Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kurti: Ligjet tona për gjuhë u garantojnë qytetarëve të kryejnë punë administrative në gjuhën amtare

Kor 1, 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Redžepi, morën pjesë në tryezën e diskutimit “Kosova si shoqëri shumëgjuhëshe”.

Në hapje të tryezës, kryeministri Kurti tha se ndjehet i lumtur, që është Kryeministër i një shteti, ku njerëzit flasin shumë gjuhë. Ai përmendi datën 20 mars, ku çdo vit festohet përvjetori i fillimit të mësimit në gjuhën turke dhe Ditën Ndërkombëtare të Romëve.

Më 4 prill sivjet isha në Prizren për Ditën Ndërkombëtare të Romëve. Aty takova mësues të gjuhës rome, që punojnë në shkolla, vizitova mini-bibliotekën e sapohapur të librave në gjuhën rome dhe dëgjova të reja e të rinjtë duke recituar poezi në gjuhën e tyre amtare”, tha kryeministri.

Duke vlerësuar punën e Zyrës për Çështje të Komuniteteve brenda Zyrës së Kryeministrit, e cila reagon palodhshëm ndaj rasteve kur gjuhët zyrtare nuk respektohen nga institucionet e Kosovës, Kryeministri Kurti tha se është duke u punuar në krijimin e një Njësie për Përkthim dhe Harmonizim brenda Zyrës së Kryeministrit, që do të funksionalizohet brenda vitit.

Duke revokuar kujtime nga fëmijëria e tij, ku nuk ishte diçka e jashtëzakonshme të dëgjoje gjuhë të tjera përveç shqipes e mandej edhe t’i flisje ato, ai tha se tash, fëmijët varen prej gjuhës angleze të YouTube ose prej gjesteve dhe mirësisë dhe dijenisë së të tjerëve. “Si shtet, që e synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, mes tjerash, duhet të synojmë edhe zgjerimin e njohurive të gjuhëve të njëri-tjetrit, edhe gjuhëve të Evropës”, theksoi Kryeministri Kurti.

“Në programin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për vitet 2022 – 2026, që tash është në fazë të konsultimeve publike, vëmendje e veçantë i  jepet mësimit të gjuhëve përmes klubeve ose aktiviteteve tjera në nivel shkolle”, tha ai, duke shtuar se ligjet tona për gjuhë garantojnë që të gjithë qytetarët jo vetëm që të kenë mundësi të kryejnë punë administrative në gjuhën e tyre amtare, por mbi të gjitha, të ndjehen rehat dhe të respektuar në Kosovën tonë të përbashkët.

Prandaj, tha kryeministri, do të krijohen kushte për të gjithë qytetarët e Kosovës, që të punojnë dhe të arrijnë rezultate bashkërisht.

Ai u shpreh krenar për krijimin e programit të studimeve të ballkanistikës në Universitetin e Prishtinës,  i vetmi rajon ku studentët shqiptarë, boshnjakë e serbë mësojnë gjuhët e rajonit së bashku dhe gjithashtu mësojnë për antropologji, për linguistikë dhe për teoritë e përkthimit.

Në tryezë folën edhe zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Redžepi, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqi, Slaviša Mladenoviq, Komisoner i Gjuhëve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Anna Rostoka, Shefe e Misionit, Organizata Ndërkombëtare për Migracion (IOM), Kosovë dhe Michael Davenport, Shef i OSBE-së në Kosovë, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.

 

Jam i lumtur që po flas me ju si Kryeministër i një shteti, ku njerëzit flasin shumë gjuhë. Jam krenar për ligjet tona, që e garantojnë përdorimin e gjuhëve amtare.

 

Data 20 mars festohet çdo vit nga komuniteti turk si përvjetori i fillimit të mësimit në gjuhën turke në Kosovë, në vitin 1951. Më 4 prill sivjet, isha në Prizren për Ditën Ndërkombëtare të Romëve. Aty takova mësues të gjuhës rome, që punojnë në shkolla, vizitova mini-bibliotekën e sapohapur të librave në gjuhën rome dhe dëgjova të reja e të rinjtë duke recituar poezi në gjuhën e tyre amtare.

 

Zyra e Komisionerit për Gjuhë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit reagon palodhshëm ndaj rasteve kur gjuhët zyrtare nuk respektohen nga institucionet e Kosovës dhe kur Ligji ynë për gjuhët nuk zbatohet si duhet.

 

Po punojmë bashkë për krijimin e një Njësie për Përkthim dhe Harmonizim brenda Zyrës së Kryeministrit. Do të funksionalizohet brenda vitit, e që të sigurojmë kësisoj përkthime cilësore të ligjeve dhe akteve nën-ligjore në gjuhët zyrtare të Kosovës.

