përkushtim dhe trajtim i duhur ndaj tyre, ndërsa edhe përfitimet nga puna me bletët në Kosovë, blegtori nuk i sheh të mëdha nga se tregu ndërkombëtar çdo herë po e konkurron tregun vendor.

E vështirë është puna me bletë, duhet me ditë me nda kohe për to pastaj kujdesi është më i veçantë kërkojnë ambient të mirë, kujdes të mirë dhe nganjëherë investime në shtimin e bletëve. E gjithë kjo punë kërkon një çmim por në Kosovë nuk ekzistoj  pasi që më parë shitet një mjaltë nga vendet e jashtmit se sa nga Kosova, kjo normal që na pengon neve si bletar të rinj”, ka thënë Gashi.

Nga raporti i Ministrisë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MPZHRB), programi për Zhvillimin Rural 2020-21 në Kosovë, thuhet se, ka për qellim zhvillimin strategjik agro-rural, zhvillimin e teknologjisë në bujqësi, përmisimin e cilësisë së prodhimit dhe mbrojtjen e mjedisit dhe resurseve natyrore, nëpërmjet investimeve në ujitje, kullim, trajtim të mbetjeve, si dhe në energji të ripërtërishme etj.

Njohësi i bujqësisë për Kosovë në Industrinë Ushqimore, Bekim Ermeni gjatë një interviste për KosovaLive ka treguar se, interesimi nga të rinjtë për bujqësi është rritur, tani kërkohet edhe mbështetja nga shteti, siç thekson ai, të rinjtë nga vendet urbane janë më të interesuar për të punuar në bujqësi se sa të rinjtë që jetojnë në vendet rurale.

Kohëve të fundit kemi rritje të interesimit të të rinjve që merren me bujqësi. Për t’u çuditur është fakti që interesimi i të rinjve vjen më shumë nga zonat urbane se ato rurale. Në qendrën grumbulluese të fruta-perimeve “Agrocelina” ku jam i angazhuar unë, kemi disa raste interesante të angazhimit të rinjve të cilët edhe pse në mungesë të tokave bujqësore (po marrin toka dhe serra me rent) po merren me bujqësi. Te rinjtë e zonave rurale të cilët disponojnë toka bujqësore duhet të motivohen dhe të mbështetën më shumë nga institucionet e vendit në mënyrë që vazhdojnë të merren me këtë sektor”, ka thënë Ermeni.

Ermeni tregon se zhvillimi i bujqësisë në vend i duhet një mbështetje e fortë nga shteti. Sipas tij, të rinjtë janë premtuesit më të mëdhenj  ndaj zhvillimit të bujqësisë dhe kjo gjë nuk duhet të neglizhohet nga institucionet shtetërore as nga interesimi i të rinjve.

Shteti përmes skemës së garantëve dhe subvencioneve po tenton që të motivojë të rinjtë të merren me bujqësi. Në këtë kontekst, shteti duhet të intervenojë në adoptimin e kritereve për të lehtësuar aplikimin e të rinjve për skemat e saja mbështetëse dhe në të njëjtën kohë për të favorizuar ata që të jenë përfitues. Inkuadrimi i të rinjve në bujqësi është jetike për zhvillimin e vendit dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Problemet madhore me të cilët po ballafaqohet sektori i bujqësisë në këtë moment është pikërisht mungesa e njerëzve dhe atë posaçërisht e të rinjve”, theksoi ai.

Ndër të tjerash, ai thotë se gjendja aktuale e inkuadrimit të të rinjve në bujqësi nuk është e mjaftueshme, kërkohet ende punë, e ndërkohë bizneset të cilat merren me këtë sektor po ballafaqohen me probleme të ndryshme si ekonomike dhe me mungesën e të rinjve.

Zbatimi i standardeve ndërkombëtare të sigurisë se ushqimit dhe taksave të mira bujqësore dhe gjetja e tregjeve të reja për bizneset kosovare është e pamundshme pa inkuadrimin e të rinjve në këtë sektor. Në këtë drejtim duhet punuar shumë sepse situata nuk është e mirë”, ka shtuar Ermeni.

Sipas tij, institucionet kompetente për bujqësi duhet të kujdesen dhe të punojnë  për ruajtjen e tokave pjellore, zhvillimin arsimor për bujqësi dhe bashkëpunimin e të rinjve me organizatat ndërkombëtare.

Institucionet kosovare së pari duhet të punojnë shumë në ruajtjen e tokës bujqësore nga degradimi dhe shkatërrimi i saj (fragmentimi dhe shndërrimi i saj në tokë ndërtimore janë dukuri që po e shkatërrojnë tokën bujqësore) në mënyrë që të rinjve të ju sigurohet një e ardhme me e ndritshme e angazhimit në sektorin e bujqësisë. Institucionet arsimore (fakultetet, shkollat e mesme bujqësore, etj.) të sigurojnë kushte dhe infrastrukture të nevojshme për edukimin e mirëfilltë të rinjve në sektorin e bujqësisë. Bizneset të inkurajohen (përmes skemave direket mbështetëse apo lehtësirave tatimore) nga shteti që të angazhojnë ete rinjtë në këtë sektor. Organizatat e huaja të ofrojnë projekte dhe fonde te fillimit të bizneseve për të rinjtë me fokus sektorin e bujqësisë. Të organizojnë vizita studimore për të rinjtë në vendet e zhvilluara të sektorit të bujqësisë dhe të ofrojnë trajnime në këtë sektor”, përfundon Ermeni.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në vendin tonë gjithsej prodhimet bimore dhe blegtorale kanë shënuar rritje për 11.4% në vitin 2019, krahasuar me vitin 2018. Ndërsa konsumi është përllogaritur me rreth 305.4 milionë euro në vitin 2019, që paraqet një rritje prej 1.1%, në krahasim me vitin 2018.

Për gjendjen aktuale të bujqësisë në Kosovë siç janë; integrimi i të rinjve në bujqësi, subvencionet, grantet dhe bashkëpunimi me ndërkombëtarët, KosovaLive e ka pyetur edhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MPZHRB), por nga ana e tyre nuk kemi marrë ndonjë përgjigje.

Ndërsa, Gent Saraçi nga organizata “Help-Hilfe zur Selbsthilfe” – misioni në Republikën e Kosovës, gjatë një interviste për KosovaLive tregon se kjo organizatë deri më tani ka pranuar mbi shtatë mijë aplikime të qytetareve për subvencione bujqësore. Siç tregon ai, grandët kanë përfshi 26 komuna, me rreth 41% investime në bujqësi.

Deri më tani kemi pranuar më se 7,000 aplikime nga qytetarët e Kosovës. Kemi arritur të shpërblejmë me grante në vlerë mesatare 2,000-euro më se 1,500 qytetarë. Kemi punuar në 26 komuna të Kosovës me të cilat kemi bashkë financuar projektet. Rreth 41% e granteve kanë shkuar për bujqësi kryesisht kanë përfituar serrë, frezë, plug, trina, motokultivator, mikser për bluarjen e ushqimit për kafshë, shpërndarëse plehu, spërkatëse etj. 51% e garantëve kanë shkuar për zonat rurale fshatrat, 76% të përfituesve janë shqiptarë, 16% serbë, 8% të tjerë, 41% të përfituesve janë të moshës 35-55 vjeç, 32% janë 18-35 vjeç, 27% janë më të vjetër se 55 vjeç, 66% e përfituesve janë meshkuj, 34% femra”, ka thënë Saraçi.

Përfaqësuesi i organizata Help, Gent Saraçi tregon se, përmes projekteve në Kosovë tregon se synimi i tyre është të motivojë rininë që të aplikojnë për grante nga të gjitha sektorët bujqësi, zejtari, shkenca kompjuterike, sipas tij kjo e fundit është me e kërkuara nga të rinjtë.

“Kur shpallen thirrjet për aplikim Help së bashku me KVRL në kuadër të komunave organizojnë seanca informuese për informimin e rinisë rreth mundësisë së aplikimin ku ofrohen udhëzime se si të plotësohen dokumentacionet e kërkuara. Zakonisht të rinjtë janë më të fokusuar në ofrimin e shërbimeve, shkenca kompjuterike, kontabilitet, gastronomi, rrobaqepësi, sallone bukurie mirëpo edhe bujqësia nuk mbetet anash duke filluar nga kultivimi i perimeve të ndryshme, mjedrave, aronia, dredhëza etj”, tha ai. 

Ndryshe, Saraçi tregon edhe mënyrën e aplikimit se si duhet të aplikojnë të rinjtë e interesuar për bujqësi, sipas tij, ideja e mirë është përfituese e grandëve në këtë organizatë.

Kushtet e aplikimit janë të thjeshta. Mjafton të posedosh dokumentacionin e RKS, të kesh ide biznesi, ndonjë certifikim është vlerë e shtuar. Duhet të vetë kërkohen pajisjet e nevojshme në tregun e Kosovës. Të dërgohet aplikacioni përmes postës, dhe të intervistohesh në terren nga zyrtarët e terrenit nga organizata ‘Help’. Numri i caktuar i ideve më të mira përzgjidhen si përfitues”, thekson Saraçi.

Saraçi më pas tregon se, sa i përket bujqësisë interesim më i madh është nga moshat mbi 35 vjeç por edhe nga të rinjtë mbi 18 e tutje.

Saraçi thekson se, organizata “Help” për përfituesit në bujqësi ofron pajisje dhe trajnime, siç tregon ai, vlera e pajisjeve kapin 2 mijë euro ndërsa trajnimet janë po ashtu falas për të ju ndihmuar personave që duan të bëjnë biznes.

“Help’ është e fokusuar në ofrimin e granteve në vlerë 2000 euro me pajisje, si dhe trajnime në fushën e të bërit biznes si dhe trajnime në aftësim profesional. Të gjithë përfituesit e grandeve nga sektori i bujqësisë po ashtu përfitojnë edhe këshillim profesional në zonën ku ata jetojnë/punojnë”, përfundon ai.

Foto nga OJQ-ja “HELP”, përfituesit ei pajisjeve bujqësore nga organizata “HELP”

Në raportin e sondazhit për bujqësi “Prodhimi bimor”, nga organizata gjermane joqeveritare “HELP”, thuhet se, Kosova posedon gjithsej 1421.54 sipërfaqe tokë pjellore nga llojet e kulturave të ndryshme. Këto lloje të kulturave bujqësore kultivohen në regjionin e Kosovës: grurë me 460.13 sipërfaqe tokë, misër 433.02, patate 110.22, molla 61.24, qepë 55.3 9, domate, 42.38 speca, 41.2 kumbulla, 28.96 tërshërë 28.5, mjedra 25.92, dardha 24.5, jonxh, 23 lakër 18.45, tranguj 11.65, fasule 10.7, vreshta 7.9, kunguj, 6.5, marule 6.05, shalqi 4.75, bimë mjekësore 4.1, asparagus, 3.3, pjepër 3.1, arra 2.8, karrota 2.6, elb 2, dredhëza 1.67, hudhër 1.6.

Njohësi tjetër i bujqësisë, Dukagjin gjatë një interviste për KosovaLive ka thënë se interesimi i të rinjve në bujqësi nuk është në nivelin e duhur dhe se shumë sektor janë në mungesë të tyre.

Interesimi i rinisë kosovare për bujqësi në përgjithësi nuk është i lartë, edhe pse në disa fusha si: kultivim të perimeve në serra, pemëtari dhe bletari ka interesim, por ka ngecje në kultivimin e bimëve të arave dhe mbarështim të kafshëve”, ka thënë Zeka.

Iniciativat për mbështetjen e të rinjve në bujqësi, sipas tij kanë qenë të mira dhe fitimprurëse, por jo në pritshmërit e duhura. Siç thekson ai, Kosova ka nevojë për bujqësi andaj duhet të punohet më shumë në këtë sektor.

Politikat bujqësore përkundër iniciativave të mira, në të shumtën e rasteve nuk kanë treguar suksesin e pretenduar. Programe të veçanta grantesh apo subvencionesh që do përfshinin ekskluzivisht  grup moshat 25 deri 35 vjeç mungojnë, prandaj edhe interesimi apo nxitja e rinisë për bujqësi mbetet e ulët. Inkuadrimi i rinisë në bujqësi është i vlefshëm dhe i domosdoshëm, sepse sektorë të caktuar të bujqësisë janë mjaftë fitimprurës (hortikultura, bletaria,  agroturizimi, etj) e po ashtu sigurimi i ushqimit do mbetet sfide e vazhdueshme për secilin vend si nga aspekti sasior ashtu edhe cilësor”, thekson ai.

Edhe ai konsideron se gjendja aktuale me të rinjtë në bujqësi nuk është e mirë dhe se, në ketë sektor institucionet kompetente duhet të punojnë më shumë në lidhje me lehtësimin e aplikacioneve, ndihmën financiare…

Gjendja aktuale e të rinjve që merren me bujqësi edhe pse duket jo e mirë, pa dyshim që ka perspektiven e vet. Ka mbi një dekadë që punohet në përmirësimin e gjendjes në bujqësi, por ende duhet punuar që të krijohen rrethana lehtësuese, inkurajuese dhe nxitëse për inkuadrimin e rinisë në bujqësi përmes programeve të caktuara për grupmosha të reja”, tha ndër të tjerash Zeka.

Zeka përmend edhe politikat zhvillimore të sektorit agrar në Kosovë duke shtuar, ku se bujqësia duhet të orientohet në menaxhimin e drejtë të fondeve aktuale vendore, kërkim përgjegjësie nga përfituesit, dhe në përgatitjen e resurseve humane për shfrytëzimin e fondeve të Bashkimit Europian përmes programeve të caktuara, siç është p.sh. “IPARD”.

Shqipdona Gashi

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM