Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se ka mbetur e vrarë gazetarja e Radio Evropës së Lirë në Kiev, Vira Hyrych, pasi një raketë nga sulmi rus e ka goditur ndërtesën ku ishte duke jetuar ajo.
Sulmi ka ndodhur më 28 prill, teksa trupi i gazetares është gjetur nën rrënoja mëngjesin e sotëm.
Hyrych kishte punuar për Radion Evropa e Lirë që nga viti 2018, teksa paraprakisht kishte punuar edhe për disa kanale televizive ukrainase.
Që nga 24 shkurti, fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, janë vrarë mbi 20 gazetarë dhe kanë mbetur të plagosur dhjetra të tjerë, thuhet në postimin në Facebook të AGK-së.