 

Jam krenar për krijimin e programit të studimeve të ballkanistikës në Universitetin e Prishtinës,  i vetmi rajon ku studentët shqiptarë, boshnjakë e serbë mësojnë gjuhët e rajonit së bashku dhe gjithashtu mësojnë për antropologji, për linguistikë dhe për teoritë e përkthimit.

 

Megjithatë, e dimë që shumë mbetet për t’u bërë në Kosovë.

 

Për mua si fëmijë, por edhe për prindërit dhe shokët e shoqet e mia, nuk ishte diçka e jashtëzakonshme të dëgjoj gjuhë të tjera përveç shqipes e mandej edhe t’i flas ato. Në pazar dhe në punë jemi kuptuar me njeri-tjetrin, jo vetëm me ata, të cilët flasin gjuhën amtare, porsi ne.

 

Unë e kam ende atë mundësi, që të flas me serbët, me boshnjakët dhe me të tjerët, pa marrë parasysh se a jam në Prishtinë, në Prizren, në Mitrovicë, që mund të flas me bashkëqytetarët e mi në gjuhën e tyre. Gjithashtu, kur dal jashtë Kosovës, në Shkup e në Shkodër, por edhe në të gjitha shtetet fqinje kam mundësi për komunikim, për biseda politike mbi shoqërinë, mbi ekonominë, mbi jetën e mbi jetesën.

 

Por, për shumicën e fëmijëve të Kosovës tash këto mundësi nuk po ekzistojnë më. Varen prej gjuhës angleze të YouTube ose prej gjesteve dhe mirësisë dhe dijenisë së të tjerëve.

 

Si shtet, që e synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, mes tjerash, duhet të synojmë edhe zgjerimin e njohurive të gjuhëve të njëri-tjetrit, edhe gjuhëve të Evropës. 


Umberto Eco thotë “gjuha e Evropës është përkthimi”. Pa mundësinë për përkthime edhe pa këto dëgjuese, që i keni një pjesë e juaja edhe në këtë konferencë të sotme, ne mbetemi memec para një prej kërkesave kryesore të botës të shekullit 21, komunikimit.

 

Unë besoj që Umberto Eco është shprehur kështu për Evropën, jo vetëm për faktin e 24 gjuhëve zyrtare të Bashkimit Evropian, për kabinat, dëgjueset e proceset e ndërlikuara për përkthim brenda institucioneve të BE-së, por për një arsye më thelbësore se kaq. Sepse, mësimi i gjuhëve të të tjerëve lehtëson komunikimin mes njerëzve, por edhe i afron ata. E rritë empatinë dhe dhembshurinë ndaj të tjerëve. Zbutet egoizmi dhe ideja, që këndvështrimi yt për botën është i vetmi këndvështrim; që fjala jote mbetet fjala e fundit. Mundësia për të dëgjuar dikë tjetër dhe më e rëndësishmja, për ta kuptuar, krijon kushte për progres si individ, por edhe si shoqëri.

 

Për këtë arsye, në programin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për vitet 2022 – 2026, që tash është në fazë të konsultimeve publike, vëmendje e veçantë i  jepet mësimit të gjuhëve përmes klubeve ose aktiviteteve të tjera në nivel shkolle.

 

Në një botë ku vlerësohet që 60% e popullatës së globit flasin dy gjuhë apo edhe më shumë, besojmë që fëmijët tonë, që mësojnë gjuhë të tjera, do të kenë mundësi të reja.

 

Hulumtimet ndërkombëtare na tregojnë, që njerëzit që dinë më shumë se një gjuhë kanë përparësi edhe në të menduar dhe në imagjinatë. Për shembull në aftësinë për mendim abstrakt apo për zgjidhje të problemeve matematikore. Edhe në pleqëri, sipas studimeve, humbja e shkathtësive njohëse ngadalësohet për ata që përdorin më shumë se një gjuhë.

 

Besojmë që për këtë brez, që tash është në banka shkollore, mund të krijojmë një shoqëri multi-linguistike, shumëgjuhësore me respekt për diversitetin etnik dhe kulturor. 

 

Ligjet tona për gjuhë garantojnë që të gjithë qytetarët jo vetëm që të kenë mundësi të kryejnë punë administrative në gjuhën e tyre amtare, por mbi të gjitha, të ndjehen rehat dhe të respektuar në Kosovën tonë të përbashkët.

 

Jemi këtu bashkë sot për të shënuar këto arritje në përdorimin e gjuhëve në Kosovë, por edhe për të forcuar përpjekjet tona të përbashkëta për t‘i adresuar mangësitë, që ende ekzistojnë.

 

Kështu do të krijojmë kushte për të gjithë qytetarët e Kosovës, që të punojnë dhe të arrijnë rezultate bashkërisht. Njëkohësisht, të krijojmë një bazë të fortë për qytetarët tonë, që të komunikojmë edhe jashtë vendit për biznes e turizëm, por dhe për të dëshmuar vlerat më të larta evropiane dhe botërore. 

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM